Pensionistët thonë se 100 euro s’u dalin as për barna, kërkojnë rritje të pensioneve

25 dhjetor 2023 | 14:11

Pensionistët i kanë mirëpritur 100 eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës, mirëpo disa prej tyre kanë thënë se e kanë të vështirsh që t’ia dalin me pensionet që i marrin, duke kërkuar rritjen e tyre.

Ata janë ankuar se nuk mund të sigurojnë as barnat e lëre më të mendojnë për gjëra të tjera, sidomos këtë vit kur çmimet janë rritur në mënyrë enorme.

Fetije Bislimi, ka falënderuar institucionet për këto shtesa duke thënë se do të ishte mirë që secilin muaj të kenë gjëra të tilla.

“Këto nuk janë kurrgjë, mirëpo duhet me i falënderuar që iu ka ra ndërmend. Me pas qenë për çdo muaj me e pas kështu, mirëpo po thonë vetëm këtë muaj”, ka thënë Bislimi për “EO”.

Bislimi ka thënë se pensionistët kanë nevojë për shtesa të tilla pasi kanë nevoja të ndryshme.

“Unë jam me sëmundje, duart më dridhen, me ecë këmbët më lëshojnë. Jetoj në shtëpi të të moshuarve dhe nuk e kam askënd. Jam vetëm. Pensioni nuk del për barna e lëre më për diçka tjetër”, ka thënë ajo.

Shtesën prej 100 eurove e ka mirëpritur edhe pensionisti, Fetush Morina, i cili ka thënë se qeveria ka bërë nderë të madh duke i gëzuar të moshuarit, të cilat i quajti ndihmë sociale.

Morina ka bërë një krahasim me pensionet e rajonit.

“Faleminderit qeverisë që ka bërë një nderë të madh për këtë Vit të Ri, duke i gëzuar pleqtë, por me 100 çka me bë? E lus shtetin me bërë diçka më shumë se ky nuk është pension”.

“Mali i Zi 450 euro pension me plus 100 euro shtesë i  kish bërë për pensionistë. Edhe për neve me bë diçka se po shkojnë me pikë për të pension”, ka thënë Morina.

Sipas tij, pensioni duhet të jetë mesatare deri në një masë të caktuar, derisa ka shtuar rëndësinë e diasporës në ekonominë e vendit. “ Rroftë diaspora”, ka thënë ai.

 

Në anën tjetër, Hysni Thaçi ka thënë se me rritjen e inflacionit kostoja e jetës ka ndryshuar, duke e quajtur të pamundur përballimin e gjendjes për pensionistët.

“Kostoja e jetës ka ndryshuar, kemi rritje. Është e pamundur përballimi i saj për pensionistë. Unë nuk e kam gjendjen keq, mirëpo po flas për pjesën tjetër, pasi shumica kanë nevojë për gjëra të shumta”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka cituar një thënie të një ekonomisti amerikan sipas së cilit vite më parë në treg është shkuar me para në xhep e është kthyer me shportë plotë, derisa sot ndodh e kundërta. “Është një ekonomist amerikan thotë se përpara kemi shkuar në treg me para në xhep e jemi kthyer me shportën plotë, kurse tash shkojmë më para mirëpo të gjitha përfshihen brenda një qeseje”, ka thënë ai.

Nga janari e deri në korrik të këtij viti, Kosova ka shpenzuar mbi 305 milionë euro në përkrahje financiare për personat e pensionuar dhe për ata që janë në skema të ndryshme sociale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri  i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka kryeministrin Edi Rama…