Pensionohet portieri Julio Cesar
Ish-portieri i Interit dhe Brazilit, Julio Cesar, i ka thënë zyrtarisht lamtumirë futbollit, teksa të shtunën në mbrëmjen ka luajtur edhe sfidën e fundit me Flamengon. Ai ishte titullar përballë Amerika Mineiro, në sfidën që fitoi 2-0.
Ai vari këpucët në gozhdë në moshën 38-vjeçare, me klubin që u bë i njohur në Brazil, nga i cili u largua edhe për në Evropë, ku pati një karrierë fantastike. Braziliani ka bërë mbi 200 paraqitje me Interin, për 7 sezone ku luajti, ndërsa ka fituar 5 herë Serinë A, tri herë Kupën e Italisë, si dhe një herë Ligën e Kampionëve në vitin 2010, nën drejtimin e Jose Mourinhos. Në takimin e fundit, ai u duk i përlotur dhe deklaroi: “Kam qarë shumë gjatë kësaj jave, por isha i përgatitur për këtë ditë. U ktheva tek Flamengo me një synim të qartë në kokë. Kisha shumë emocione dhe i thashë lamtumirë futbollit. Shpresoj të kem lënë një trashëgimi pozitive tek njerëzit me të cilët kam jetuar. Çfarë do bëj tani? Do qëndroj pranë familjes sime, pranë mamasë. Falënderimet e tifozëve ishin fantastike. Është e papërshkrueshme, më mbetet vetëm t’i falënderoj”.