Pentagoni shënon 20-vjetorin e fushatës së NATO-s në Kosovë (Video)
Me një ceremoni në Pentagon është përkujtuar 20-vjetori i fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë.
Zyrtarë të lartë të Pentagonit kanë folur për rëndësinë e jashtëzakonshme të asaj fushate ajrore, ndërsa dëshmitarë të luftës kujtuan dhimbjet e tyre personale, shkruan “VOA”.
Gjenerali me katër yje, Dave Goldfein ishte një pilot i thjeshtë që drejtonte një avion “F-16”, dy dekada me parë kur forcat e NATO-s nisën goditjen e shënjestrave në Serbi.
Sot ai është shef i shtabit të forcave ajrore amerikane dhe një nga gjeneralët kryesorë të Pentagonit.
“Ne shkojmë në luftë për të mbrojtur vlerat tona. Ne nuk duam luftë por kur kauza është e drejtë, ne mbrojmë vlerat tona. Kosova është shembulli i fitores të së mirës mbi të keqen. Jam shumë i lumtur që, falë ndërhyrjes së NATO-s, njerëzit patën një shans për të ardhmen. Jam shumë krenar për atë që arritëm”, ka thënë gjenerali Dave Goldfein.
“Ne qëndrojmë me popullin e Kosovës sot, ashtu siç qëndruam 20 vjet më pare”, ka shtuar gjenerali Goldfein.
Muharrem Alijaj ka treguar se ishte vetëm 13 vjeç kur humbi të motrën. Ai do të mbahet mend gjithmonë si djali me këmishë të verdhë që u shpëtua nga forcat e NATO-s, ka shkruar “Zëri i Amerikës”.
“Jemi mirënjohës si popull i Kosovës që na ndihmuan dhe që na sollën në liri,” është shprehur ai.
Ceremonia është mbyllur me inaugurimin e një pllakate kushtuar 20-vjetorit të fushatës së NATO-s në Kosovë.
Pllakati i vendosur në njërin prej korridoreve të Pentagonit do të qëndrojë aty përgjithmonë, në kujtim të Operacionit Forca Aleate, siç u quajt fushata ajrore e NATO-s e udhëhequr nga SHBA në Ballkan.