Për 260 mijë armë pa leje, vetëm 781 kërkesa për legalizim
Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka nisur një fushatë gjashtëmujore për legalizimin e armëve të vogla dhe të lehta, të cilat i posedojnë pa leje qytetarët e Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe është pezulluar zbatimi i nenit 366 të Kodit Penal (neni 374 i Kodit të vjetër Penal), i cili, në paragrafin 1, parasheh gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. Aty parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burg, për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.
Por, kur kanë mbetur edhe një muaj e gjysmë deri në fund të kësaj fushate, sipas zyrtarit për komunikim me media në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Behar Haziraj, për legalizim të armëve kanë aplikuar 781 persona, ndërsa 374 prej tyre kanë marrë pëlqimin nga kjo ministri.
Bazuar në të dhënat e MPB-së, numri i armëve ilegale në posedim të qytetarëve llogaritet të jetë rreth 260 mijë sosh.
Në një llogaritje të thjeshtë, përqindja e kërkesave për legalizim, në raport me numrin e përgjithshëm të armëve në posedim pa leje, është vetëm 0.3 për qind.
Duke u lidhur me shifrat e ulëta të interesimit për legalizim të armëve, eksperti i sigurisë, Avni Islami, e vlerëson si të dështuar këtë fushatë. Sipas tij, një nga faktorët kryesor është mosinformimi i mjaftueshëm i qytetarëve lidhur me fushatën dhe procedurat, transmeton “Rel”.