Për çka po aventurizohet partneriteti me SHBA?

20 shkurt 2024 | 16:32

Shkruan: Hajdin Abazi

Për Kosovën, të acarojë raportet me Perëndimin përgjithësisht dhe posaçërisht me SHBA-të do të mund të ishte e mendueshme vetëm në një rast ekstrem: po qe se do t’i kërkohej të kthehej pas nën pushtimin serb. A është duke ndodhur kjo?

Kur lexova se James O’Brian që, më 14 shkurt,  tha se nëse Kurti nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partner, u trondita, jo se ishte e papritur – sepse sjelljet politike ndaj SHBA-ve ishin konsistente në mosbashkërendim, po sepse kështu u konfirmua edhe botërisht gjendja kritike e raporteve të Kosovës me SHBA, e që erdhi në prag të 16 vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Mendja fluturoi në atë distancë vitesh, konkretisht në vitin 1998, kur kundërvënia e armatosur ndaj agresionit serb tashmë kishte marrë përmasa të një lëvizjeje çlirimtare. Asokohe, realisht, ne si  shqiptarë e kishim të drejtën faktike në anën tonë, por Serbia ishte ushtarakisht tepër e fortë që ne të mund ta mposhtnim të vetëm atë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës i kishte dy rrugë të vetme: o të pranonte furnizime me armë nga ndonjë qeveri radikale islamike dhe të lejonte forcat ekstreme t’i bashkoheshin që të mund të luftonte kundër Serbisë, ose të zgjidhte Perëndimin, para se gjithash SHBA. Ofertat e para ishin më të zëshme dhe më të gatshme për t’u involvuar, kurse Perëndimi dhe veçanërisht SHBA dukej ende hezituese. Lidershipi i UÇK me vetëdije të plotë u përcaktua për Perëndimin, si e vetmja perspektivë dhe fat jetik i saj – në frymën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe të Rilindjes Kombëtare, e kjo edhe ishte në përputhje me trendët evropian për integrim ku, herët a vonë, do të përfshihej edhe Kosova si pjesë integrale e kontinentit. Arritja e bashkëpunimit me SHBA ishte e zorshme, por jo dhe e pamundur dhe UÇK u përcaktua pa asnjë mëdyshje për Perëndimin.

*

E tash, ulja e nivelit të partneritetit me SHBA nga qeveria Kurti, më solli momentin historik të rolit vendimtar të partneritetit me amerikanët. Ende më tingëllojnë fjalët dashamirëse të emisarit të asokohshëm të presidentit Bill Clinton, ambasadorit Richard Holbrooke: Nëse ju do të bashkëpunoni me State Departamentin amerikan dhe do të veproni ashtu si të ju themi ne, ju garantoj se Kosova do të bëhet shtet më vete!

Sigurisht, kjo deklaratë kishte shumë thellësi përmbajtjesore, por edhe shumë të panjohura. Njëra prej tyre ishte, pikërisht kapaciteti luftarak i UÇK. Prandaj, duke e ditur nevojën e jashtëzakonshme për armatim që kishte lufta jonë çlirimtare, i thashë, ndër të tjera, se po qe se ne i humbim të gjitha betejat (për shkak të armatimit të dobët) – shuma e të cilave përbën luftën, atëherë si do të behet shtet më vete Kosova – thashë duke shprehur brengën themelore. Prisja përgjigjen se SHBA nuk do ta lejojnë humbjen e betejave, se do ta armatosin popullin e Kosovës. Por jo, emisari Holbrooke, tha diçka më të madhe, diçka që askush nuk e kishte thënë deri atëherë dhe askush përpara tij, e që ishte profetike: Do të ndodh diçka ashtu si nuk ka ndodhur deri më sot! Epilogu dihet: UÇK iu përmbajt partneritetit me SHBA, dhe SHBA në krye të NATO-s bombarduan Serbinë Milosheviçiane për 72 ditë derisa e bënë të kapitullojë, t’i tërheqë forcat pushtuese serbe dhe Kosova të çlirohet.

E solla ndërmend këtë insert, për të treguar se kur bashkërendohen veprimet me SHBA, qëllimet finale arrihen, ani se mund të duken krejt të pabesueshme ne fillim. Nuk ishte aspak e lehtë, madje ishte tepër e rëndë për UÇK, që të luftonte me armatim kryesisht të Luftës së Dytë Botërore ndaj një agresori me armatim modern, madje ndonjëherë edhe ishte legjitime të mendohej se athua mos po gabonim që po i besonim Amerikës. Por, shtrohet pyetja, cila ishte alternativa? Kishte, sigurisht, por asnjëra nuk ishin të duhura për shqiptarët dhe nuk kishin garancinë që i duhej Kosovës.

Po kaq e rëndë, absolutisht, madje shumëherë më e rëndë, ishte edhe qëndrimi në Rambuje sidomos i krerëve të UÇK për të dëgjuar SHBA, në figurën madhështore të sekretares Madelain Albright, që të nënshkruhej Marrëveshja e Rambujesë. Ajo, de facto, Kosovës i siguronte një lloj autonomia por jo shtetësi. SHBA-të kërkonin t’i besohej asaj në diçka që në aparencë dukej si tradhti e idealeve çlirimtare. Por qenë dhënë premtime se po qe se do te dëgjoheshin dhe të nënshkruhej marrëveshja, atëherë Kosova do të bëhej shtet më vete!

Këto janë dy momente historike, ku shihet se besimi i shprehur ndaj SHBA është kthyer me besim të plotë dhe me veprim në shërbim të lirisë, çlirimit, pavarësisë, demokracisë, shtetbërjes  dhe sigurisë, paqes e stabilitetit.

Së fundi, ju kujtohet fjalimi historik i presidentit amerikan George W. Bush në Tiranë i cili e tha pa ekuivokë: Enough is enough? Ky ishte preludi i pavarësisë së Kosovës.

Pa mbështetjen e SHBA-ve, Kosova nuk do të ishte sot këtu ku është, në kuptimin se nuk do të kishte liri, çlirim, pavarësi dhe shtet.

*

Nëse Qeveria Kurti nuk na trajton si partner… Më qartë se kaq, nuk ka se si të thuhet. Kurti deshi, duke manipuluar me kuptimësinë, të pohojë të kundërtën, se ai bashkëpunon me SHBA, por shpejt erdhi demontimi nga ambasadori Jeffrey M. Havonier: Është e pavërtetë! Nuk është pra se SHBA po duan ta prishin partneritetin me Kosovën, por është e kundërta.

Duket si një ëndërr e keqe, prej se cilës njeriu dëshiron të zgjohet minutë e më parë!

Disa pyetje fondamentale shtrohen në këtë gjendje: Çfarë po i kërkohet Kosovës që të shkohet deri në këtë ekstrem? Çka ka ndryshuar në konstelacionet ndërkombëtare, që Qeveria Kurti të lëndojë partneritetin me SHBA? Me mos bashkërendim me SHBA, kah po çohet Kosova, cila është alternativa?

Ajo që duhet theksuar që në fillim është se marrëdhëniet midis dy vendeve përgjithësisht, dhe të një partneriteti jetik si ai i Kosovës me SHBA, para se acarimet të bëhen publike, bëhet një përpjekje e fuqishme interne, me kanale shtetërore e diplomatike, për të gjetur zgjidhje. Vetëm kur ato nuk japin rezultate, mosmarrëveshjet bëhen publike. Këtë shkurt por qartë e pohoi O’Brian. Mos dëgjueshmëria apo veprimet e njëanshme sjellin pasoja! Ishte paralajmërim, nëse nuk veprohet me urgjencë në sanimin e tyre.

Nga ajo që është thënë publikisht deri më sot, nuk na ka kërkuar SHBA asgjë që të dëmtohet integriteti, sovraniteti dhe ekzistenca e shtetit të Kosovës. Nëse ka diçka të tillë, qeveria e ka për detyrë t’i tregojë popullit, e nëse nuk e bën këtë – ajo mban përgjegjësi.

Çështja më e mprehtë deri më tash, Asociacioni i komunave me shumicë serbe që tash nga BE është propozuar nivel autonomie, do të mund të ishte e vetmja arsye për çka do të mund të këmbëngulej në të kundërtën qoftë edhe duke i acaruara raportet me aleatët – sepse një autonomi e tillë e lëndon rëndë ekzistencën e shtetit të Kosovës.  Jo, nuk është kjo, sepse për Asociacionin është pajtuar Kryeministri Kurti. Atëherë?

Bëhet fjalë për disa veprime që nuk ishin aq imediate, aq të ngutshme dhe pa zgjidhjen e të cilave pikërisht në këtë kohë – Kosova do të minohej nga brenda. Për asnjë nga këto veprime nuk është thënë se është e gabuar në parim, madje është thënë se janë të drejta, porse është kërkuar të bëhen me takt tjetër dhe sipas sugjerimeve amerikane. Krejt çka është kërkuar, pra, është dëgjueshmëri, me fjalë të tjera bashkërendim – e kështu Kosova e kishte shansin historik të bëhej pjesë kontributdhënëse e gjeopolitikës amerikane, të rriste besimin dhe të përforconte pozicionin e vet. Pikërisht këtë, në disa raste, që më pas u treguan të mprehta dhe çuan në eskalim, Qeveria Kurti nuk e ka bërë, por ka vepruar njëanshëm duke u treguar jo bashkërenduese.

Për veprimet që mund të kenë pasoja dhe që pastaj të sjellin involvimin politik, diplomatik e madje edhe ushtarak të partnerëve, nuk mund të veprojë asnjë vend njëanshëm e të presë që partnerët t’i dalin zot. Gabimet e Qeverisë Kurti nuk janë se veprimet e ndërmarra ishin të padrejta, dhe ato definitivisht nuk ishin aspak kundër minoritetit serb e në parim ishin në të mirë të tij, por mënyra e veprimit ishte e tillë që më shumë shkaktonte telashe se sa zgjidhte probleme. Mund të provohet një rast, dhe kur shihet rezultati i kundërt, nuk duhet më të përsëritet, sepse paraprakisht dihen pasojat. E nëse përsëritet, atëherë ka rrjedhoja.

Ju kujtohet kur në një moment Kryeministri Kurti deklaroi se ambasadori Havonier kishte më shumë informacione se sa ai, me çka, tërthorazi, pranoi se ai kishte mungesë të dijes në veprimet e tij, gjë që dukej sikur e kishte kuptuar se duhej të dëgjonte sugjerimet amerikane dhe të vepronte në përputhje me to. Për fat të keq, ne veprimet e ngjashme, përsëri u veprua pa bashkërendim.

Dhe mu në kulmin e tendosjes së marrëdhënieve me amerikanët, kryediplomatja Gërvalla shfrytëzon rastin në mënyrë provincial t’u thure elozhe kryeministrit Kurti. Elozhe, pse po i reziston SHBA, që nuk po bashkërendon me amerikanët? Kurse ajo që mban postin e presidentes, e ex officio edhe te komandantit suprem, gjithçka bën për të ruajtur postin që ka, ndaj dhe nuk ka qëndrim, e përpiqet të thotë diçka pa thënë asgjë!

*

Tashmë dihet se Serbia ka resurse, përvojë dhe mbështetje nga shtete e shërbime të shumta, që janë armiqësore ndaj Kosovës, dhe ajo po bashkërendohet në këto konstelacione, sa ndonëse në veprime është gabim dhe është shkaktare reale e tensioneve, konflikteve dhe edhe e nxitjeve për luftë, po duket para botës si më konstruktive se sa Kosova!

Vuçiq shfrytëzon çdo rast për të dhënë goditje, për të prishur imazhin e Kosovës në sy të Perëndimit para se gjithash e edhe të botës në përgjithësi, për ta paraqitur Kosovën si shkaktare të tensioneve e trazirave, të cilat vet ajo i nxitë, por që Kosova po ia krijon rrethanat që asaj i duhen.

Amerikanët këtë e dinë fare mirë, por ata kanë qëllime dhe plane të tjera taktike e strategjike në kuadër të gjeopolitikës perëndimore, ndaj po i kërkojnë Kosovës që ajo të japë kontributin e vet duke u bashkërenduar, në stilin që mishi të piqet e helli të mos digjet!

Po Qeveria Kurti në emër të shtrirjes së sovranitetit, me veprimet e saja po e humb përkrahjen e partnerëve si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania e kështu edhe nga të gjithë vendet perëndimore. A mundet kundër Serbisë të sendërtojë sovranitet Kosova pa mbështetjen e madhe të partnerëve perëndimorë? Me mbështetjen e tyre, ani me mjaft vështirësi, ngadalë, hap pas hapi e mezi po realizohet.

*

Kur i dëgjoj qeveritarët Kurti të flasin për sovranitetin, më krijohet përshtypja sikur ata flasin nga pozitat e një shteti superfuqi e jo nga pozita e Kosovës. Kosova shtet me dhunë nuk mund të bëhet sepse kemi një armik që është shumëherë më i fuqishëm se ne, po ne do të mund t’ia dalim vetëm me diplomaci, mençuri dhe dëgjueshmëri domethënë bashkërendim me SHBA.

Kur i dëgjon deklaratat e pushtetarëve në krye me Kurtin krijohet përshtypja se kanë harruar specifikën e Kosovës, faktin se ende në fuqi është Rezoluta 1244 e OKB dhe do të mbetet e tillë përderisa Kosova nuk do të pranohet anëtare e OKB. Për aq kohë sa do të jetë ajo Rezolutë në fuqi, Kosova ndodhet përballë rreziqeve ekzistenciale sepse në OKB Rusia, Kina e India hapur janë pozicionuar kundër shtetit të Kosovës dhe mund ta bllokojnë në Këshillin e Sigurimit pranimin e saj anëtar të organizatës së kombeve. Këtyre rreziqeve Kosova u ka bërë ballë vetëm në një mënyrë: duke u bashkërenduar për gjithçka me SHBA.

Gjendja e rreziqeve si nga Serbia ashtu edhe nga rrethanat ndërkombëtare janë po ato që kanë qenë dhe asgjë nuk ka ndryshuar në ato përmasa sa të shtrohet nevoja jetike për të rishikuar raportet e Kosovës me SHBA dhe për të përcaktuar një kurs të ri, një rreshtim tjetër gjeopolitik.

E pra, si në Qeverinë Kurti 1 edhe tash, sidomos tash, në Qeverinë Kurti 2, po ndodhë një proces kontinuel i degradimit të raporteve të Kosovës më SHBA, në mënyrë permanente dhe sistematike, me ndonjë rast përjashtimi, dhe është i dukshëm kursi i largimit nga partneriteti më amerikanët, madje, çka është më e keqja, ky kurs tash mori përmasat e prishjes edhe me BE, me një fjalë – përgjithësisht me perëndimin. Në mënyrë logjike, dhe madje jetike, për Kosovën dhe popullin e saj shtrohet një pyetje: ku do të mbështetemi ne, ose kush do të na mbështesë neve nëse jo SHBA dhe BE? Kush mund të jetë partneri alternativ, nëse ka?

E pra, historia jonë kombëtare, si ajo e Shqipërisë edhe e Kosovës, na tregon katërçipërisht se pa mbështetjen e Perëndimit, posaçërisht të SHBA, nuk do të kishim shtete dhe mbase ende do të ishim në rrezik ekzistencial.

*

Çdo shqiptar në përgjithësi e sidomos ata që merren me politikë, qoftë drejtpërdrejtë e qoftë përmes militimit në parti politike, e kanë për detyrë morale, e në disa raste besa edhe kombëtare, që të pyesin veten se kjo që po ndodhë – a është e mirë për Kosovën apo e keqe? A mundet Kosova e vetme të përballet me Serbinë në planin diplomatik e politik ne OKB?

Duket se disa janë lajthitur se do të jetë KFOR-i, domethënë NATO, ajo që do të luftojë për Kosovën. KFOR-i mund të involvohet vetëm po qe se ia mësyjnë forcat ushtarake serbe për agresion ndaj Kosovës, sepse e ka mandat (me Rezolutën 1244 sic) të mbrojë kufijtë e Kosovës. Këtë e di mirë Serbia, dhe ajo mundet ta bëjë këtë vetëm në funksion të ndonjë plani gjeostrategjik ruso-serb. Serbia kryesisht, besoj unë, do të veprojë përmes minoritetit serb, që disa politikanë minoritar i ka instrumentalizuar me anë të përfitimeve personale, pushtetit, shantazhit, dhunës e terrorit ndaj të padëgjuarve. Pra, veprimet do të jenë nga brenda vendit, si rezistencë e serbëve lokalë, me mbështetje e propagandë nga Beogradi. Një konflikt i armatosur apo kryengritje e brendshme do të vinte para një sfide KFOR-in dhe tërë Perëndimin. Serbia sigurisht nuk i nxit në veprime vetëm kundër Kosovës, por edhe në shërbim të gjeopolitikës, të veprimeve taktike e strategjike ruso-serbe, për çka SHBA duan të mos i krijojnë favore të tilla Serbisë, me veprime të nxituara politike, ani se juridikisht ato janë të drejta dhe do të ishin krejt të duhura në një gjendje normale.

Ish emisari Grenell, së voni deklaroi se ushtarët amerikan nuk duhet të vriten në Kosovë për shkak të mosdëgjimit të Kurtit, dhe sikur paralajmëroi mundësinë e tërheqjes amerikane. Vetëm edhe si deklaratë, kjo është një ogur kobshëm.

Madje, këtyre ditëve u bë krejt e qartë ajo që kryeministri Kurti ishte munduar ta turbullonte. Ai kishte thënë se ishte president Trump me të cilin nuk pajtohej dhe për ta dëshmuar këtë, kishte dalë asokohe në anën e kandidatit për president Joe Biden. Nuk shkoi shumë dhe edhe me administratën Biden nisi degradimin e raporteve. Akrobacionet e Kurtit tashmë e kanë lënduar imazhin e Kosovës në perëndim, sa Kosova të perceptohet si fajtore dhe besimi ndaj Kosovës te aleatët është thuajse zero.

Prandaj, kushdo që mendon se u kemi mbetur në duar SHBA dhe NATO-s, të tillët nuk i kuptojnë aspak gjeopolitikat dhe gjeostrategjitë globale, po gjykojnë me kutin e provincës. Nuk është e vështirë të supozohet ndonjë situatë kur Serbia do të mund të rreshtohej me SHBA-BE dhe Kosova të binte në kurthin e vet. Në një rast të tillë, mund të merret me mend se ku do të katandisej Kosova!

*

Unë e kam theksuar disa herë në shkrimet e mia se Kosova çdo gjë që ka mbërri deri më tash e ka mbërri vetëm në bashkërendim me SHBA, dhe sa herë ka ndodhur kjo  – Kosovës i ka rënë mirë. E kur nuk ndodhë bashkërendimi me SHBA – asnjëherë Kosovës, në këto rrethana për ne dhe në këto konstelacione ndërkombëtare, nuk i ka rënë mirë dhe nuk ka se si t’i bie mirë.

Një lider mund të lërë përshtypjen e një njeriu të madh, duke përcaktuar dhe ndjekur një kurs me përmasa të mëdha, por se a do të jetë i tillë apo jo nuk e tregojnë përmasat dhe përcaktimet, as retorike e lidershipit e as besimet e militantëve, por e tregojnë rezultatet, arritjet ose dështimet, ecjet përpara ose ecjet pas. Qeverisë Kurti i dolën kundër aleatet më të ngushtë dhe e tërë bota në Këshill të Sigurimit. Kjo nuk është sukses, por dështim.

Po qe se u hidhet një sy qëndrimeve virtuale në rrjete të ndryshme sociale, por edhe deklaratave të niveleve të ndryshme të politikanëve në pushtet, nuk është e zorshme për ta shquar se ata ndjehen krenar që doli një njeri që i kundërvihet edhe perëndimit, sepse kjo ju ka munguar të gjithë liderëve paraprak të Kosovës. Një krenari delirante, që kënaqet kur duhet t’i thirret mendjes!

Si mund të mbrohet shtetësia e Kosovës, vallë, sot, po qe se i çojnë duart nga ne SHBA dhe BE?

Kush nuk e merr parasysh faktin se Kosova është në një rrethanë kur ekzistenca e saj mund të vihet fare lehtë në pikëpyetje, dhe të drejtën e ligjet i konsideron si të mjaftueshme për t’i bindur të tjerët dhe për të fituar mbështetje – ka keqperceptim të realitetit gjeopolitik. Këtë e tregoi mbledhja e Këshillit të Sigurimit, e thirrur nga Serbia për çështjen e dinarit, ku të gjithë aleatët perëndimorë e kritikuan Kosovën. E qartë: veprimet e njëanshme mund të kenë pasoja dhe të prekin kualitetin e raporteve të Kosovës me perëndimorët.

*

Në mënyrë delirante pushtetarët po tregojnë kujdes që ta përshkallëzojnë konfrontimin me SHBA dhe me perëndimin. Deklarimet e fundit të B. Bislimit kundrejt ambasadorit amerikan Hovenier dhe kundër BE, janë një maskaradë e vërtetë politike. Këtij deliri i bashkëngjiten edhe disa deputet të pushtetit. Në vend që të reflektohet dhe të bëhet një tërheqje e mençur dhe të korrektohet aq sa mund të korrektohen qëndrimet jo bashkërenduese të shprehura publikisht, lansohen qëndrime, që duket sikur SHBA dhe BE duhet të tmerrohen prej tyre.

Në raport me Serbinë nëse Kosova ka pasur ndonjë forcë, ajo ka qenë të morali, te vendosmëria në luftë kundër saj por edhe te mençuria për t’i bërë aleatët ta kuptojnë kauzën shqiptare. Vendosmëria për sakrifica përgjatë dekadave për liri, dhe në fund edhe rrokja e armëve nga UÇK për të luftuar agresionin serb dhe dakordimi për bashkërendim– i bindi SHBA që të na marrin në mbrojtje. Fuqia jonë ishte te kauzat e drejta, te bashkërendimi dhe te besimi ndaj SHBA dhe aleatëve Perëndimor.

Qysh Qeveria Kurti 1 dhe tash Qeveria Kurti 2 kanë shtruar kauza që në aparencë janë të drejta, por politikisht janë jo në kohën e duhur dhe jo të domosdoshme. Po qe se do të ishte fjala, për shembull, për një shtet të etabluar dhe të njohur ndërkombëtarisht, puna e targave, puna e pushtetit ilegal të një shteti tjetër dhe kjo e funksionimit të një valute paralele – do të zgjidheshin ashtu sikurse Kurti po bën, duke marrë vendime dhe duke i zbatuar ato sipas ligjeve në fuqi. Por Kosova ende nuk i ka ndarë dhentë e dhitë me Serbinë në aspektin ndërkombëtar. Prandaj, në gjendjen në të cilën ndodhet Kosova, kur armiku i saj, shovinizmi serb në krye me Vuçiq, pret si hijenë në pusi për lajthitje dhe hapa që i japin pretekste veprimi kundër Kosovës, nuk do të duhej në asgjë të vepronte kokë më vete, po për gjithçka paraprakisht të bashkërendohej dhe ashtu e për aq sa të pajtoheshin SHBA. Vetëm duke u treguar të dëgjueshëm, në kuptimin e konstruktivitetit dhe veprimit si partner për të harmonizuar veprimet taktike në kuadër të gjeostrategjisë për Ballkanin Perëndimor, ndaj SHBA-ve, si shteti që është sponsorizues i pavarësisë së Kosovës dhe shtetbërjes së saj, dhe duke vepruar ashtu sikurse të rekomandojnë amerikanët, Kosova mundet të shmang interferimet e Serbisë. Për fat të keq, sikurse po e thonë tashmë të zhgënjyer amerikanët, krejt të kundërtën po bën Qeveria Kurti. Dhe pikërisht kjo e ka acaruar gjendjen me sponsorizuesin e pavarësisë sonë, deri në atë masë sa të na thotë se do të na trajtojë ashtu sikurse Qeveria Kurti po e trajton atë!

*

SHBA e kanë pasur të vështirë të dalin publikisht e të deklarohen për mos bashkërendimin e Kosovës, për shkak se Kosova ishte storie e suksesit e SHBA për lirinë e popujve të vegjël, por erdhi gjendja deri aty sa u detyruan ta bëjnë. Dhe kjo, kuptohet, shpreh rënien e kualitetit të marrëdhënieve midis dy vendeve në nivelin më të ulët ndonjëherë.

Kujt nuk i kujtohen vallë deklaratat e fuqishme të Escobar, i cili thoshte se asnjëherë SHBA nuk ka bërë asnjë veprim që do ta dëmtonte Kosovën. Po të kishte diçka të kundërt, do të duhej Kurti të dilte e ta thoshte.

SHBA ka strategji afatgjata e të përmasave globale, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, e ne jemi në kuadër të saj, por që roli ynë mund të jetë i madh dhe produktiv, ashtu sikurse është roli i Shqipërisë, po qe se do të ishim konstruktiv, luajalë dhe bashkërendues. Ose mund të jetë e kundërta siç po ndodh.

Ajo që kërkohet është që Kosova të jetë krah SHBA në gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë e saj. Ndryshe, jemi gabim. SHBA mund të gjejë partner alternativë, por ne nuk mundemi të gjejmë një SHBA alternative. Sidomos jo pasi e kemi humbur besimin te Perëndimi. Sepse cili vend do të jetë ai që do të thotë se duhet ta mbështesë Kosovën, kur kjo ia ktheu shpinën SHBA dhe i shkaktonte probleme kur duhej t’i evitonte ato?

Besimi është një vlerë e madhe në Perëndim. Ju kujtohet presidenti Macron kur e tha në Tiranë se Kurti është treguar i pabesë. Ajo ishte një paralajmërim, se nëse nuk ka besueshmëri në partneritet, atëherë sjelljet ndryshojnë. Dhe, një shembull, i thjeshtë janë sanksionet që ju vendosen Kosovës, madje pa i quajtur sanksione. Por mund të ketë edhe më keq, dhe kjo mund të na pres, po qe se vazhdon arroganca qeveritare. Kur nuk ka besueshmëri dhe partneritet, gjërat nuk diskutohen, por diktohen!

*

Ardhja e Kurtit në pushtet po ju kthehet si bumerang të gjithë atyre shteteve që e kanë mbështetur, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të cilat  duket se kanë bërë kalkulime të gabuara. Por, ndonëse po ju kushton edhe atyre, faturën kryesore do ta paguajë Kosova.

Serbia po manovron me Perëndimin, duke bërë një lloj flirtimi, kurse sjelljen reale e ka me aleatët e saj strategjikë, Rusinë, Kinën e Indinë me të cilët vetëm sa po i forcon bashkëpunimet. Së fundmi, edhe mundësia për futje në BRICS, një mekanizëm drejtpërdrejt antiamerikan, shpalos mundësi gjeopolitike antiperëndimore. Vuçiq, në mënyrë besnike dhe kundër Perëndimit, nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Ai po i përballon gjithë këtij presioni, por nuk po ia kthen shpinën aleatit të vet rus. Po, Vuçiq luan, dhe mund të luajë, me Perëndimin sepse ka tre aleatë alternativë që janë superfuqi. E Albin Kurti, si kryeministër, duhet t’i tregojë popullit shqiptar se cilët janë aleatët tanë alternativë?

Nëse nuk ka, dhe jam i bindur se nuk ka, atëherë të ndalojë kursin e largimit, ta ndryshojë drejtimin dhe të behet një bashkërendues me SHBA. Shprehja si të na trajtojë, do ta trajtojmë – e lë ende mundësinë hapur për kthim e normalizim. Nëse kjo nuk ndodhë, pasojat do të bien mbi Kosovën, por as shkaktarët nuk do t’ia dalin paç.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Michael Tasellari është shqiptari i parë që punon në kompaninë…