Për 100-vjetor edhe të vdekurit në Vlorë!
Rrëfim në vetën e parë
Bedri Zyberaj
I.
Më 28 Nëntor 2012 Shqipëria do ta shënonte 100-vjetorin e ekzistencës së vet shtet. Pra, do të ishte vit jubilar. Jubilar, jo dosido, por i veçantë.
28 Nëntori i vitit 2012 për shumëçka do të ishte i veçantë dhe nuk do të ishte si vitet e tjera jubilare që kishin kaluar deri në këtë kohë.
E para se, ndryshe nga jubiletë e tjera që ishin jubile dekadash, ky ishte jubile shekullor.
E dyta, përveç që po shekullonte shtetin shqiptar për nga mosha, ky vit jubilar do të shënohej dhe festohej në rrethana krejt të reja politike të këtij shteti me veten, me kombin të cilit i përket dhe faktorin ndërkombëtar, respektivisht me një kontekst të ri politik ndërkombëtar, në të cilin po frymonte ai (shteti) dhe kombi shqiptar.
E treta, ky jubile do të ishte shënjues edhe i një avancimi cilësor për kombin shqiptar, sepse 100 vjet pas krijimit të Shqipërisë së “mosvarme”, në saje të një lufte të pareshtur të atdhetarizmit shqiptar, katër vjet më parë, saktësisht më 17 shkurt 2008, kishte shpallur pavarësinë edhe një shtet tjetër, fryt i idesë fillestare të Rilindjes Kombëtare Shqiptare për liri dhe bashkim kombëtar. E thënë shkurt, fryt i atdhetarizmit shqiptar. Ky shtet ishte Republika e Kosovës.
E katërta, shqiptarët dhe tokat e tyre që pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 2012, e sidomos pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), padrejtësisht kishin ngelur jashtë kufijve të këtij shteti dhe që pothuaj gjatë gjithë kësaj kohe njëqindvjeçare kishin qenë të privuar nga liria dhe e drejta për ta festuar këtë festë së bashku, tani do ta kishin mundësinë që në këtë përvjetor të jenë tok. Tok në Vlorë apo dhe diku tjetër.
Ka dhe disa aspekte të tjera që do të mund të numëroheshin në vargun e të veçantave të tjera të këtij jubileu, por unë nuk po e zgjas më shumë.
28 Nëntori, për shqiptarët që ishin shkëputur dhe qenë të detyruar të jetonin jashtë kufijve politikë të shtetit të tyre amë – Shqipërisë, paraqiste një ndjeshmëri të veçantë, sepse ai, përveç që shënonte një ngjarje të rëndësisë së veçantë të kohës së re, si në asnjë rast tjetër të kombeve dhe shteteve të Evropës, me sa di unë, ndërlidhej edhe me një të kaluar, tanimë të largët, me 28 Nëntorin e vitit 1443, të kthimit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Krujë.
Duke sintetizuar këto dy ngjarje të viteve 1443 dhe 1912, 28 Nëntori, përgjatë këtij shekulli (shek. XX), ishte data më e rëndësishme që shënonte ngjarjen më të madhe të historisë së re të shqiptarëve, nga e cila do të rezultojë pothuaj gjithë historia e mëvonshme, jo vetëm e Republikës së Shqipërisë, por edhe e të gjitha trojeve etnike shqiptare të cilat kishin ngelur jashtë kufijve të kësaj Republike.
28 Nëntori shënonte ngjarje të mëdha të historisë së shqiptarëve, por edhe prodhonte të tilla.
Në këtë datë të vitit 1997 do të dilte në skenë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila me luftën e saj do t’ia ndryshonte rrjedhat historike jo vetëm kombit tonë, por dhe përtej tij.
Po kaq e rëndësishme, sa vetë ditët që ka shënuar kjo datë (28.XI.1443, 28.XI.1912 dhe 28.XI.1997), në kohën e re, gjatë kësaj periudhe prej një shekulli, erdhi dhe u shndërrua dhe vendi, respektivisht qyteti në të cilën kishte ndodhur 28 Nëntori i vitit 1912 – Vlora.
Palca e kombit gjatë kësaj periudhe kishte mbrujtur një ndjeshmëri dhe dashuri të veçantë për këtë qytet, te shumica e shqiptarëve (brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë politike) të të gjithë brezave, që prej 1912-s e këtej.
Pjesë të kombit të cilat kishin ngelur jashtë kufijve të Shqipërisë, gjatë, shumë gjatë, kishin qenë të privuar nga e drejta për ta festuar 28 Nëntorin, ashtu siç e ndienin dhe siç ua donte shpirti.
Peshën e privimit nga e drejta për ta festuar këtë datë të rëndësisë së veçantë kombëtare të historisë së shqiptarëve, deri më 1999, kur përfundoi lufta e UÇK-së, e kisha ndier mbi supet e mia edhe unë që prej kur isha fëmijë.
Mbaj mend, që kur isha në moshën pesë vjeçe, babai im Bajram Zyberaj (06.03.1936-26.1.2001) më 1968 vendosi flamurin tonë kombëtar në njërën nga dritaret e shtëpisë sonë të vjetër. Kjo gjë kishte tejkaluar kufijtë e oborrit tonë dhe ishte bërë temë diskutimi te disa individë të fshatit tonë, të cilët, për ta dëshmuar lojalitetin dhe devotshmërinë ndaj shtetit e pushtetit të Jugosllavisë, në dyqanin e fshatit, e paskëshin debatuar dhe paskëshin pas folur edhe për idenë që të vijnë në shtëpinë tonë t’ia hiqnin flamurin kombëtar shqiptar babait tim.[1] Unë, siç thashë, isha fëmijë, dhe nga ajo kohë ruaj vetëm ca imazhe të turbullta, por këto që i thashë më parë i kuptova dhe i mësova më vonë nga ai (babai im). Që prej asaj kohe flamuri dhe 28 Nëntori te ne ishin dy gjëra të veçanta me peshë dhe përmbajtje të veçantë si asnjë datë dhe rekuizitë tjetër.
Me kalimin e kohës, krahas me rritjen time, dashurinë për flamurin tonë kombëtar, për 28 Nëntorin si Ditë të Flamurit dhe Vlorën, si vendi ku ishte ngritur ai flamur (flamuri kombëtar shqiptar)nga Ismail Qemali, gradualisht filloi të ma ushqente babai. Kjo bëri që të ngjallej dhe të shtohej vazhdimisht e paralelisht me rriten time edhe interesimi im për të vërtetën historike dhe çdo gjë tjetër që kishte të bënte me këtë flamur, me këtë datë dhe me qytetin e Vlorës. Edhe burimet e informacionit, në krahasim me të kaluarën, kishin zënë të rriteshin, dhe kështu, ndryshe nga brezat e mëparshëm, unë dhe gjenerata ime kishim mundësi që kureshtjen tonë për këtë datë dhe qytetin e Vlorës ta plotësonim me literaturë të shumtë historike, letrare, publicistike e sidomos përmes informacionit që jepte RTVSh-ja që nga viti 1974, kur me transmetimet e tij filloi ta mbulonte hapësirën gjeografike shqiptare të këtej Drinit, siç do të thoshte Lasgush Poradeci.
Kësisoj, tek unë, por edhe të shumë të tjerë para meje, erdhi dhe lëshoi shtat e u forcua lidhja emocionale me qytetin historik të Vlorës, në të cilin ëndërronim të venim një herë e ta festonim atë ditë për të cilën ky qytet na ishte bërë shënjues i një atdhetarizmi të veçantë. Tregues i kësaj lidhjeje të veçantë shpirtërore me qytetin e Vlorës është edhe fakti që, në këtë kohë, një numër i madh vajzash që lindnin zunë të pagëzoheshin me emrin e këtij qyteti- Vlorë.
Megjithatë, ndarja e hekurt afër njëshekullore, brezave të shumë të shqiptarëve të trojeve etnike që kishin ngelur jashtë kufijve politikë të shtetit amë – Shqipërisë, ua kishte pamundësuar të përmbushnin dëshirën e tyre që, të paktën, një herë të shkonin në Vlorë.
Me shpresën për ta parë një herë Vlorën, dhe me dashurinë për të, shumica sosh, deri më 1999, kur Kosova u çlirua nga okupimi serb, e kishin përmbyllur jetën e vet pa pasur mundësi që një herë të shkonin në atë qytet i cili, në ndjeshmërinë dhe atdhedashurinë e tyre kishte fituar një dimension shënjues të veçantë shpirtëror. Në atë botë ata kishin shkuar me sy çelë, ngaqë nuk kishin pasur mundësi ta vizitonin Vlorën e flamurit tonë. Këtu bënin pjesë njerëz të të gjitha shtresave e moshave. Një fat i tillë e kishte përcjell edhe një numër pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (tani dëshmorë dhe heronj të kësaj lufte), të cilët ishin flijuar për atdheun të nxitur pikërisht nga zjarri i patriotizmit që rrezatonin binomi: Flamuri kombëtar – Vlora historike.
Në një vorbull të tillë zjarrmie po përpëlitesha dhe unë, derisa nuk erdhi çlirimi i Kosovës më 1999.
II.
Unë kureshtjen time e shova në prill të vitit 2003 kur vajta në Vlorë së bashku me Shemsi Sylën dhe Misin Vocin, të shoqëruar nga kolonel Sulejman Abazi, nënkolonel Afrim Imaj, Pano Hallko dhe një tjetër punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Aty pata rast dhe u njohëm me Qemal Hallkon, vëllain e Panos, oficer i Marinës detare, me të cilin, më vonë, jo vetëm që i forcuam lidhjet, por ato i ruajmë edhe sot e kësaj dite.
Deri më 2012 në Vlorë vajta disa herë. Por këtë vit ishte 100-vjetori i një ngjarjeje të veçantë të cilën nuk duhej ta linim të na ikte.
Diku në fillim të nëntorit të këtij viti me familjen time (bashkëshorten – Naxhijen, motrën më të vogël nga motrat – Teutën, vajzat: Jonilën, Orgetën dhe Elsën dhe nusen e djalit – Qëndresën) vendosëm që për 28 Nëntor 2012,të shkonim në Vlorë për ta festuar 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Për këtë vendim tonin i tregova nipit Misinit dhe i propozova që të vinte dhe ai me familje. Përgjigjja e tij ishte pozitive dhe e menjëhershme. Për raste të tilla, Misinin e kisha përherë pushkë të mbushur.
E thirra në telefon Qemalin në Vlorë dhe i dhashë porosinë që të na rezervonte shtëpinë për akomodim, sepse isha i sigurt që numri i atyre që do të shkonin në Vlorë do të ishte shumë i madh dhe do të kishte vështirësi për vendosje në hotele. Edhe Qemali, si gjithherë, pushkë e mbushur.
Pasi vendosëm që ne të gjallët e familjes sime 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ta festonim në Vlorë, për disa ditë zuri të më mundonte një lloj makthi që më shfaqej si një zbrazësi torturuese, që nuk do të ishte me ne dhe babai im.
Fakti që në këtë 100-Vjetor do të ishim atje, në Vlorë, ne trashëgimtarët e tij, nuk më mjaftonte për ta përmbushur atë vakum që më diktonte mungesa e tij dhe nuk ishte arsye e mjaftueshme për të më ngushëlluar.
Në vete bluaja mendime nga më të ndryshmet dhe me ditë të tëra risillja në kujtesë copëra të jetës së tij dhe të të gjithë familjes që në një formë ose në një tjetër, ndërlidheshin me datën e 28 Nëntorit.
Pavarësisht që kohën e luftës e kishte mbijetuar, për të shkuar këtë vit në Vlorë, babait ia kishte pamundësuar vdekja e parakohshme që i kishte ardhur si pasojë e luftës[2]. Isha i vetëdijshëm se si puna e tij kishte dhe shumë të tjerë, që ishin ndarë nga kjo jetë me mallin e pashuar për ta parë një herë Vlorën.
Në këtë gjendje angështie e kujtoja dhe xhaxhanë tim, Jonuz Zyberaj (01.05.1950- 14.07.2007), i cili, po ashtu, kishte vdekur në moshën 57 vjeçe, në kohën kur unë isha në burg.[3] Edhe ky, tani ishte njëri nga ata.
Por, kujtesa për xhaxhanë më solli në mendje diçka shpirtërore që kishte bërë ai, për të vëllanë e tij e babanë tim.
Në vitin 2001, kur më 28 Nëntor u soll dhe u vendos monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Prishtinë, xhaxhai, duke e ditur dashurinë e madh të babit tim – Bajramit, për heroin tonë kombëtar, atë ditë kishte bërë një veprim shpirtëror. Ai jetonte në fshat, dhe atë ditë (28 Nëntor 2001), Jonuzi, që unë e thërrisja baca Nuz, kishte shkuar dhe kishte marrë dhè mbi varrin e tim ati dhe e kishte sjell pranë monumentit të Skënderbeut që sot është i vendosur në Prishtinë.
Rikujtimi i këtij akti më çliroi nga ajo angështi mbytëse që më kishte pllakosur zemër dhe shpirt gjatë atyre ditëve kur e patëm ndarë mendjen që 100-vjetorin e Pavarësisë ta festonim në Vlorë, ku me ne nuk do të ishte babai.
– E gjeta! – thashë me vete. Do të marr me vete diçka edhe nga të vdekurit, në mënyrë që në ditën e 100-vjetorit të Pavarësisë, në Vlorë të jemi bashkë, të gjallë e të vdekur.
Kështu vendosa që atë ditë t’i marr me vete edhe “ata” të botës së përtejme.
Këtë ide fillimisht nuk e bisedova me dikë tjetër. Deri në ditën e fundit kur më duhej të shkoja nga Prishtina në Drenofc.
Me datë 24 nëntor 2012, pasdite, bashkë me vajzën time Elsën, kemi shkuar në vendlindje, në fshatin Drenofc të Rahavecit. Fillimisht shkuam në shtëpinë tonë, në të cilën tani jetonte djali i madh i xhaxhait – Artani me familjen e vet. Aty, së bashku me Elsën dhe Artanin me familje (Zejnijen – bashkëshorten e Artanit dhe djemtë: Marsin e Jonuzin), kemi bërë ngritjen e flamurit në shtizën para shtëpisë sonë, të cilën, paraprakisht, im bir Jetliri, e kishte porositur për ta vendosur para shtëpisë për këtë rast.
Pastaj, mora një shati e bashkë me Artanin dhe Elsën shkuam në varrezat e fshatit. Aty mora dhè nga varri i babait – Bajramit, xhaxhait – Jonuzit dhe gjyshërve Mejremes dhe Hajdarit. Pastaj shkova te varret e atyre që ishin më meritorët për lirinë e fituar dhe për mundësinë që na e kishin krijuar që në këtë 100-Vjetor të ishim së bashku. Janë këta luftëtarët e dëshmorët e UÇK-së, tani, të katërtit, heronj të Kosovës, Mensur Zyberaj, vëllezërit Bedrush e Feim Gashi dhe Tafil Zyberaj.
Me atë dhè që mora mbi varret e tyre e mbusha një çantë të cilën e kisha marrë enkas për atë qëllim.
Në mbrëmje, me Elsën, jemi kthyer në Prishtinë dhe dhèun e kam mbajtur 3 net në banesën time.
Me datë 27 nëntor, pasdite, nga Prishtina, saktësisht nga Lagjja Lakrishtë e këtij qyteti ku jeton familja ime që prej pasluftës, jemi nisur për në Vlorë. Në Therandë jemi bashkuar me Misin Vocin dhe gruan e tij Ganimeten e vajzën e tyre Shqipen. Një detaj dua ta theksoj kur jemi te çifti Ganimete dhe Misin Voci. Ata kanë katër fëmijë. Dy vajza dhe dy djem, emrat e të cilëve përmbledhin gjithë atë përmbajtjen thelbësore që na e jep 28 Nëntori dhe Vlora. Emrat e djemve janë Valon dhe Flamur, ndërsa të vajzave Vlorë dhe Shqipe. Misini tregon se këto pagëzime të fëmijëve i ka bërë duke aluduar që të bëjë një ndërlidhje e cila shprehet me një fjali të vetme në formën: Valon Flamuri i Shqipes në Vlorë, apo Në Vlorë Valon Flamuri i Shqipes.
Megjithatë t’i kthehemi temës së asaj dite.
Pasi u bëmë bashkë me Misinin vazhduam udhëtimin në drejtim të Morinit. Kolona që po lëvizte në drejtim të jugut ishte e gjatë. Energjia që kjo datë kishte akumuluar brenda vetes gjatë shekujve dhe dekadave, këtë herë, kishte vënë në lëvizje, pothuaj gjithë kombin. Kuptohet, jo të gjithë ishin për në Vlorë. Disa po shkonin në Tiranë. Megjithatë, të dyja kishin një të përbashkët. Të festonin Ditën e flamurit – 28 Nëntorin në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Kaluam kufirin, tani më jo të hekurt si dikur, në Morinë.
Të gjithë ishin të ngazëllyer nga atmosfera festive që kishte pllakosur hapësirën shqiptare. Jetonin një moment gëzimi të veçantë që herë-herë shoqërohej dhe me një dozë euforie.
Edhe unë isha i gëzuar, por e mbaja veten që gëzimi të mos më delte në sipërfaqe si të tjerëve. Kishte diçka që më frenonte. Nuk di pse, por kishte diçka që më rëndonte. Më bëhejj sikur kisha një barrë të rëndë mbi supe që po e bartja me vete.
Ai lumë njerëzish po lëvizte paralelisht me rrjedhën e Drinit, si asnjëherë më parë.
Në fakt, kishte pasur një lëvizje tjetër në pranverën e vitit 1999, gjatë luftës, kur kolona refugjatësh kishin qenë të detyruar ta lëshonin Kosovën. Por ajo kishte qenë për të tjera shkaqe.
Edhe ne lëviznin brenda kolonës, duke mos e prishur ritmin e rrjedhës së atij lumi makinash të mbushura me njerëz. Mendja pothuaj vazhdimisht më rrinte te çanta me dhè që e kisha me veti. Kur arritëm aty, afër Kukësit, në kthesën e Rrugës së Kombit mbi fshatin Pobreg, papritmas, në mendje, më erdhën vargjet e baladës së vjetër të zhvarrimit:
Kemi parë, s’kemi parë
Shkon i vdekuri me të gjallë
Këto vargje unë i modifikoja,
Kemi parë, s’kemi parë,
Shkojnë të vdekurit me të gjallë.
Dhe këto i kam përsëritur në heshtje, ndoshta qindra herë, gjatë atij udhëtimi deri në Vlorë, ndërsa ngisja makinën, por pa më dëgjuar ata që ishin së bashku me mua.
Të gjithë e shfaqnin gëzimin, ndërsa unë nuk e bëja dot një gjë të tillë. Më mungonte ai entuziazmi i rasteve të tilla që më karakterizon.
Nuk më jepej ta shpërfaqja atë që ndieja brenda vetes. Ishte pikërisht kjo ndjenjë që më mbante disi të ngrysur, edhe pse brenda më digjte zjarri i gëzimit që përjetoja. Ishte barra e të vdekurve që po bartja me vete ajo që më rëndonte shumë. Peshë e rëndë ishte pesha e saj. Supeve të mia nuk ua kisha besën se do të mund ta mbartnin.
Ndryshe nga të gjithë ata që po rendnim drejt Vlorës dhe Tiranës, (dhe nuk ishin pak! Thuhej se kishin qenë mbi Një milion nga trojet jashtë Shqipërisë), unë me vete kisha dhe të vdekurit. Pikërisht barra e tyre më rëndonte jashtëzakonisht shumë. Më dukej se nuk kisha me vete vetëm paraardhësit e bashkëluftëtarët e mi, por të gjithë ata të vdekur të trojeve etnike shqiptare që gjatë 100 vjetëve, meqenëse ishin jashtë kufijve politik të Shqipërisë, kishin shkuar me mallin për Vlorën e flamurit dhe të Pavarësisë. Dhe prapë më vete i shqiptoja vargjet:
Kemi parë, s’kemi parë,
Shkojnë të vdekurit me të gjallë.
Siç thashë, kushedi sa herë i kam përsëritur ato vargje në formë refreni gjatë atij udhëtimi.
Më në fund, pas rreth shtatë orë rrugëtim, diku afër orës 22:00 arritëm në Vlorë. Darkuam në njërin nga restorantet në Kuzum Baba dhe pas darkës shkuam e u vendosëm në shtëpinë e Aziz Hallkos, rezervim të cilin e kishim bërë paraprakisht përmes telefonit duke e porositur të birin e Azizit – Qemalin.
Familja Hallko është me origjinë nga Vranishti dhe i përket trungut gjenealogjik të Halkokondëve, nga e cila ishte dhe një figurë e shquar e periudhës së luftës për Pavarësi – intelektuali dhe atdhetari Salih Halkokondi.
Të nesërmen, pasi u zgjuam, u përgatitëm dhe dolëm në qytet. Jo të gjithë së bashku, pasi që dikujt, sidomos vajzave, u duhej kohë pak më e gjatë që të përgatiteshin. Unë, së bashku me Misinin, dolëm më herët. Me vete mora çantën me dhè, dhe rrugën nga shtëpia e familjes Hallko deri në Skelë e prej aty deri te Monumenti i Pavarësisë e bëmë në këmbë.
Rrugët e Vlorës ishin stërmbushur me njerëz. Të gjithë ishin të veshur bukur e disa me kostume kombëtare të trevave prej nga vinin. Grupe të ndryshme vallëzonin dhe të tjerët i bashkoheshin valles së tyre duke lëvizur nga njëri te tjetri.
Pak më vonë, kur unë isha diku aty afër pa arritur te Teatri i Vlorës, pashë se po vinin një masë njerëzish, në formë marshi, nga Skela drejt qendrës së qytetit. Në krye të asaj morie njerëzish, ishte prof. Rexhep Qosja, pastaj kryetari i opozitës së asaj kohe, z. Edri Rama, ish-ambasadori i ShBA-së në Shqipëri, Xhon Uidhers (John Withers) dhe disa personalitete e zyrtarë politikë të tjerë.
Kur u afruan, u shkëputa nga radhët që qëndronin anash dhe u përshëndeta me prof. Qosjen të cilit i urova Ditën e flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Këtë e bëra edhe me Edi Ramën, me të cilin, siç mora vesh më vonë, në Skele ishin takuar një pjesë e familjes sime dhe kishin bërë foto. Foto kishin bërë edhe me prof. Qosjen dhe me grupe të ndryshme valltarësh.
Pastaj, sipas ftesës së z. Edi Rama që na bëri kur u përshëndetëm, vazhduam për në ndërtesën e Teatrit “Petro Marko” ku do të zhvillohej ceremoni solemne. Për shkak të interesimit të madh, ishte e vështirë të futeshe brenda. Megjithatë, ne ia dolëm të hynim brenda dhe qëndruam në këmbë, por jo deri në fund. Kur dolëm nga aty u nisëm për në epiqendrën e asaj lëvizjeje tektonike të kombit.
Si për të gjithë, edhe për ne, epiqendra ishte Monumenti i Pavarësisë – Sheshi i Flamurit.
Ngadalë, ndalesë pas ndalese, më në fund arritëm. Gjithmonë në dorë mbaja çantën me dhè nga varret e të vdekurve të mi. Këtë, përveç meje dhe familjarëve të mi, nuk e dinte askush. Ajo atmosferë festive që të impresiononte, të bënte që ta harrosh veten, e le më të tjerët apo të vdekurit që nuk kujtohej kush për ta. Kisha një përzierje të brendshme emocionesh, që gjatë rrugëtimit nga Skela deri në qendër, tri-katër herë më ka shpërthyer si ngashërim shungullues dhe me lot. Te Monumenti i Pavarësisë qëndrova deri kur nuk erdhën ata kosovarët me kuaj dhe pas arritjes së tyre, kam depërtuar ngadalë prapa turmës, në anën e djathtë të Monumentit. Në atë pjesën ku ishte një hapësirë me lule të mbjella enkas për këtë ditë, e kam lëshuar çantën në tokë, e kam hapur dhe kam filluar ta zbraz duke nxjerr dheun prej saj me grusht e duke e hedhur siç hedh bujku farë kur e mbjell arën.
Deri në këtë çast kam pasur një tendosje të jashtëzakonshme emocionale e cila më shpërthente me ngashërime të papërmbajtura dhe lot. Në momentin që e kam nxjerrë grushtin e parë me dhè dhe e kam hedhur, kam ndier një lehtësim prej asaj gjendjeje të tendosjes që më kishte shoqëruar që nga Drenofci e deri në atë çast. Njerëzit zunë të më shikonin me habi dhe filluan ta kthejnë kokën kah unë për të parë fillimisht se ç’kishte ajo çantë e pastaj se çfarë po bëja ashtu. Këtë e kam vërejtur vetëm në momentin e parë kur e kam lëshuar çantën, ndërsa më vonë jam tretur fare dhe as që më shkonte mendja në atë se a po më shikonte ndokush apo jo. Në kishte njerëz aty apo jo!?Në ato çaste disi qesh shkëputur me të gjallët që ishin aty përreth. Kisha vënë lidhjet me të vdekurit. M’u bë se m’u shfaqën fytyrat e qeshura të atyre mbi varret e të cilëve kisha marrë dhèun. Jo për ta shprehur habinë se çfarë kisha bërë, por për të më falënderuar për atë që kisha bërë. Pata një lloj komunikimi me secilin prej tyre.
Pasi mbarova së shpërndari dheun, po nga ajo pjesë, aty ku nuk kisha hedhur dhè të fshatit tim, fillova të gërmoj me duar dhe ta mbush të njëjtën çantë, po me atë sasi dheu që kisha marrë në Drenofc, por tani me dhè Vlore.
Meqë, për lehtësi lëvizjeje makinën e kishim lënë në oborrin e shtëpisë së Qemalit, gjatë gjithë kohës sa kemi lëvizur dhe jemi shëtitur, por edhe gjatë drekës, çantën (tani me dhè Vlore) e kisha me vete, dhe nuk ia jepja askujt.
Para se të shkonim për drekë, kam takuar dhe lirikun e xhevahirtë dhe të sertë – Xheavahir Spahiun, me znj. e tij Marjetën dhe ca miq të tij. Xhevon e kisha takuar më herët, në vitin 2002, në kafen Europa në Tiranë, me qëllim që të bisedoja me të për Petro Markon. Atë botë, po përgatisja temën e magjistraturës me titull “Fenomeni i luftës në romanet Hasta la vista të Petro Markos dhe Për kë bie kambana të Ernest Heminguejt”, dhe isha interesuar se cilët kishin qenë njerëzit që i kanë qëndruar afër P. Markos. Safoja dhe Anita Marko (gruaja dhe vajza e Petros) më patën thënë se Xhevahir Spahiu dhe Adriatik Kallulli kanë qenë njerëzit që nuk i janë ndarë. U kërkova dhe bëra takim me të dy këta, sepse përmes tyre (miqve të P. Markos) doja “të arrija” sa më afër shkrimtarit që tani nuk jetonte, por që unë po merresha me veprën e tij.
Tani, në Vlorë, bëmë dhe foto ashtu siç ishim.
Pastaj vazhduam të shëtisnim e të shijonim atë atmosferë gëzimi të përmasave kombëtare, derisa nuk shkuam për drekë.
Drekën na e dha Qemali me bashkëshorten Mimozën dhe fëmijët Jonidën e Andin.
Në restorant takuam dhe u përshëndetëm me aktorin dhe regjisorin Rikard Ljarja, me të cilin unë kisha një njohje të hershme, kuptohet përmes filmit, që kur kisha qenë pesë vjeç,e më vonë, pas përfundimit të luftës së UÇK-së, më 2001, nëse nuk gaboj, ishim njohur së afërmi dhe patëm pirë kafe në “Grand Hotel”në Prishtinë.
Pasdite, diku rreth orës 16:00, jemi nisur për në Prishtinë.
Tani isha pak më i lehtësuar, por jo plotësisht, pasi që ende kisha një lloj pengu të papërfunduar më vete.
Rreth mesnatës kemi arritur në Prishtinë.
Edhe dheun nga Vlora, tri net e kam mbajtur në banesë në Prishtinë. Më 2dhjetor 2012, nga Prishtina kam shkuar përsëri në fshat, respektivisht në varrezat e fshatit, dhe mbi varret e atyre që i kam përmendur më parë, e kam shpërndarë dheun që e kisha marrë në Vlorë. Kur e përfundova këtë, u ndjeva i lehtësuar plotësisht dhe tani, nuk kisha ndonjë peng brenda vetes që do të më mundonte sa i përket Ditës së Flamurit dhe datës jubilare të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorit 2012. Nuk kisha ndonjë peng, sepse me këtë veprim unë bëra që në Vlorë, në këtë datë, përveç ne të gjallëve, ishin edhe të vdekurit: gjyshi, gjyshja, babai, xhaxhai, bashkëluftëtarët që tani ishin heronj. Pra, në Vlorë, tok me ne të gjallët ishin edhe të vdekurit.
Tani, pas këtij veprimi, sa herë që bie fjala për Vlorën, me të njohur të mi, të vjetër që ende nuk dinë për këtë veprim timin dhe rinj, unë këtë fakt ua them në formë enigme.
– Unë, sa herë dua ta festoj 28 Nëntorin në pikën më të largët të Vlorës, shkoj në fshatin tim. Dhe sa herë dua ta festoj 28 Nëntorin në pikën më të largët të fshatit tim, shkoj në Vlorë.
Shumica, për të mos thënë të gjithë, e kanë të vështirë ta gjejnë zgjidhjen e kësaj enigme.
Por, pasi u rrëfej ngjarjen, atëherë u shpjegoj se kur dua të shkoj në pikën më të largët të Vlorës shkojnë fshatin tim, në Drenofc të Rahavecit, sepse, aty, në varrezat e këtij fshati kam dhè Vlore të cilin e kam sjell vetë; dhe sa herë dua ta festoj 28 Nëntorin në pikën më të largët të fshatit tim, shkoj në Vlorë sepse, aty, te këmbët e Monumentit të Pavarësisë, kam dhè të fshatit tim, respektivisht të varreve të të parëve e bashkëluftëtarëve të mi, të cilin, po ashtu, e kam dërguar vetë.
Deri në këtë datë, kur kam realizuar këtë akt, lidhjet e mia emocionale me qytetin e Vlorës, kanë qenë të njëjta me lidhjet emocionale të çdo shqiptari që ka me këtë qytet historik.
Pas kësaj date, ato (lidhjet e mia), janë më të veçanta se të të tjerëve dhe përherë do të mbeten të tilla.
Prishtinë,
Më 1-10 gusht 2023
P. s. Ky shkrim është përgatitur me kërkesën e z. Sejmen Gjokoli, i cili ka shprehur interesim ta bëjë pjesë të librit të vet që po përgatit për ta botuar me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kurse botohet paraprakisht në gazetën “Epoka e re”.
[1] Bisedën e tyre e kishte dëgjuar daja i babait tim, që atëbotë ishte mësues në fshat dhe banonte te ne. Ky është Cen Kastrati nga Zatriqi, i cili pastaj do të jetë mësuesi im i parë që do të më mësoj në ciklin klasor për katër vjet, derisa nuk dola në klasën V. Tani është në pension dhe jeton në Gjakovë.
[2] Babai më 22 nëntor 1999, duke e rregulluar shtëpinë që na e kishin djegur forcat serbe në ofensivën e 3 shtatorit 1998, rrëzohet, me ç’rast një pjesë e një pllake të betonit i bie dhe ia thyen tri unaza të shtyllës kurrizore. Pas kësaj ka jetuar edhe 18 muaj i palëvizshëm, se pjesa e poshtme i kishte vdekur, dhe pas 18 muajsh, më 26.1.2001, vdes në QKUK.
[3] Në burg kam qenë prej 16.2.2004 deri më 10.4.2009. Më ka arrestuar, gjykuar dhe dënuar me 6 vjet burg UNMIK-u dhe EULEX-i për shkak se, gjoja, si pjesëtar i UÇK-së, gjatë kohës së luftës së Kosovës 1997-1999, së bashku me Selim Krasniqin dhe Agron Krasniqin, kemi bërë krime të luftës.