Për 10 muaj, Osmani shpenzoi nga buxheti i shtetit rreth 33 mijë euro
Hiq më pak se 32 699 49 euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit shpenzimet e presidentes Vjosa Osmani vetëm për bileta të aeroplanit, për akomodim dhe karburant për vetura.
Këto shpenzime kapin periudhën nga janari e deri më 20 tetor të këtij viti. Shpenzimet janë siguruar pas kërkesës për qasje në dokumente publike në zyrën e presidentes.
Ku ka shpenzuar më shumë e ku më pak presidentja Osmani?
Shpenzimet më të mëdha nga presidentja Osmani gjatë kësaj periudhe janë bërë për akomodim gjatë udhëtimeve jashtë vendit.
Vetëm për akomodim presidentja Osmani ka shpenzuar 14 241 72 euro. Ndërsa, 12 503 64 euro e para e shtetit ka shpenzuar për avio-bileta. Kurse për karburant për vetura gjatë periudhës janar-20 tetor 2023 janë shpenzuar gjithsej 5 954.13 euro.
Më 10 e 11 tetor presidentja Osmani ishte për vizitë zyrtare në Kroaci. Ajo atje është takuar me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Përpos tij, Osmani kishte takim edhe me kryeparlamentarin dhe kryeministrin e Kroacisë.
Më 5 tetor, presidentja Osmani ka marrë pjesë në Samitin e tretë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Granada, Spanjë.
Më 17 shtator për disa ditë presidentja Osmani ka qëndruar për vizitë zyrtare në Nju-Jork.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë periudhës janar-tetor ka pasur edhe vizita të tjera zyrtare jashtë vendit.
Sa para u shpenzuan për dreka e darka zyrtare nga kabineti i Presidentes nga janari deri më 20 tetor të këtij viti?
Rreth 7 mijë euro ka shpenzuar kabineti i Presidentes për dreka e darka zyrtare nga janari e deri më 20 tetor të këtij viti.
Nga zyra e presidentes kanë thënë për “Front Online” se drekat dhe darkat zyrtare janë të institucionit dhe se presidentja nuk ka shpenzime vetëm të saj.
“Presidentja nuk ka shpenzime vetëm të sajat për dreka dhe darka zyrtare, sepse të gjitha drekat dhe darkat janë të institucionit(e jo shpenzime individuale)- pra, marrin pjesë një numër i zyrtarëve institucional, anëtarë të kabinetit dhe të ftuar të shteteve të tjera. Prandaj, shuma totale e shpenzuar për dreka dhe darka zyrtare nga kabineti i presidentes është si vijon: 6 851 20 euro”, është thënë në përgjigjen e presidencës.