
Pensionohet luftëtari i Njësisë Speciale Operative të Shalës, Vllaznim Zahiti – Llaza
Pas 27 viteve shërbim në uniform, një nga figurat e shquara të luftës dhe mbrojtjes së atdheut, Vllaznim Zahiti – Llaza është pensionuar.
Që në moshë të re, ai u radhit me guxim e dinjitet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ishte pjesë e njësisë speciale në udhëheqje të Bekim Shytit.
Vllaznimi ishte një nga luftëtarët e dalluar ku si trajner i karatesë i stërviti ushtarët tjerë të kësaj njësie duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e vendit tonë.
Pas luftës, ai vazhdoi me përkushtim të shërbejë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe më pas në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku me profesionalizëm dhe përkushtim dha kontribut të çmuar për ndërtimin dhe zhvillimin e institucioneve të sigurisë, dhe pensionohet në gradën Rreshter Master.
Shokët e tij të Njësisë Speciale të Zonës Operative të Shalës i kanë ndarë një mirënjohje për kontributin e dhënë ndër vite për çlirimin e Kosovës dhe shtetndërtimin.
“Sot, teksa ai mbyll një kapitull të rëndësishëm të jetës së tij, e falënderojmë për sakrificën, guximin dhe shërbimin e palodhshëm ndaj atdheut. Shembulli i tij do të mbetet i paharruar për brezat e ardhshëm. Respekt dhe mirënjohje e përjetshme!”, thuhet në urimin e shokëve të Njësisë Speciale të ZOSh-së.