Për çmimin Nobel në letërsi
Bedri Islami
Në njërën nga ditët e fundit më rastisi të isha në Wçurzburg, një qytet i vjetër, ku e shkuara është pleksur me të tashmen.
Kam qenë shpesh atje gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Në një sallë të zakonshme, ku kishte edhe një aneks dhe mund të gatuhej, janë bërë disa nga mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, ku merrnin pjesë edhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë Politike të UÇK-së.
Por qytetin nuk e kisha vizituar. Kisha qenë deri në qendër, ku rrugët bashkohen e ndahen me njëra tjetrën, mes tyre ecin tramvajët e zhurmshëm, dyqanet e mëdha shfaqnin konfortin e tyre, por brenda nuk kisha qenë asnjëherë.
Aso kohe ne flinim në shtëpitë e shokëve dhe, ndërsa zhvilloheshin takimet e gjata, të zhurmshme nganjëherë, me përplasje dhe ide që në fund të fundit ishin lirisjellëse, disa nga anëtarët e organizatës, që nuk ishin pjesë e forumeve, gatuanin diçka dhe pushimet ishin të shkurtra.
Kësaj here kisha më shumë kohë dhe në një ditë të premte, si kjo, ndërsa binte shi dhe dola nga biblioteka e qytetit, vendosur në një godinë të stilit të vjetër, pas disa hapave, krejt në qendër, ishte një librari e madhe, e quajtur “Hugendubel”, disa katëshe, me konfortin që duan librat, hapësirat, disa katëshe dhe në secilin prej tyre mund të uleshe të lexoje, të pije një kafe dhe të shfletoje median e gjithë botës.
E ndjeva ngrohtësinë e veçantë që të jep prania e librit. E veçantë e dashur, mikluese, ndjellëse dhe , si gjithnjë, e papritur.
U afrova tek njëri ndër shitësit, që nuk janë bakallë librash, dhe e pyeta, nëse në librarinë e tyre kishin ndonjë libër të Ismail Kadaresë.
-Kadare, tha ai, mbajtësi i çmimit Nobel?
Dhe po hapte kompjuterin e tij, që, pas pak, e ktheu nga unë dhe më tregoi listën e pafund të botimeve Kadare në gjuhën gjerman.
Një listë e pafund vetëm në gjuhën gjermane.
I thashë se Kadare nuk është mbajtës i çmimit Nobel për letërsi, por që disa vite qëndron në listën e të propozuarve.
Nuk i mbushej mendja. Këmbëngulte për të më mbushur mendjen se ai është mbajtës i këtij çmimi.
I thashë se, për shkaqe që askush nuk i di, dhe që as ia vlejnë të dihen, ai nuk e ka këtë çmim, megjithëse lista e çmimeve dhe dafinave dhënë Atij është e pafund.
Shikonte në kompjuterin e tij , gjeti atë që kërkonte, u rrudh pak dhe m tha:
– Më vjen keq për ata që japin këtë Çmim. Vetëm për ata. Kadare është i gjithë botës.
U largova, përsëri nëpër një shi të imët që dukej sikur nuk do të kishte fund.
Kur dëgjova mbrëmjen e djeshme se kush ishte bartësi i këtij çmimi për vitin 2018mendja më shkoi tek ai librari, në nj qytet mesatar gjerman, tejet i lidhur me kulturën, si është Wurzburgu, tek rrokullisja e ngjarjeve dhe përsëritja e tyre në vite, sidomos tek një shkrimtar tjetër serb, Ivo Andriç, funksionar i lartë i qeverive jugosllave,fitues i këtij çmimi në vitin 1961, i cili hartoi planin brutal dhe gjenocidial për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe vendosjen atje të kolonëve serbë.
Çfarë po ndodh me ty Stokholm?
Mëkati i krimit ku nuk ke qenë kurrë pjesë?