Pensionistët që kontribuuan pas luftës, përfundojnë me pensionin e moshës
Pensionistët që kanë kontribuuar vetëm pas luftës në Kosovë, aktualisht, mbështeten në fondet që i kanë kursyer në Fondin e Kursimeve Pensionale.
Pasi t’i shpenzojnë ato – qoftë për dy, tre apo katër vjet – ata mbeten me vetëm pensionin e moshës, i cili tani është 120 euro.
Kjo vlen për të gjithë pensionistët që karrierën e tyre e kanë zhvilluar pas luftës më 1999 – pavarësisht formimit të tyre arsimor.
Në mesin e tyre është edhe historiani Xhafer Osmani nga Prishtina.
Ai është pensionuar në maj të këtij viti, pasi ka mbushur 65 vjet.
Nga viti 1999 ka punuar vazhdimisht si arsimtar i lëndës së Historisë. “Unë marr pensionin e moshës 120 euro dhe 200 euro nga kursimet e mia në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Këto 200 euro janë para të mia, që janë ndarë nga paga”, thotë Osmani për “Radion Evropa e Lirë”.
Në Kosovë, çdo person që arrin moshën 65-vjeçare, ka të drejtë për pensionin bazik apo të moshës, i cili paguhet nga buxheti i shtetit, pavarësisht kontributeve të tij.
Ndërsa, në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, që njihet edhe si Trust, punonjësi dhe punëdhënësi kontribuojnë me nga 5 për qind të pagës së punonjësit, apo në total 10 për qind.
Në vitin 2003, për shembull, paga mesatare në administratën publike ka qenë 167 euro, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës – çfarë do të thotë se në Trust janë ndarë 16 euro në muaj.
Me kalimin e viteve kjo ka ndryshuar.
Gjatë 25 vjetëve punë, Osmani ka kursyer mbi 12 mijë euro në Trust.
Pas pensionimit ka tërhequr 20 për qind të shumës dhe nga 200 euro në muaj do të marrë edhe për rreth katër vjet – më pas do të mbetet me pensionin e moshës. “Nuk jam kundër atyre që marrin pension të moshës. Por, duhet të ketë një kategorizim për kualifikime. Ne kemi punuar, kemi paguar taksa”, thotë Osmani.
Si shpenzohen paratë e Trustit në Kosovë?
Sipas ligjit në fuqi, nëse shuma e kursyer në Trust në moshën e pensionimit është nën 3.000 euro, ajo shumë paguhet menjëherë me një këst.
Nëse shuma është më e madhe se 3.000 euro, por më e vogël se 20.000, atëherë përfituesit i marrin nga 200 euro në muaj, derisa t’i shpenzojnë krejt paratë.
E, kur kjo shumë është mbi 20.000 euro, përfituesve u ndahen në muaj aq para sa të shpenzohen brenda 100 muajsh – pas kësaj periudhe mbeten me shumën e pensionit të moshës.
Trusti është themeluar në vitin 2002. Vlera e kursimeve aty, deri në shtator të këtij viti, ka arritur në 3 miliardë euro – me mbi 430 mijë llogari aktive.
Numri i përfituesve të pensionit nga viti 2002 deri në fund të vitit 2023 ka qenë rreth 74 mijë. Gjatë vitit 2023, kursimet e tyre kanë nisur t’i tërheqin 7.684 qytetarë.
Sadik Hoxha, arsimtar i pensionuar i Gjeografisë, ka nisur t’i tërheqë kursimet këtë vit. Pas 11 vjetësh punë në një shkollë fillore në Rahovec, ai i ka mbushur 65 vjet shtatorin e vitit të kaluar dhe është pensionuar.
Para nga Trusti, ai do të marrë edhe rreth një vit, pasi ka kursyer rreth 6.000 euro. Pasi t’i përfundojë ato, do të marrë vetëm shumën që i takon me pensionin e moshës. “Ky është diskriminim. Unë, para luftës, nuk kam mundur të punoj, për shkak të rrethanave në atë periudhë. Tash, të mbes me 120 euro në muaj? Kjo nuk mjafton as për gjëra elementare”, thotë Hoxha për “Radion Evropa e Lirë”.
Sipas disa llogaritjeve të bëra nga sektori civil, shumica dërrmuese e pensionistëve i shpenzon mjetet nga Trusti brenda pak vitesh, pa i mbushur 70 vjet. Por, të gjithë duhet t’i shpenzojnë për 100 muaj, apo pak më shumë se 8 vjet. “Praktikisht, në moshën 73 vjeç e 4 muaj, ata marrin pensionin e fundit. Pas kësaj moshe mbeten vetëm me pensionin e moshës, siç e parashikon ligji”, thotë për “Radion Evropa e Lirë” Selatin Kllokoqi, nga organizata joqeveritare Demokracia Plus.
Atdhe Hykolli, udhëheqës i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), thotë se në situatë edhe më të keqe se të pensionuarit nga sektori publik, janë qytetarët që pensionohen nga sektori privat.
Ai thotë se pagat në këtë sektor, kanë qenë dhe janë vazhdimisht më të vogla se në sektorin publik.
Paga mesatare bruto në sektorin privat ka qenë 337 euro në vitin 2012, ndërsa në vitin 2023 ka arritur në 515 euro.
Për më tepër, thotë Hykolli, në vitet e 2000-ta, jo të gjitha bizneset ua kanë paguar punonjësve kontributet pensionale.
Raste të tilla ka edhe sot, sipas tij. “Shteti duhet të ofrojë mbështetje më të drejtë dhe trajtim dinjitoz për këta individë, pasi ata kanë kontribuar në ekonominë dhe buxhetin shtetëror përmes pagesës së taksave”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në Qeverinë e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjes së “REL”-it se a do ta trajtojnë këtë çështje në reformën pensionale, e cila, sipas kryeministrit Albin Kurti, pritet të bëhet “gjatë mandatit të ardhshëm”.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë mbahen më 9 shkurt të vitit 2025.
Në mbledhjen e Qeverisë së tij më 9 tetor, Kurti ka thënë se “finalizimi i reformës pensionale do të sigurojë që ata e ato që kanë kontribuuar më së shumti për këtë vend, ta kenë edhe trajtimin përkatës e të dinjitetshëm”, por nuk ka specifikuar më shumë.
Cila mund të jetë zgjidhja?
Ndryshimet ligjore janë thelbësore për zgjidhjen e këtij problemi, thotë Kllokoqi. “Duhet siguruar që këta persona marrin pension bazuar në stazhin e punës dhe në kontributet e paguara në Trust”, sipas tij.
Reçica thotë, po ashtu, se reforma gjithëpërfshirëse e sistemit pensional është e domosdoshme, “për të siguruar mbrojtje dhe dinjitet për të gjithë pensionistët e ardhshëm”. Qeveria e Kosovës, më 7 tetor, ka marrë vendim për t’i rritur pensionet për 20 për qind.
Deri atëherë, pensioni i moshës ka qenë 100 euro, ndërsa ato kontributpaguese kanë arritur deri në 265 euro.
Ekspertë të ekonomisë tërheqin shpesh vërejtjen se pensionet mbeten tejet të ulëta përballë inflacionit dhe rritjes së çmimeve në vend. “Më vjen të qaj me obligimin e shtetit ndaj meje”, thotë për “Radion Evropa e Lirë” edukatorja e pensionuar, Sevdije Berisha, nga Suhareka.
Me 25 vjet përvojë pune vetëm pas luftës, ajo ka dalë në pension para pesë muajsh dhe tregon se në Trust i ka të kursyera rreth 12.000 euro.
Mjetet e tërhequra nga Trusti
Personat që mbushin 65 vjet mund t’i tërheqin paratë nga Trusti, për arsye invaliditeti. Mjetet mund t’i tërheqin edhe familjarët e atyre që vdesin. Vlera e shpaguar për këto kategori shkon në dhjetëra miliona euro në vit.
Pensionistët që kanë punuar edhe para luftës
Me ligj, secili qytetar i Kosovës që ka punuar 15 vjet para luftës, merr pension kontributpagues, edhe pas shpenzimit të parave nga Trusti. Pensioni kontributpagues, aktualisht, sillet nga 218 deri në 318 euro në muaj, varësisht nivelit të arsimimit.