Pensionohet rekordmeni Fitim Haliti

23 korrik 2019 | 16:15

Rekordmeni i futbollit të Kosovës, Fitim Haliti, që ka shënuar 42 gola brenda një kampionati, ka vendosur të pensionohet nga loja e futbollit. Një gjë të tillë 37-vjeçari po e bën pasi arriti synimin e madh për ta ndihmuar skuadrën e Dukagjinit të inkuadrohet në Superligë.

Rekordmeni i futbollit të Kosovës, Fitim Haliti, i ka qëndruar pas deklaratës që kishte dhënë në muajin janar për “Epokën e re”, se do ta ndihmojë skuadrën e Dukagjinit të Klinës të inkuadrohet në Superligë e më pas të pensionohet. Haliti, i cili ka djersitur shumë fanella të klubeve në Kosovë, ka konfirmuar të hënën se karriera e tij si futbollist ka përfunduar.

“Ashtu siç kam paralajmëruar edhe do të ndodhë, pra do të pensionohem. Sikurse të gjithë futbollistët në botë, edhe unë kisha ëndërr që klubin e zemrës ta ndihmojë për t’u inkuadruar në rangun më të lartë të futbollit. Pasi kjo u arrit kam vendosur t’i them lamtumirë lojës së futbollit”, ka thënë Haliti, i cili krenohet me sukseset që ka shijuar gjatë kohës si futbollist.

Fotografia e Fitim Haliti

“Karriera ime ka qenë shumë interesante. Kam luajtur në shumë klube dhe sukseset kanë qenë të jashtëzakonshme, për të mos thënë të paarritshme. Kam fituar tri herë titullin e kampionit me Besën e Pejës, dy herë Superkupën, derisa me Feronikelin dhe Dukagjinin jemi inkuadruar nga Liga e Parë në Superligë. Në aspektin personal kam rekordin që brenda një kampionati kam shënuar 42 gola, të cilën askush nuk e ka arritur në Kosovë”, ka deklaruar ai. Haliti, i cili në opinion njihet me nofkën “Aqareva”, karrierën futbollistike e nisi në moshën 16-vjeçare në skuadrën e Dukagjinit në të cilën edhe e mbylli karrierën, ndërsa ka luajtur edhe për Shqiponjën e Pejës, Drenicën, Feronikelin, Besën e Pejës, Prishtinën dhe Besën e Kavajës. “Falënderoj trajnerët që kam punuar, bashkëlojtarët, klubet ku kam luajtur dhe të gjithë tifozët, në veçanti ‘Hithat’ e Dukagjinit”, ka shtuar ai. Haliti ka bërë me dije se drejtori i klubit, Fabian Veselaj dhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, do t’ia organizojnë një ndeshje lamtumirëse.

E ardhmja në futboll

Futbollisti legjendar i Dukagjinit, Fitim Haliti, edhe pse ka vendosur të pensionohet nga loja e futbollit, është i vendosur të mos i ndahet kësaj loje, kurse në të ardhmen e sheh veten si trajner. “Nga sporti, konkretisht futbolli, nuk do të ik asnjëherë, sepse gjithë jetën ia kam kushtuar kësaj loje. Fillimisht do të ushtroj me fëmijët e rinj në skuadrën e Dukagjinit, më pas do t’i ndjek kurset për trajner. Përvojën time si futbollist do të përpiqem ta bart te gjeneratat e reja, pasi e ardhmja e futbollit është pikërisht te këto gjenerata”, ka thënë Haliti.

Haxhi Zeka, lojtari më i mirë në Kosovë

Fitim Haliti ka pasur një karrierë të pasur futbiollistike dhe ka luajtur me shumë futbollistë, por e ka veçuar Haxhi Zekën si më të mirin në futbollin e pasluftës. “Ka shumë lojtarë të mirë që kanë luajtur në Kosovë që prej përfundimit të luftës por, për mendimin tim, është Haxhi Zeka më i miri. Mëkat që ai dhe shumë të tjera nuk e kanë pasur mundësinë që të luajnë në Evropë, sepse cilësitë i kanë pasur. Zeka është më meritori për rekordin që e kam arritur në futbollin e Kosovës, sepse shumicën e golave i kam shënuar pas asistimeve të tij”, ka deklaruar ai.

Haliti ka treguar edhe për pengun më të madh në karrierë si futbollist: “Normalisht se në kohën kur isha në formën më të mirë, futbolli i Kosovës nuk ishte i pranuar në UEFA dhe FIFA dhe kjo më pengoi të luaj në Evropë, ashtu siç ua mohoi të drejtën edhe shumë e shumë gjeneratave të tjera”.

Fotografia e KF Dukagjini

Fotografia e Liridon Syla

Fotografia e Sanel Bandic

Fotografia e Fitim Haliti

Fotografia e Fitim Haliti

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, dhe kryetari i grupit…