Për 10 muaj janë raportuar 63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve kundër gazetarëve dhe medieve
Sipas Asociacionit të Gazetarëve në Kosovë për 10 muaj janë raportuar gjithsej 63 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e medieve.
AGK-ja thotë se në këto 63 raste të raportuara, 30 raste janë shënuar përgjatë raportimit të gazetarëve dhe medieve në veriun e vendit, teksa pjesa tjetër e rasteve është raportuar nga terrene e raportime të tjera të ndryshme.
Vetëm për katër (4), prej rasteve të raportuar në organizatë dhe Policinë e Kosovës, ka filluar procedurë gjyqësore, ku sulmuesit/ve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Komunat që prijnë me më së shumti raste të sulmeve dhe kërcënimeve të raportuara janë Prishtina me 22 raste, Zveçani dhe Leposaviqi me nga 13 raste. Teksa, komunat e tjera që janë raportuar rastet janë: Gjakova – 2 raste, Prizreni – 4 raste, Mitrovicë e Veriut – 1 rast, Fushë Kosova – 1 rast, Shtime – 3 raste, Kamenica -1 rast dhe Zubin Potoku – 2 raste.
Për të rritur ndërgjegjësimin e rëndësisë së ndëshkimit të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve e mediave, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nesër më 2 Nëntor – Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, do ta shënojë nëpërmjet një kampanje online duke publikuar qëndrimet e ambasadorëve, partnerëve, kolegëve gazetarë, si dhe juristëve të medias.