Pensionohet kolonel Avdi Raci
Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i Trupave të Mbrojtës së Kosovës (TMK), dhe i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Avdi Raci nga Siqeva e Klinës, sot është pensionuar nga uniforma e FSK-së.
Raci i cili është kolonel i ushtrisë së Kosovës, sot ka mbushur moshën e pensionimit dhe është përshëndetur nga kolegët e uniformës së luftës dhe paqes.
Avdi Raci ishte ndër ushtarët e parë e UÇK-së, që kishte marrë pjesë në beteja kundër policisë dhe ushtrisë serbe, së bashku me shumë bashkëluftëtare tjerë.
Pas sulmit nga forcat serbe në vitit 1991, në familjen Jashari në Prekaz, në familjen e Avdi Racit në Siqevë ka qëndruar për disa ditë komandanti legjendar Adem Jashari me njësitin e tij, vëllain Hamzën, Ilaz Kodrën, Sahit Jasharin, Fadil Kodrën dhe bashkëluftëtar tjerë.
Raci shihet në shumë foto para dhe gjatë luftës me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin, Lahi Brahimajn e shumë bashkëluftëtar tjerë anë e kënd Kosovës.
Për pensionimin e kolonel Avdi Racit, sot ka shkruar nipi i tij Ideal Raci.
Ideali ndihet krenar me axhën e tij për kontributin e dhënë në kohërat më të vështira që i ka kaluar populli shqiptar, por dhe me kontributin e tij të dhënë në shtet ndërtimin e Kosovës.
Njoftimi i plotë i Ideal Naim Racit:
Sot, kur mbyllet një kapitull i rëndësishëm i jetës tënde, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për sakrificat dhe kontributin tënd të palodhshëm ndaj lirisë dhe mbrojtjes së Kosovës. Gjatë shërbimit tënd në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), dhe në Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), ke treguar guxim, vendosmëri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
Puna jote dhe devotshmëria është një shembull frymëzimi për brezat e tanishëm dhe ato që do të vijnë. Qëndresa dhe përkushtimi yt ndaj vlerave të lirisë, drejtësisë dhe paqes janë pasuri të çmuara për kombin tonë. Ato tregojnë rrugën për një të ardhme më të ndritur dhe më të sigurt për Kosovën.
Ndërsa kalon në kapitullin e ri të jetës si pensionist, të uroj shëndet, lumturi dhe kohë të mjaftueshme për të marrë frymë dhe për të shijuar frytet e punës tënde.
Krenar me ty,
Kolonel Avdi Raci