Për 22 muaj në FSK janë realizuar shtatë procese të gradimit dhe emërimit të ushtarakëve
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë me dije se për 22 muaj në FSK janë realizuar shtatë procese të gradimit dhe emërimit të ushtarakëve.
“Edhe një sukses i madh i radhës! Përgjatë 22 muajve janë realizuar 7 procese të gradimit dhe emërimit të ushtarakëve tanë me numrin prej rreth 1000 gradimeve dhe mbi 3000 emërimeve të reja”, ka thënë Mehaj.
Ai ka theksuar se ndër objektivat e tij operacional, përveç tjerash është avancimi i sistemit të qëndrueshëm të menaxhimit të karrierës sipas kritereve dhe standardeve më moderne të menaxhimit të karrierës së ushtarakëve tanë në të gjitha rangjet, profilet dhe nivelet.
“Proceset e avancimit dhe emërimit mbi bazën e njohurive, shkathtësive, aftësive dhe përvojës së ushtarakëve janë thelbësore për ruajtjen dhe forcimin e moralit ushtarak dhe gatishmërisë efektive operacionale të forcave. Jemi në rrugë të mbarë të avancojmë edhe më tej sistemin aktual, sikur secilin projekt tjetër deri më tani. Së bashku do të arrijmë të bëjmë më të mirën me rregulloren e re të zhvillimit të karrierës”, ka deklaruar ministri Mehaj.