Pensionimet e vitit në futbollin e Kosovës

31 dhjetor 2018 | 13:52

Çdo fillim e ka edhe fundin e tij. E kjo vlen edhe për futbollistët, të cilëve dikur u vjen koha të pensionohen. Në vitin 2018 disa yje të futbollit kosovar i dhanë fund karrierës së gjatë dhe të lavdishme, shkruan gazeta “Zeri”.

Erdin Hashani i dha fund karrierës së gjatë. Qendërmbrojtësi prishtinas ishte “aventurist”, pasi kishte luajtur në 12 skuadra gjatë karrierës, në Kosovë e në Shqipëri, ndërsa karrierën e mbylli te Ferizaj. Menjëherë ai gjeti angazhim si trajner dhe dimëroi në krye të Ligës së Dytë me Dardanën e Kamenicës.

Një tjetër futbollist i madh që i vendosi këpucët në gozhdë gjatë 2018-s ishte Shpëtim Idrizi. Mesfushori kreativ mitrovicas i shijoi edhe ndeshjet ndërkombëtare dhe u largua pa ndonjë “zhig” ose merak pasi i arriti të gjitha në karrierë, duke përfshirë këtu edhe titullin e kampionit me Trepçën ’89, ku e kaloi pjesën më të madhe të karrierës.

“Tung” futbollit i tha edhe Alban Dragusha, qendërmbrojtësi stabil që ka luajtur në disa klube kosovare, ku ishte shembull si lojtar dhe si person. Ndërsa lamtumira më e madhe ishte ajo e Debatik Currit. Qendërmbrojtësi e mbylli aty ku e kishte nisur – në Prishtinë një karrierë të lavdishme, e përcjellë me momente të mira, por edhe me lëndime. Pasi luajti në Shqipëri, në Ukrainë e në Turqi, por edhe në Kombëtaren shqiptare, Curri e ndihmoi Prishtinën në dy sezone dhe në fund tha “Boll ma”. Gjatë vitit që po shkon pati edhe pensionime të tjera. Pa asnjë diskutim, futbolli kosovar mbeti i mangët pa këta lojtarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Golden State Warriors është shpallur kampion i NBA-së për herë…