Pensionistët të pakënaqur me rritjen e pensioneve, kritikojnë Qeverinë
Kosova është një nga vendet me pensionet më të ulëta në rajon, e Qeveria është krenuar që së fundmi i rriti të gjitha kategoritë e tyre për 20 për qind.
Megjithëkëtë rritje, pensionistët që do t’i marrin 20 euro më shumë që nga fillimi i nëntorit, nuk shprehen të kënaqur.
Kjo, sepse siç shpjegojnë ata, këto pensione nuk ua mbulojnë as shpenzimet elementare, siç janë barnat e lërë më të tjerat nevoja për jetesë.
”Veç e kam vajzën në Gjermani e po më ndihmon ajo se nuk ishin dal, senet shumë shtrenjtë. Unë e pensionerë të tjerë duam t’i rrisim, po prej tyre s’ka kurgjo”, ka thënë Tahir Spahiu, pensionist.
Sipas pensionistëve në Mitrovicë të Jugut, megjithëse mirëpritet edhe kjo rritje, shprehen të zhgënjyer që vendimi sipas tyre u mor për qëllime elektorale, rreth 4 muaj para zgjedhjeve të rregullta që mbahen në shkurt të vitit që vjen.
”Mirë që u bë rritja po u bo vonë edhe u bë për interesa të tyre, me ia dhanë votat. Kjo do duhej të bëhej para dy viteve, kur mundet njeri me jetu me 100 euro”, ka thënë Rifat Ahmeti, Pensionist.
“Jo, s’dalin. Marre është vec 100 euro”, ka thënë Fehmi Aliu, pensionist. Me vendimin e fundit, mbi 300.000 pensionistë do të përfitojnë nga rritja.
Pensioni bazik i moshës është rritur në 120 euro. Ndërkaq, pensioni kontributpagues për kategorinë e parë në 218 euro, për të dytën 237 euro, për të tretën 256 euro dhe për kategorinë e katërt 318 euro.
Pos kësaj, nga rritje përfitojnë edhe familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre kurse në skemën e pensioneve përfitojnë edhe personat me nevoja të veçanta./Dukagjini/