Pensionohet katër herë futbollisti më i mirë në Kosovë, Mentor Zhdrella

16 shkurt 2023 | 16:12

Katër herë futbollisti më i mirë në Kosovë, Mentor Zhdrella, është pensionuar edhe zyrtarisht nga futbolli.

Mesfushori i talentuar në kohët e fundit është përballur me shumë lëndime, kurse të enjten ka vendosur ta bëjë publik lajmin për tërheqjen nga futbolli.

Ai është shprehur i lumtur me të arriturat që ka pasur në si në aspektin individual ashtu edhe më klubet nëpër të cilat ka luajtur.  “Çdo fillim e ka fundin e vet. Edhe karrierës time si futbollist i erdhi fundi. Ndihem jashtëzakonisht i lumtur sepse kam arritur ëndrrën time për ta luajtur sportin që dua. Ai më dha disa nga momentet më të mira të jetës sime, më ka dhuruar shumë kënaqësi dhe suksese. Ndiej kënaqësi të jashtëzakonshme kur kthej kokën mbrapa dhe shikoj atë çfarë kam bërë në futboll në 20 vitet e kaluara, ku kam bërë shoqëri fantastike dhe shumë trofe të fituara si dhe suksese individuale të arritura”, ka thënë Zhdrella.

Hapat e parë në futboll Zhdrella i nisi në skuadrën e 2 Korrikut nga Prishtina. Ai falënderoi këtë klub që i mundësoi ta jetësojë ëndrrën si futbollist, derisa nuk harroi t’i falënderojë edhe klubet e tjera ku ka luajtur. “Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e karrierës sime, të gjithë trajnerët, klubet ku kam luajtur, të gjithë bashkëlojtarët, fansat, anëtarët e familjes dhe miqtë. I jam gjithmonë mirënjohës klubit të 2 Korrikut, aty ku fillova ta jetësoj ëndrrën. Po ashtu, e paharruar në memorien time, do të mbetet epoka që kam kaluar me Prishtinën, Hysin, Dritën, Feronikelin, Llapin, Dukagjinin e KEK-un si dhe kulminacioni i krenarisë që ishte fanella e kombëtares së Kosovës”, ka shtuar Zhdrella.

Në kohën kur Zhdrella ishte në kulmin e karrierës, futbolli i Kosovës ende nuk ishte i pranuar ndërkombëtarisht dhe kalimi në klubet evropiane ishte më i vështirë, por kjo nuk është asnjë pengesë që Zhdrella ta ketë fituar epitetin e legjendës në futbollin e Kosovës.

 

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duket se lojës “presionuese” mes Luizit dhe Maestros i  erdhi…