Për 5 vjet nataliteti në Kosovë bie mbi 30%
Kjo ulje për vetëm 5 vjet po konsiderohet shumë e rrezikshme për shtetin e Kosovës, për familjen, ashtu edhe për shoqërinë dhe është ulja me madhe në historinë e Kosovës, të shteteve të Ballkanit dhe Evropës. Faktorët kryesor që po shihen si shkaktar i rënies së natalitetit në Kosovë janë kushtet e vështira ekonomike, ligji i lehonisë, planifikimi familjar, politikat shtetërore dhe migrimi më i madhi në Ballkan dhe Evropë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në të gjithat maternitetet në Kosovë, numri i lindjeve ka shënuar rënie çdo vit. Në vitin 2014, janë regjistruar 32,087 lindje, në vitin 2015, janë regjistruar 31,116 lindje, në vitin 2016, janë regjistruar 30,069, në vitin 2017, janë regjistruar 30,025 lindje dhe në vitin 2018, janë regjistruar 22,761.
Për rënien e natalitetit flasin edhe statistikat e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sipas të cilave në vitin 2014 kanë qenë 10 mijë e 307 lindje, në vitin 2015, 9 mijë e 443 lindje, në vitin 2016, 10 mijë e 139 lindje, në vitin 2017, 10 mijë e 161 lindje, në vitin 2018, 9 mijë e 963 dhe në 9 mujorin e vitit 2019, 7 mijë e 256 lindje.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli tha për KosovaPress, se është bërë si një lloj “trendi”, në vendet e zhvilluara ku qiftet vendosin të bëjnë fëmijë sa edhe kanë mundësi t’i mbajnë ata.
“Rënia e natalitetit është një trend i vendeve të zhvilluara, do të thotë edhe në vendet në zhvillim kemi rënie të natalitetit. Kjo për arsye se në rend të parë është planifikimi familjar sepse secili qift bashkëshortor dëshiron të lind fëmijët sa ka mundësi aq sa mund t’i mbajë. Kjo ndryshon nga vendet jo në zhvillim ku secili qift kishte nga 4- 5 fëmijë, kurse në kohën e sotme qiftet bashkëshortore planifikojnë familjen dhe zakonisht bëjnë 1 apo 2 fëmijë. Kjo mendoj se është njëri ndër shkaktarët kryesor të rënies së natalitetit i cili e përfshin edhe vendin tonë Kosovën”, tha ai.
Ismajli shtoi se kishte qenë mirë që shteti të stimulojë lindjet duke zgjatur pushimin e lehonisë dhe duke ndihmuar në rritjen e tyre.
E sociologu Ferdi Kamberi ka thënë se kjo ulje është shumë e rrezikshme si për familjen, ashtu edhe për shoqërinë sepse sipas tij, mos planifikimi familjar dhe shtyrja e martesës, bën që mundësia për pjellshmëri të jetë më e vogël dhe nëse nuk ka natalitet, rritet mortaliteti, atëherë kjo është vetëm barrë për shtetin sepse popullsia plaket dhe nuk ka të rijnë që të punojnë.
Kamberi u shpreh se për ngritjen e natalitetit ndikon edhe aspekti politik, pra nënat e reja duhet të kenë përkrahje nga institucionet shtetërore.
“Ne konsiderojmë që fillimisht do të duhet që të ketë politika popullative për stimulimin e natalitetit nga institucionet përkatëse, pastaj planifikimi familjar duhet të jetë adekuat për shkak se ne e shohim që një pjesë e madhe e qifteve e shtyn planifikimin familjar, pastaj mund të ketë pasoja të ndryshme dhe në këtë drejtim konsiderojmë se një planifikim adekuat mund të rezulton në shtimin e natalitetit, mirëpo ndoshta nevojitet më shumë që të ketë politika konkrete që i stimulon nënat e reja por edhe familjet tjera që të kenë ngritjen e natalitetit”, shtoi Kamberi.
Rënia e natalitetit sipas njohësve të kësaj fushe është gjendje alarmante dhe rrezikon shoqërinë kosovare. Sipas tyre, për të ngritur natalitetin, shteti duhet të investojë më shumë në këtë fushë duke ndihmuar financiarisht në rritjen e fëmijëve.
Kujtojmë se në Kosovë, ligji i punës parasheh që për secilin fëmijë të lindur, nënës t’i takojë pushimi i lehonisë prej një viti, ku gjatë tre muajve të parë të pushimit të lehonisë, pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim prej shtatëdhjetë për qind 70% të rrogës bazë, pastaj gjashtë muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim prej pesëdhjetë për qind 50% të rrogës mesatare në Kosovë. Ndërkohë, gruaja e punësuar ka të drejtë, sipas këtij ligji, që ta zgjasë pushimin e saj të lehonisë edhe për tre muaj të tjera pa pagesë.