Për 21 Marsin – Ditën Botërore të Poezisë
Të shtunën në Ferizaj Klubi Letrar “De Rada”, në vigjilje të Ditës Botërore të Poezisë ka organizuar një Orë letrare ku morën pjesë adhurues të artit të poezisë, kryesisht të moshave të reja dhe krijues. Në këtë Orë letrare u lexuan krijime të përzgjedhura të poetëve të njohur nga letërsia botërore si: Rainer Maria Rilke, Vislava Szymborska, Marina Cvetajeva, Nicanor Parra, Yevgeny Yevtushenko, Adam Zagajewski etj. dhe nga letërsia shqipe: Frederik Reshpja, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Azem Shkreli, Bardhyl Londo, Xhevdet Bajraj, Visar Zhiti etj. ndërsa një numër i konsiderueshëm i pjesëmarrësve lexuan edhe poezitë e tyre. Gjatë pjesës së dytë të takimit, të gjithë të pranishmit lexuan mendime të autorëve të shquar mbi poezinë dhe i diskutuan ato. Një debat interesant u zhvillua edhe rreth qëllimit dhe funksionit që ka poezia në përgjithësi, sa lexohet dhe sa kultivohet kjo gjini letrare në mjedisin tonë, kush mund të jetë dhe kush mund të quhet poet etj. Ky aktivitet letrar vullnetar u vlerësua nga pjesëmarrësit si tërheqës dhe shumë i suksesshëm, sepse prania e vargjeve të poetëve që kanë ngritur lart vlerat letrare kombëtare dhe të përbotshme, si dhe diskutimet rreth mendimeve të tyre janë një praktikë që po u mungon gjithnjë e më tepër jo vetëm të rinjve, por edhe admiruesve te tjerë të letërsisë.
Kur flitet për 21 Marsin, Ditën Botërore të Poezisë, vlen të rikujtohet se nëpërmjet kremtimit të kësaj dite synohet promovimi i leximit, shkrimit, botimit dhe mësimdhënies së poezisë në mbarë botën. Gjithashtu, kjo ditë shërben edhe si kujtesë e ndikimit që ka pasur poezia në frymëzimin dhe mënyrën e të jetuarit të njerëzve shekuj me radhë. Gjithandej globit kjo ditë shënohet në mënyra nga më të ndryshmet dhe nga të gjitha moshat, duke filluar nga fëmijët parashkollorë e deri te të moshuarit. Nuk ekziston ndonjë formë e standardizuar për ta shënuar Ditën e Poezisë, sepse poezia nuk njeh kufizime, ajo u ofrohet të gjithë njerëzve njëlloj dhe secili në mënyrën e vet e shpreh admirimin që ka ndaj saj. Poezia shkruhet, lexohet, ndjehet dhe shijohet nga lexuesit, prandaj ata kanë të drejtën e tyre të pakontestueshme për ta shënuar Ditën e Poezisë. Kjo ishte edhe arsyeja që në Orën letrare të klubit “De Rada” pjesëmarrja ka qenë e hapur, për të gjithë qytetarët, për të gjitha moshat, profesionet e kategoritë e popullatës, sepse vetë shënimi i kësaj ditë synon që ta ofrojë poezinë sa më pranë lexuesve.
Poetët e mirëfilltë të cilësdo epoke qofshin, konsiderohet se e kanë përmbushur misionin e tyre nëse poezitë vazhdojnë t’u lexohen dhe interpretohen në vende e kohë të ndryshme. Në anën tjetër, poeti është i pranishëm në çdo shtëpi, klasë, sallë dhe kudo tjetër ku lexohen vargjet e tij. Prandaj, në Orën letrare të organizuar nga klubi “De Rada” ishin të pranishëm shumë poetë, nga më të mëdhenjtë e letërsisë shqipe dhe botërore, madje edhe ata që kaherë janë larguar nga kjo botë, por që do të vazhdojnë përjetësisht t’u flasin brezave. Poetët nuk krijojnë ndasi te lexuesit, por u ofrohen të gjithëve në mënyrë të njëjtë, madje ka shumë krijues për të cilët nuk ekziston ajo vija ndarëse mes lexuesit dhe poetit. Lidhur me këtë shkrimtarja franceze George Sand (Amantine Lucile Aurore Dupin) thotë se: “Ai që merr kënaqësi fisnike nga emocioni që ofron poezia, është një poet i vërtetë, pavarësisht që nuk ka shkruar asnjë varg gjatë gjithë jetës së tij.” Ndërsa sipas romansierit anglez John Fowles: “Të gjithë shkruajmë poezi; poetët janë thjesht ata që shkruajnë poezi me fjalë.” Këto dhe shumë mendime të ngjashme të krijuesve të shquar na ndërmendin se askush nuk e ka të drejtën e monopolit mbi poezinë, sepse poezia krijohet për të gjithë dhe përmes shënimit të Ditës së Poezisë synohet që njerëzit e të gjitha racave dhe etnive të bashkohen dhe të komunikojnë përmes një gjuhe, gjuhës së poezisë, të afrohen përmes vargjeve që u kanë mbijetuar dhe vazhdojnë t’u mbijetojnë kohërave.
Zyrafete Shala
Kryetare e Klubit Letrar “De Rada”