Për Arbrin…
Parathënie e librit “Mbi çështjen shqiptare (Bashkëbisedim me Arbën Xhaferin)”, të autorit Musli Krasniqi
Pandeli Majko
Karvani i njerëzve në vdekjen e Arbër Xhaferit më përhumbi në masën e madhe në Tetovë… Nuk e kisha mendjen kë kisha në krah. Të gjithë ishim shqiptarë, që përcillnim dikë që ishte më i madh se sa vlerësimi i kohës së tij. Një burrë i vjetër, i panjohur, në krah po pëshpëriste me vete, pa pushim. Na u takuan sytë një moment dhe ai iu përgjigj shikimit tim shkurt: “Janë lutje… arabisht”!
Ne nuk ishim gati për të. Ky nuk është kompliment për Arbër Xhaferin. Kjo është një “kornizë”, për shqiptarin që ka nevojë të rilexohet.
Niveli i mendimit të shkruajtur politik të Arbër Xhaferit është, deri tani, më cilësori i kohës së vet. Modestisht, i kam lexuar të gjithë. Asnjë nuk është si ai.
Kadareja në letërsi dhe Xhaferi në mendimin politik tregojnë një forcë të fshehur kombëtare, pasur parasysh shkrimin “e vonuar” të gjuhës sonë të lashtë.
Arbër Xhaferi është një shembull i rrallë i të qenit politikan në ambientin shqiptar. Ai ishte pjesë e politikës aktive dhe njëkohësisht një përfaqësues i mendimit politik. Ky mendim politik e tejkalonte çdo kufi mbi shoqëritë shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi të cilat funksionojnë me “orë” të ndryshme.
Fotoja e Arbrit që pëlqej më shumë është ajo, ku s’kupton nëse ai po qesh apo shfaq dhimbjen e brendshme.
Në një nga intervistat e ribotuara, do të lexoni një fjali: “Procesi i pavarësimit të Kosovës është një proces që do të përfundojë ashtu si përfundoi procesi i pavarësimit të Shqipërisë”. Kjo fjali është e frikshme, në saktësi…
Arbër Xhaferi, sipas meje, ka mundur ta përkthejë historinë tonë kombëtare me hijen e sfinksit. Për arsyet që i di ai, mendoj se të vërtetat tona kombëtare, na i ka hedhur ngadalë si “ilaçi” që nëse merren me shumicë të dëmtojnë…
Arbër Xhaferi është unik në të kuptuarit e historisë kombëtare të shqiptarëve.
Ai duhet “përkthyer” në shqip si një njeri me shumë jetë. Erdhi dhe jetoi në kohën tonë dhe pasi bëri “detyrën” iku për t’u rikthyer në një kohë tjetër.
E kuptoj se kjo që sapo shkrova është një “metaforë”. Por, si dikush që e ka njohur e lexuar Arbrin, s’di pse, e kam këtë ndjesi.
Arbër Xhaferi më duket se ka udhëtuar në kohë me fatin e shqiptarëve. Mbase, ka qenë duke lotuar në turmën e Romës duke parë mbretin e fundit ilir, Gent të gjunjëzuar. Ka vënë dorën në shpatullën e Batos së tradhtuar nga Batoja tjetër. Ka qenë kokulur, në sallën e vdekjes së Skënderbeut. Ka bërtitur, kur Lleshi i Zi vrau Marko Boçarin. Ka qarë, në Vlorë me Ismail Qemalin. Ka qenë i pafuqi, në sallonet e Parisit kur copëtohej Shqipëria. Dhe në fund, ishte vetë, në këtë kohë, ai që shoqëroi Kryeministrin e Kosovës drejt Prishtinës së çliruar.
Lexoni fjalën, e mendimin e tij dhe pastaj… më ironizoni, për tepri emocionale.
Në Tetovë, në mortin e Arbër Xhaferit kisha ndjesinë e mungesës së ajrit. Ai kishte ikur.
Tek pashë varrezat më pushtoi një ndjenjë dobësie në praninë e kufirit midis jetës dhe vdekjes. Ju ktheva burrit të panjohur që po lutej dhe i thash: “Të lutem, lutu me zë të lartë. Edhe për mua.”
Arbri padyshim, do të qeshte. Si sfinks.
Ju lutem, lexojeni!
Tiranë, 8 prill 2023