![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/04/4-penza-bashkimi.jpg)
Penza dhe Bashkimi në kërkim të finales
Sot (e mërkurë) zhvillohet ndeshja e tretë gjysmëfinale e “play-off”-it në Superligën e Femrave në mes të Penzës dhe Bashkimit.
Në këtë takim do të përcaktohet se kush do të kualifikohet në finale. Sfida zhvillohet me fillim nga ora 20:30 dhe do të transmetohet në Art Motion dhe Kujtesa. Në dy takimet e mëparshme në “play-off” të dyja skuadrat shënuan nga një fitore ndaj njëra-tjetrës si mysafire.
Në Pejë triumfuan vashat e Bashkimit me rezultat 61:76, ndërsa në Therandë fituan vashat pejane me shifrat 68:82. Skuadra pejane kishte përfunduar garat e rregullta në pozitën e dytë me 15 fitore e pesë humbje, kurse ajo prizrenase e treta me 12 fitore e tetë humbje. Prizrenaset, pas Kupës, duan edhe titullin kampion, kurse pejanet për ta mbrojtur titullin e fituar në edicionin e kaluar.
Skuadra që kualifikohet në finale do të përballet me Prishtinën që eliminoi Trepçën dhe në “play-off” do ta ketë përparësinë e fushës vendase, pasi në garat e rregullta kishte 20 fitore në 20 ndeshje. Skuadra që shënon tri fitore shpallet kampione.