Pensionohet ish-futbollisti i Barcelonës
U trumbetua me të madhe se do të ishte një nga talentet më premtues të futbollit, por Ibrahim Afellay, nuk arriti të ngrihej kurrë në nivelin e pretenduar.
I pafat edhe për shkak të dëmtimeve, holandezi ka vendosur së fundmi, në moshë 34-vjeçare të varë “këpucët në gozhdë”, duke hequr dorë nga futbolli i luajtur.
Afellay debutoi në vitin 2004 ne PSV-në, teksa më pas bëri transferimin e jetës duke kaluar te Barcelona, por për fat të keq, rezultoi një zhgënjim.
Me katalanasit mesfushori u aktivizua 21 ndeshje ku shënoi vetëm 1 gol. Më pas holandezi u huazua te Schalke dhe Olimpiacos, por pa mundur të lërë gjurmën. Stoke dhe PSV, ishin dy destinacionet e fundit në karrierën e tij.
Prej muajit qershor ishte pa skuadër, teksa tashmë vendosi të tërhiqej përfundimisht. 34-vjeçari arriti të fitonte disa trofe, ndërkohë që regjistroi edhe 53 paraqitje me Kombëtaren A të Holandës.