Për çfarë veprash penale dyshohet personi që u arretua dje në Gllogjan
Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar dje se është arrestuar edhe një person për vrasjen e rëndë që ka ndodhur në 26 nëntor të vitit të kaluar në Gllogjan të Deçanit. Atje mbetën të vdekur tre persona, shoferi i autobusit dhe dy nënës, teksa u plagua një tjetër.
Sipas prokurorisë, personi që u arrestua dje është K.M. Ai dyshohet nga prokuroria për dy vepra penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi apo kontroll të paautorizuar e armëve”.
Ndaj tij prokuroria ka bërë kërkesë edhe për caktimin e masës së paraburgimit.
“Prokurorja e çështjes, në vazhdën e hetimeve intensive për rastin në fjalë, ka autorizuar Policinë e Kosovës për arrestimin e K.M., i cili fillimisht është ndaluar për 48 orë. Po ashtu, brenda afatit ligjore, prokurorja e çështjes, ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se më 26 nëntor të vitit të kaluar në Gllogjan të Deçanit u vranë tre persona, ku dy prej tyre ishin nxënës dhe shoferi i autobusit.
K.M. është personi i katërt që u arrestua për këtë rast.
Njërit nga të dyshuarit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Ndërkaq dy të tjerë janë duke qëndruar në paraburgim.