Pensionohet profesori i Juridikut, Arsim Bajrami

19 mars 2025 | 10:38

Akademik Arsim Bajrami, sot feston ditëlindjen e e tij të 65-të. Me këtë rast ai ka njoftuar se është pensionuar. Bajrami, është profesor i njohur në fushën juridike.

Ai ishte pjesë e gjitha proceseve shtetformuese të Republikës së Kosovës.

Krahas punës akademike, ishte aktiv edhe në jetën politike duke marrë pjesë në negociatat në Rambuje për lirinë e Kosovës, negociatat e Vjenës për pavarësinë e Kosovës dhe duke qenë hartues dhe i të gjitha akteve kushtetuese nga viti 1990 e deri më sot.

Arsim Bajrami, gjatë karrierës se tij ka qenë edhe bartës i shumë funksioneve publike politike.

Ishte deputet i zgjedhur në pesë mandate dhe ministër i qeverisë së Kosovës në dy mandate, Ministër i Administratës Publike dhe Ministër i Arsimit.

Ai ishte edhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar një status ku ka falënderuar studentët dhe familjen e tij për mbështetje gjatë karrierës së tij.

“Sot është Ditëlindja ime e 65-të dhe njëkohësisht dita e pensionimit tim. Jam krenar dhe ndihem i lumtur që për 45 vjet (1979-2025) kam qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës, si student, profesor, senator, anëtar i Këshillit Drejtues, prorektor dhe rektor. Tani, kur po pensionohem, dëshiroj t’i shpreh falënderimet e mia dhjetëra mijëra studentëve, juristëve dhe magjistrave të diplomuar, 38 doktorantëve që kam mentoruar dhe 12 asistentëve që kam ngritur dhe pavarësuar në ngritjen akademike. Po ashtu, shpreh falënderimet e sinqerta edhe për të gjithë kolegët e Fakultetit Juridik dhe Departamentit të Shkencave Politike”.

Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe rolin e tij akademik.

“Në aspektin akademik kam realizuar misionin tim, duke qenë anëtar i rregullt-Akademik i tri akademive (2012 anëtar i ASHAK, 2015 anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (EASA) dhe nga 2024 anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH)).
Për punen akademike e shkencore dhe shërbimin në shtetëndërtimin e Kosovës jamë shpërblyer me shumë çmime , dekorata e mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare. Falenderoj familjen time, nënen dhe bashkëshorten e ndjerë , kolegët, studentët dhe të gjithë miqtë e mi që më mbështetën në këtë rrugëtim”, ka shkruar Bajrami.

Njoftimi i plotë:

DITËLINDJA DHE PENSIONIMI

Sot, në ditëlindjen time të 65-të, përmbyll edhe një kapitull të rëndësishëm të jetës sime profesionale: pensionimin. Ndihem krenar dhe i lumtur që për 45 vjet (1979-2025) kam qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës, duke shërbyer si student, profesor, senator, anëtar i Këshillit Drejtues, prorektor dhe rektor.

Në këtë moment të veçantë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për dhjetëra mijëra studentë, juristë e magjistra të diplomuar, për 38 doktorantët që kam pasur nderin të mentoroj, si dhe për 12 asistentët që kam mbështetur dhe udhëhequr drejt ngritjes akademike. Një falënderim i veçantë u takon kolegëve të mi në Fakultetin Juridik dhe Departamentin e Shkencave Politike, me të cilët kam ndarë këtë rrugëtim të gjatë dhe sfidues.

Përveç angazhimit tim akademik, për tri dekada (1990-2017) kam pasur privilegjin t’i shërbej vendit tim në procese të rëndësishme shtetformuese. Kam qenë pjesëmarrës në negociatat e Rambujesë për lirinë e Kosovës dhe në negociatat e Vjenës për pavarësinë e saj. Kam kontribuar në hartimin e të gjitha akteve kushtetuese nga viti 1990 e deri më sot, si dhe kam pasur nderin të jem nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, kam qenë themelues i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe hartues i dhjetëra ligjeve të Republikës së Kosovës.

Karriera ime politike përfshin pesë mandate si deputet i zgjedhur dhe dy mandate si ministër në Qeverinë e Kosovës: Ministër i Administratës Publike (2007-2010) dhe Ministër i Arsimit (2014-2017).

Në aspektin akademik, kam pasur nderin të jem anëtar i tri akademive: Akademik i rregullt i ASHAK (që nga viti 2012), anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (EASA) (që nga viti 2015), dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) (që nga viti 2024).

Për kontributin tim akademik, shkencor dhe shtetndërtues, jam nderuar me çmime, dekorata dhe mirënjohje të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në këtë ditë të veçantë, falënderoj nga zemra familjen time, nënën dhe bashkëshorten e ndjerë, kolegët, studentët dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim të gjatë. Mirënjohje përjetë për të gjithë ju!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dmitry Medvedev, ish-presidenti i Rusisë, është tallur me Ukrainën pas…