Për 30 minuta shiten të gjitha fanellat e Messit te PSG-ja
Tifozët e Paris Saint-Germain përmbytën dyqanin ‘online’ të klubit dhe morën të gjitha fanellat e disponueshme të Lionel Messit vetëm 30 minuta pasi nënshkrimi i tij u njoftua zyrtarisht.
Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë mbërriti në Paris të martën për teste mjekësore para përfundimit të transferimit të tij të bujshëm falas në skuadrën e Ligue 1.
Messi, kontrata e të cilit me Barcelonën skadoi në fund të qershorit, nënshkroi një marrëveshje dy-vjeçare me PSG-në me opsion për të vazhduar për një vit të tretë.
PSG konfirmoi se superylli 34-vjeçar argjentinas do të vishte fanellën me numër 30, një numër që ai e kishte veshur më parë në debutimin e tij për Barcelonën.
Videoja zyrtare e njoftimit për nënshkrimin e Messit u postua rreth orës 22:15 me kohën tonë lokale në llogarinë e PSG në Twitter.
Gazetari Jonas Adnan Giaever më vonë shkroi në Twitter se fanella e ‘Messi 30’ në dyqanin e PSG-së ishte shitur për vetëm rreth 30 minuta pasi u shfaq videoja e lartpërmendur.
Ndryshe, Messi u shfaq në një konferencë emocionale lamtumire të Barcelonës të dielën para se të merrte një ofertë zyrtare të kontratës nga PSG.
Legjenda e Barcelonës fluturoi për në kryeqytetin francez me familjen e tij dhe u prit ngrohtësisht nga tifozët e PSG-së .
Messi thuhet se është lojtari më i paguar i PSG-së para Neymar dhe Kylian Mbappe, pasi paga e tij vlen plot 35 milionë euro në vit.