Pentagoni dërgon trupa shtesë në Lindjen e Mesme mes rritjes së frikës së zgjerimit të luftës

24 shtator 2024 | 08:42

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një numër të vogël trupash shtesë në Lindjen e Mesme pas intensifikimit të luftimeve mes Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut në Liban, tha zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Ryder.

Ryder nuk dha hollësi të tjera mbi numrin e forcave apo rolin e tyre në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan i tha Zërit të Amerikës se mund të bëhet fjalë për dhjetëra trupa dhe detyra e tyre kryesore do të jetë përgatitja për një evakuim të mundshëm të qytetarëve amerikanë, nëse do të shpërthente një luftë më e madhe rajonale.

Një zyrtar tjetër amerikan theksoi se situata nuk ka arritur ende në pikën kur një evakuim me ndihmën e ushtrisë i shtetasve amerikanë nga rajoni është i nevojshëm.

Nëse nevojitet mund të përdoret një kontingjent i marinsave amerikanë, që tashmë ndodhet atje dhe mund të realizojë këtë detyrë, tha tutje një tjetër zyrtar.

Ryder u tha gazetarëve se Pentagoni është një “organizatë planifikuese” që është e përgatitur për “një numër të madh të rastësive”, nëse kërkohet ndihma e ushtrisë amerikane.

“Ne kemi prani më të madhe në rajon sot se sa më 14 prill, kur Irani kreu sulmin e tij me dron dhe raketa kundër Izraelit”, tha ai, raporton VOA.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmet izraelite të hënën në Liban vranë më shumë se…