Për 15 vjet kosovarëve iu shtua nënshtetësia serbe në Gjermani, MPJ heshti
Konsullata e Kosovës në Shtutgart është në dijeni për problemin, me të cilin ballafaqohet diaspora kosovare që jeton në këtë land, që fëmijëve të tyre u figuron se janë shtetas të Serbisë deri në moshën 16-vjeçare, kur ata do të mund të zgjedhin për ta mbajtur njërën nga tri shtetësitë që u figuron në certifikatat e tyre.
Në një komunikim me KIKS Kosovën, zyrtari i kësaj konsullate ka thënë se ky është një problem, me të cilin ballafaqohen ata dhe familjet kosovare që nga momenti kur është hapur kjo konsullatë.
Këtë problem, ata thonë që e kanë lajmëruar te secila qeveri që ka udhëhequr me Kosovën në këto 15 vjetët e fundit, por asnjëherë nuk kanë marrë një përgjigje konkrete për metodën se si duhet ta zgjidhin atë.
Ky problem në të kaluarën ka qenë më i theksuar, kur me dhjetëra kosovarë u ishin drejtuar konsullatave, të frustruar që pavarësisht faktit që të dy prindërit ishin shqiptarë nga Kosova, në shtetësinë e fëmijëve të tyre po u figuronte edhe ajo e shtetit serb.
Komuna e Bayernit ka kërkuar në vazhdimësi tërheqjen e shtetësisë serbe nga certifikatat e kosovarëve.
KIKS-i ka kontaktuar edhe konsullatën e Kosovës në Munih, e cila ka referuar që përgjigjet të dërgohen në Ambasadën e Kosovës në Berlin.
KIKS Kosova ka dërguar pyetje edhe në Ambasadën e Kosovës në Gjermani rreth kësaj çështjeje.
Kemi kontaktuar edhe përmes telefonit me zyrtarët e kësaj ambasade, të cilët na kanë thënë se përgjigjet e kërkuara nga KIKS-i gjenden në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, pasi sipas tyre komunikimi me mediat i ambasadave nëpër botë duhet të bëhet nëpërmjet kësaj linje.