Për arrestimet e gjashtë shtetasve turq reagon edhe LB-ja
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka komentuar arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq për në Turqi.
Ai përmes llogarisë së vet në “Facebook” ka shkruar se është i habitur se si krerët e shtetin nuk kanë qenë të njoftuar me këtë rast.
“Çka po ndodh kështu? Kryeministri Haradinaj dhe kryeparlamentari Veseli reagojnë për arrestimin dhe deportimin e gylenistëve duke lënë të nënkuptohet se nuk ishin fare në dijeni për këtë operacion. I pari duket se ishte shumë pak i njoftuar edhe me situatën që solli ngjarjet dramatike të së hënës në veri. Kjo është e paprecedentë. Situata të tilla anarkiste mund të na vendosin në pozita të rënda si shtet para çdo procesi politik në të ardhmen dhe vënë në pikëpyetje funksionalitetin e institucioneve”, ka shkruar Murati.