Pensionohen Ergon Hyseni dhe Behar Bardhi
Kjo fundjavë kaloi me festë dhe momente gëzimi e krenarie në qytetin e Ferizajt. Padyshim se në kujtesën e qytetarëve do të mbeten dy lojtarë që u përshëndetën nga futbolli aktiv. Ergon Hyseni, kundër KF Vushtrrisë e zhvilloi ndeshjen e tij të fundit. Në këtë mënyrë duke i dhënë fund një karriere të pasur dhe me shumë suksese.
“Mbreti i ajrit”, siç njihet në komunitetin sportiv, një jetë të tërë sportive ia kushtoi pothujse FC Ferizajt, duke filluar nga kategoritë e reja të Shkollës së Futbollit “FC Ferizaj”, e duke e përfunduar në një momentum të rëndësishëm, rikthimin në Superligë.
Edhe mbrojtësi tjetër, Behar Bardhi këtë fundjavë u përshëndet nga futbolli aktiv, mes duartrokitjeve frenetike të tifozërisë. Bardhi, një lojtar e mbi të gjitha individ me vlera të larta njerëzore, për shumë vite ka kontribuar për klubin e Ferizajt, duke qenë shtyllë e fortë e mbrojtjes. Ai asnjëherë nuk është larguar nga dëshira për ta ngritur FC Ferizajn në nivele të larta, duke dhënë më të mirën nga vetja për suksesin e klubit.
“Shëndet e shumë suksese Ergon Hyseni e Behar Bardhi, do të mbeteni përjetësisht pjesë e familjes së madhe të FC Ferizaj”, thuhet në postimin e Ferizajt.