Për çfarë shpenzohen në ShBA fondet që miratohen për Ukrainën?

02 prill 2024 | 16:13

Kongresi amerikan nuk arriti të vendosë përpara fillimit të pushimeve të pranverës, për ndihmat e reja për Ukrainën dhe vendet e tjera aleate. Republikanët që e kundërshtojnë propozimin për ndihmat thonë se Kongresi duhet të caktojë më shumë fonde për çështjet e brendshme. Por, siç njofton “Zëri i Amerikës” projektligji për ndihmat ka një ndikim shumë më të madh brenda vendit nga ç’mund ta mendojnë amerikanët.

Ukraina thotë se humbjet rishtazi në terren janë për shkak të mangësive në armatime.

Në Shtetet e Bashkuara, Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane nuk ka miratuar ndihma të reja për Kievin dhe nuk ka futur për votim projektligjin për këtë çështje. Projektligji, që u miratua më parë nga Senati, parashikon 60 miliardë dollarë fonde për Ukrainën. “

Askush nuk është dakord me veprimet e Putinit. Por, kur marrim paratë e fituara me mund nga taksapaguesit dhe i dërgojmë 8 mijë kilometra larg, pa ndonjë shpresë se po shkohet drejt mbylljes së konfliktit dhe ndërkohë kufiri ynë është krejtësisht i hapur dhe amerikanët po vriten në rrugët e tyre – ky është një problem”, tha ligjvënësi republikan Scott Perry.

Por, shumica e fondeve që janë miratuar për Ukrainën, nuk kanë shkuar drejtpërsëdrejti atje. Ato janë shpenzuar në Shtetet e Bashkuara, si tek fabrika e gjendur në zonën elektorale të ligjvënësit Perry në York, të Pensilvanisë, ku prodhohen armatime të reja për të zëvendësuar rezervat që po i dërgohen Kievit.

Fabrika në York është një ndër dhjetëra objektet e industrisë ushtarake që po financohet nga fondet në mbështetje të Ukrainës.

“Zërit të Amerikës” iu lejua hyrja në Fabrikën e Municioneve të Ushtrisë në Scranton, rreth tre orë larg qytetit York, për të parë nga afër se si shpenzohen paratë e taksapaguesve.

Këtu shufrat prej çeliku shkrihen për t’u bërë predha artilerie të kalibrit 155 mm. Ato kontrollohen me kujdes dhe lyhen për të parandaluar ndryshkjen, përpara se të mbushen me lëndë eksplozive.

Prodhimi në Pensilvani është dyfishuar, nga 14 mijë predha të tilla që prodhoheshin në muaj përpara fillimit të luftës në Ukrainë, në gati 28 mijë predha në muaj që prodhohen tani. Kompania kontraktore General Dynamics thotë se numri do të arrijë në 36 mijë në muaj kur të fillojë pas pak javëve prodhimi në një fabrikë të re aty pranë.

Dyqind vende të reja pune priten të hapen vetëm në këtë fabrikë, por zyrtarët e kompanisë General Dynamics i thanë Zërit të Amerikës se kjo nuk mund të ndodhë pa u miratuar financimi i mëtejshëm nga Kongresi.

Ligjvënësi demokrat Matt Cartwright thotë se këto vende pune do të ndikonin shumë në qytete si Scrantoni.

“Është një ndihmë e madhe. Dua të them se Scrantoni dhe Pensilvania verilindore kanë hasur në vështirësi ekonomike”, thotë ai.

Ligjvënësi Cartwright thotë se krahas rëndësisë që kanë vendet e reja të punës, është edhe më e rëndësishme që të jepet siguri se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i kthejnë shpinën Ukrainës.

“Jo vetëm që është joamerikane, por edhe kundër vlerave të Pensilvanisë. E kemi mbrojtur gjithnjë demokracinë dhe lirinë, kudo. Dhe nuk mendoj se duhet ta ndryshojmë këtë politikë tani”, tha ai.

Duke filluar nga viti 2025, ushtria amerikane thotë se duhet të prodhojë 100 mijë predha të kalibrit 155 mm në muaj, për të plotësuar rezervat me mbi 2 milionë predha që Shtetet e Bashkuara ia kanë dërguar Ukrainës dhe për të vazhduar furnizimin për Kievin me armatimin e mjaftueshëm për t’u mbrojtur. Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se industria amerikane e mbrojtjes nuk do ta arrijë këtë objektiv pa marrë fonde të mëtejshme nga Kongresi.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkelzen Binakaj shpall të pavlefshme dëftesat e vitit: -I-, -II-,…