Pensionohet De Rossi, do të bëhet trajner
Ish-mesfushori i Romës, Daniele De Rossi dhe përfaqësueses italiane, shpjegoi në një konferencë për shtyp edhe motivet që e çuan në largim, ndërsa falënderoi dhe klubin e fundit, fanellën e të cilit e veshi me krenari.
“Është një ditë e trishtueshme për mua pasi do të doja të luaja edhe 10 vjet të tjerë, por ky është vendim përfundimtar. Nuk kam pasur probleme fizike apo të një natyre tjetër, por dua të afrohem me familjen time. Nuk kam pasur asnjë divergjencë te Boca, madje nuk mendoja se do të doja një ekip kaq shumë pas Romës. Kam pasur fatin të luaj me futbollistë më të mirë në botë”, ka thënë De Rossi.
Ish-kapiteni i Romës largohet nga Boka pas vetëm 5 muajsh dhe premton se e ardhmja e tij do të jetë në bankinë. “Do të vazhdoj të punoj në futboll, por nuk e di ende se çfarë roli do të kem në mënyrë specifike. Fati im është i shënuar. Do të bëhem trajner dhe për këtë do të studioj shumë”, ka shtuar ai. Ditët e fundit është përfolur se Daniele De Rossi do të jetë në hierarkinë drejtuese të Romës, me kalimin e aksioneve te pronarët e rinj.