Për anëtarësimin e Kosovës në Interpol kërkohet lobim konkret
Komiteti Ekzekutiv i Interpolit e ka dërguar dosjen e Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, e cila këtë vit do të mbahet në Kili, ndërsa njohësit e çështjeve të sigurisë kanë bërë me dije se institucionet e vendit duhet të punojnë shumë për ta arritur anëtarësimin në Interpol.
Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se duhet të bëhet lobim konkret për anëtarësim në Interpol.
“Duhet bërë lobim konkret pa shumë bujë dhe harxhime me shtetet që tanimë i dimë se cilat janë dhe pse kanë hezituar të votojnë herën e kaluar. Pastaj janë edhe disa shtete të vogla të cilat edhe kërkojnë inkurajim shtesë për të qenë në mbledhje meqë zakonisht mungojnë. Pra, kërkohet shumë punë konkrete dhe hiç lajme për lavdi”, ka thënë Selimi.
Ai ka përmendur faktorët që mund të ndikojnë në këtë rrugëtim të Kosovës. “Vështirë të parashikosh meqë është çështje politike dhe e varur nga vullneti individual i secilit shtet anëtar. Pastaj ndikimi ruso-serb në këtë organizatë, bashkë me Kinën, nuk është i vogël. Pra, kushdo që e trajton këtë temë duhet ta ketë parasysh se është një OKB në miniaturë, duke përfshirë edhe raportin e forcave politike dhe ndikimet e tyre në vendimmarrje”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova tashmë përmbush të gjitha kushtet për të qenë pjesë e kësaj organizate.
Ndërsa zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, pasi Komiteti Ekzekutiv i Interpolit e ka dërguar dosjen e Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, ka deklaruar se Policia e Kosovës është cilësuar në nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe kredibilitetit si organizatë policore moderne dhe me standarde të avancuara.
Ai i ka bërë ftesë Serbisë që të mos i bëjë Kosovës obstruksione në këtë rrugë.