Pensionohet komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së
Në ambientet e kazermës “Evropianët e Rinj” në Pomozotin është mbajtur të mërkurën ceremonia zyrtare, me rastin e pensionimit të komandantit të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral brigade Naim Haziri.
Në ceremoninë e pensionimit, në mesin e të pranishmëve ishin ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Enver Cikaqi, gjeneralë, oficerë e nënoficerë të FSK-së, ministra, deputetë, bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë, si dhe miq e familjarë të gjeneral Hazirit.
Me këtë rast, ministri Maqedonci, ka folur për kontributin e gjeneral Hazirit, të dhënë ndër vite.
“Ne sot nuk mund t’ia shtrëngojmë dorën heroit Zahir Pajaziti, por kemi mundësi që të t’ia shtrëngojmë dorën bashkëluftëtarit, shokut të idealit të Zahirit, gjeneral Naim Hazirit”, ka thënë Maqedonci.
Për punën, përkushtimin dhe angazhimin për shtetndërtim të gjeneral Hazirit, ka folur edhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, i cili ndër tjerash ka theksuar: “gjeneral Haziri është shembulli më i mirë i angazhimit të pakursyer mbi tri dekada, që nga UÇK-ja, TMK-ja dhe FSK-ja, në ngritjen dhe avancimin institucioneve të sigurisë në vend”.
Ndërsa gjeneralbrigade Naim Haziri në fjalimin e tij, ka falënderuar të gjithë të pranishmit në ceremoni dhe gjithë ata që kishte mundësi të punonte përgjatë 32 viteve shërbim në rrugën për çlirim dhe shtetndërtim.