Për dhe me Ismail Kadarenë në kohë të ndryshme

26 korrik 2024 | 09:41

Bedri Zyberaj

Virtualisht dhe realisht me Ismail Kadarenë

I

Duhet të ketë qenë vjeshta e vitit 1978. Atëkohë në librarinë e qytetit të Rahavecit e pata blerë romanin “Kështjella” të Ismail Kadaresë, botim i Sh. B. “Naim Frashëri” të Tiranës. Edhe më herët kisha lexuar nga ky shkrimtar fragmente poezish në tek­stet e “Leximit letrar” të klasave të ndryshme. Bile që në klasë të pestë kisha mësuar përmendsh vargje të tëra të poemës për fëmijë “Princesha Argjiro” të këtij autori. Nuk di se si, por librin që e pata blerë atë ditë fillova ta lexoja rrugës derisa po shkoja në fshatin tim në Drenovc, i cili nga Rahaveci ishte larg shtatë kilometra.

Ai lexim më pushtoi aq shumë saqë në gjysmë të rrugës, pasi kalova lakoren e udhës që përshkonte lumin Remnik dhe shpa­tet e tij, meqë ishte ditë vjeshte me diell, aty diku ku fillonte masivi i vreshtave të Ndërmarrjes Bujqësore dhe Industriale “Rahoveci”, ndalova për nja dy tri orë që të mos e ndërprisja leximin. Kur arrita në shtëpi, librin pothuajse e kisha mbaruar së lexuari.

Duke lexuar pastaj vepra të tjera të tij si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gurë”, më vonë “Dimri i madh” të cilin, në rrugë ilegale, ngaqë ishte e ndaluar të lexohej në Kosovë, ma pat dhënë ish-arsimtari i lëndës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Fetah Berisha etj., u mishërova aq shumë me këtë krijues saqë, për mua dhe për ndonjë shok timin, ai së bashku me Agollin erdhën dhe u bënë pikat kryesore orientuese për ecejaken tonë të mëtutjeshme në fushën e leximit.

Kur jemi te romani “Dimri i madh”, që fillimisht kishte titu­llin “Dimri i vetmisë së madhe”, i cili, siç thashë më lart, në vitet ’70-’80 të shekullit të kaluar ishte i ndaluar në Kosovë, më ka bërë përshtypje një fakt interesant se, pas rënies së sistemit monist, ky roman është e vetmja vepër e Ismail Kadaresë që nuk është botuar as dhe një herë të vetme, pavarësisht prej faktit që pas veprave të tjera të këtij autori kishte një rendje të etshme të shtëpive botuese për botimin e tyre.

Megjithatë, kjo është një çështje tjetër. T’i kthehem asaj që është temë në këtë rast.

Ngaqë e doja shumë si krijues, kur Ismail Kadare ishte për vizitë në Kosovë më 1980, me ç’rast “Rilindja” pat botuar një komplet të veprave të tij prej 10 vëllimesh, “Zëri i rinisë”, në faqen e fundit, ia pat botuar një fotografi. Unë e mora atë foto­grafi të Ismail Kadaresë dhe ia bashkova fotografisë së Naim Frashërit dhe të Migjenit dhe bëra një kompozicion brenda një kornize të vetme që e mbaja të varur në dhomën time të gjumit.

Pas rreth 20 vjetësh, më 1998, ajo kornizë me ato tri fotografi u dogjën nga zjarri i luftës.

II

Pas rënies së sistemit monist në Shqipëri dhe sidomos pas largimit të Ismail Kadaresë nga atdheu për në Francë, mbi të u lëshua një valë trillimesh, shpifjesh dhe akuzash nga më të ndryshmet. Njëra ishte edhe një letër e botuar më 25.VII.1992, në javoren politike shqiptare “Zëri” që dilte në Prishtinë, në të cilën shprehej një protestë e Qendrës Islame Shqiptaro-Ameri­kane në ShBA kundër “disa qëndrimeve tejet negative… të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, të shprehura kohëve te fundit si në veprat e tija, (nënvizim imi, B. Z.), ashtu edhe përmes intervistave të tija në shtypin e jashtëm, të cilat janë drejtuar direkt kundër islamizmit.”

Kundër kësaj letre protestuese, më 22.VIII.1992, në të njëjtën gazetë kam botuar reagimin me titull “Ismail Kadare dhe opi­nioni kulturor shqiptar”. Në atë reagim kam shprehur vlerë­simin tim për veprën e Ismail Kadaresë, duke e çmuar atë si të pashoqe në letërsinë tonë dhe si të vetmen që merrej me çështje që nuk ishin në fokus të letërsisë së socrealizmit.

Kundërreagim ndaj shkrimit tim nuk pati, por reagime të eks­ponentëve islamistë në takimet e rastit po, sidomos të një kate­gorie që jepnin shenja se do të rreshtoheshin në skuadronet e ideologjisë fetare që sapo kishin filluar të konsolidoheshin.

Po në këtë vit, për nder të 80-vjetorit të Pavarësisë së Shqi­përisë, Instituti Albanologjik në Prishtinë organizoi simpozium, në të cilin unë paraqita temën “Gjendja e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në dritën e një vepre letrare”, duke u fokusuar në të vërtetat artistike të romanit të Kadaresë “Viti i mbrapshtë”.

III

Një fushatë e tillë kundër këtij krijuesi të veçantë të letërsisë sonë i cili, me veprën e vet kishte shpërthyer kufijtë e arealit shqiptar dhe ishte pranuar në përmasa ndërkontinentale, vazh­doi për më shumë se një dekadë. Dhe Kadareja, si duket, nuk ia doli të ishte indiferent dhe të mbante qëndrim mospërfillës ndaj kësaj fushate. Prandaj, në sprovat e ndryshme që janë karakteristikë e shkrimeve të tij të kësaj periudhe e sidomos në intervista të shumta, shpeshherë shfaqte një intencë, një për­pjekje disi të vazhdueshme për ta bindur opinionin se ai nuk kishte qenë pjesë e sistemit që tanimë kishte rënë.

Duke mos e pëlqyer këtë gjë, në punimin tim të magjistra­turës bëj dhe një fusnotë të cilën po jua sjell të plotë siç e kam shkruar në vitet 2002/03.

Mendoj se ura e “Urës me tri harqe” e Ismail Kadaresë nuk është e rastit. Ajo më tepër është shpërthim i diçkaje që është mbrujtur me shekuj, por që momentin më të përshtatshëm për t’u projektuar si ide dhe si vepër e tillë çfarë është në këtë rast, e kishte pikërisht gjatë kohës së izolimit. Ajo mëton të kapë anën e tjetër të lumit. Ndoshta anën tjetër të Adriatikut – Perëndimin. Pavarësisht intenca e Ismail Kada­resë që tani sikur me çdo kusht do të na mbushë mendjen se ai, gjatë kësaj periudhe (të izolimit) nuk ishte pjesë e atij sistemi totalitar dhe e asaj kohe, mua për vete më duket e panevojshme dhe aspak e arsye­shme. Unë mendoj se në këtë rast ka një të vërtetë tjetër.

Ai dhe të gjithë të tjerët (fjala është sidomos për krijuesit) ishin pjesë e asaj kohe dhe atij sistemi, por ishin pjesa më njerëzore e cila edhe në ato rrethana të vështira përpiqej të krijonte finesat e duhura njerëzore për ruajtjen e idesë së lirisë apo vlerave të tjera njerëzore. A nuk ia kishte thënë Lasgushi një fjalë interesante Kadaresë gjatë bisedave që ky kishte zhvilluar me të? “Kur e dënuam Vinçenc Prenushin” e kishte përdorur ai shprehjen. Dmth. Lasgushi e përfshin edhe veten në dëni­min e Prenushit duke e përdorur përemrin vetor të vetës së parë në shumës e jo atë të vetës së tretë. E kishte bërë këtë pa asnjë mëdyshje, siç e rrëfen Kadare, sepse ai ishte i ndërgjegjshëm për atë pjesë të përgjegjësisë që i takonte brenda asaj kohe, pavarësisht nëse merrte pjesë drejtpërdrejt apo jo në ato procese, prandaj edhe nuk e përjashton veten nga koha në të cilën shumë gjëra po ndodhnin përkundër dëshirës së tij. Në këtë rast kemi të bëjmë me etikën e krijuesit i cili asnjëherë nuk mjaftohet me veten për ato që ka bërë.

Prandaj dhe Kadare dhe asnjë tjetër që kanë krijuar vepra me vlerë gjatë asaj periudhe nuk duhet të brengosen për ato që mund të thuhen nga njerëz smirëzinj e meskinë, të cilët, të vetmen gjë që kanë si karakteristikë të veten, kanë shkathtësinë për t’i shfrytëzuar rastet për ta gjuajtur gurin e fshehur dorën kundrejt asaj që për shumë arsye është e pamundur të realizo­het përmes tyre si krijimtari me vlerë.

IV

Pas ofensivës së 3, 4 dhe 5 shtatorit të vitit 1998 në regjionin tonë (pjesën veriperëndimore të Rahavecit), kur digjet edhe fshati im si rreth 20 fshatra të tjera të asaj ane dhe kur unë dhe familja ime tani kishim mbetur pa strehë mbi kokë, kah mesi i tetorit bëmë një bisedë telefonike me shokun tim të studimeve që në këtë kohë ishte në Gjermani – Rexhep Hotin. Ai intere­sohej shumë për luftën dhe gjatë asaj bisede të parë që bëmë pas asaj ofensive, më pyeti edhe për librat, respektivisht për bibliotekën time personale.

I tregova se janë djegur thuajse të gjitha librat, me përjashtim të një numri kompletesh të rilindësve, kolana e Rilindjes dhe kompleti i Çabejt të cilat kishte arritur t’i tërhiqte paraprakisht im atë duke i futur në një pirg gurishteje që ndodhej në oborrin tonë, aty ku disa vjet më parë kishim bërë gërmime për ta hapur një pus. Rexhepi më shprehu keqardhje.

Unë dhe tërë familja tani kishim mbetur pa shtëpi e katandi. Të vetmen pasuri që kishim ishin rrobat në trup.

– Rexhë (kështu e thërrisja shpesh), nëse shpëtoj nga lufta, pas përfundimit të saj, dua që të ma blesh kompletin e Kadaresë.

– Uroj që të çlirohet Kosova dhe ta mbijetosh luftën! – ma ktheu Rexha. – Sa për kompletin e Kadaresë, mos ke merak se do ta blej! – m’u zotua.

Lufta përfundoi, Kosova u çlirua dhe Rexhep Hoti u kthye në Kosovë. Premtimin e dhënë përmes telefonit kur kishim folur, unë në Grap të Panorcit të Malishevës e ai në Gjermani, e mbajti. Ma kishte blerë dhe ma solli kompletin e veprave të Kadaresë prej 10 vëllimesh – botim i “Fayardit” të Parisit, të cilin sot e ruaj si dhuratën më të vlershme nga një mik imi. Më vonë atë komplet e kam plotësuar edhe me vëllimin XI që u botua pas një kohe.

V

Në nëntor të vitit 1999, pak më shumë se pesë muaj pas për­fundimit të luftës së UÇK-së, në Prishtinë qe mbajtur Panairi i Librit. Në atë ngjarje kulturore të veçantë për kohën kur po mbahej, ishin pjesëmarrës pothuajse të gjitha personalitetet e jetës kulturore dhe politike të kohës. Përveç krijuesve më të njohur nga Kosova, ishin edhe dy korifenjtë e letrave shqipe: Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare. Mund të ketë qenë edhe Fatos Arapi, por unë nuk e kam parë. Kështu që nuk mund ta them me siguri në ka qenë apo jo. Kam takuar edhe poetë të tjerë me atë rast, si Koçi Petritin, me të cilin jemi takuar në Prekaz e ndonjë tjetër. Por me Ismail Kadarenë kam qëndruar pak më gjatë se me të tjerët.

Fillimisht, në ditën e parë të hapjes së panairit, derisa isha me time shoqe – Naxhijen dhe me profesor Vincën që, po ashtu, kishte në krah bashkëshorten e vet, Fluturën, derisa po vizi­tonim stendat e shtëpive botuese, u drejtuam drejt stendës së “Onufrit”, ku Kadare nënshkruante librat e vet për lexu­esit. Profesor Vinca, që nga larg, meqë e njihte, më tregoi për vajzën e Kadaresë – Gresën, duke ma treguar me gisht se cila ishte. Ajo na diktoi që po e shikonim atë dhe po shkonim drejt saj. Kur arritëm në një distancë që, sipas llogaritjes sime, mund të na dëgjonte, fillova t’i recitoja vargjet:

Ky qytet me ura e kthesa

Ky qytet i gurtë i pastër,

Siç e ke ti emrin Gresa

E ka emrin Gjirokastër.

– Uaaaa! E ditke përmendësh! Shpërtheu ajo e habitur derisa po zgjaste dorën për t’u përshëndetur.

– E di pra! Si mos ta di?! – ia ktheva unë.

– U përshëndetëm dhe për disa çaste qëndruam bashkë, duke e vështruar herë pas here babanë e saj e shkrimtarin tonë teksa po nënshkruante librin “Ra ky mor e u pamë” që ishte botuar atë vit.

Në fund u përshëndetëm dhe e porosita që të nesërmen do të shkoja në hotel ta takoja për kafe atë dhe prindërit e saj.

Të nesërmen shkova në “Grand Hotel” dhe i ftova me telefon nga recepcioni. Fillimisht doli Gresa, pastaj çifti Helena dhe Ismail Kadare.

U përshëndetëm, por fillimisht qëndruam pak, vetëm sa pimë një kafe, sepse Ismail Kadare kërkoi leje të shkëputej nga ne për një intervistë që i kishte premtuar një medies. Ne me Elenën, një zonjë e vërtetë, na ra të rrinim gjatë bashkë dhe biseda që e kishim ishte për luftën, me përqendrim te fati i Ukshin Hotit.

Meqë rrinim për herë të parë dhe nuk më njihnin, unë duke e ditur raportin që kishte Rexhep Hoti me familjen Kadare, me qëllimin që ta zbusja distancën e natyrshme të rasteve të tilla kur njerëzit takohen për herë të parë, u tregova se me Rexhepin kemi qenë shokë të studimeve dhe se jemi miq.

– Vërtet?! Ne e kemi mik shtëpie Rexhepin – më thanë pothuaj në të njëjtën kohë Elena me Gresën.

Për pak kohë na u bashkua edhe motra e Ukshinit, Myrvetja. Pastaj erdhi dhe Ismail Kadare dhe e vazhduam bisedën edhe me të, po për Ukshin Hotin. Përveç dramës që kishte në vete biseda e këtij takimi (fati i Ukshin Hotit), për mua ishte një ndjenjë e veçantë gëzimi që po e takoja atë krijues, librat e të cilit, si të asnjë shkrimtari tjetër, i kisha lexuar të gjitha. Shumë prej tyre, për herë të dytë, më se gjysmën për herë të tretë e ndonjërin, p. sh. “Kush e solli Doruntinën”, “Prillin e thyer” apo “Vitin e mbrapshtë”, edhe për herë të katërt. Tani kur autorin e atyre librave që i kisha lexuar e rilexuar me endje e kisha afër, më bënte përshtypje pamja e tij enigmatike e sfor­cuar me syze, mbrapa të cilave më dukej se qëndronte një uni­vers i mbuluar me misticizëm. Diçka që e kisha ndier si nën­tekst i thënies së të tjerëve e që vetë Kadare e kishte përshkruar në disa pjesë të librit të tij “Ftesë në Studio”.

Më 22 nëntor, në njërin nga mjediset e Pallatit të Rinisë, rrjeti rinor kishte organizuar një veprimtari për pengjet që Serbia i kishte marrë me vete pas kapitullimit dhe largimit nga Kosova. Me atë rast, edhe gazetari i Radios “Kosova e lirë”, Habib Zogaj, hapi ekspozitën me fotografi të luftës për masakrën e Burimit. Aty ishte edhe çifti Kadare me vajzën Gresën. Meqë tani po njiheshim sepse ishim takuar dy herë më parë, Gresa ma kërkoi një ndihmë.

– Unë nuk e kam idenë nga ç’armë janë këto plagë të vikti­mave! Janë nga armë të zjarrit apo nga armë të ftohta?

– Disa janë nga armë zjarri e disa nga armë të ftohta – iu për­gjigja.

Pastaj pamë secilën fotografi dhe lexuam legjendat që autori ua kishte shënuar.

Në këtë aktivitet, përveç meje dhe Naxhijes, ishin edhe anëta­rët e tjerë të familjes sime, babai im, motrat (Zyhraja, Teuta dhe Vjollca – vajza e xhaxhait) dhe djali im, Jetliri. Në një çast, ndërsa unë me Gresën ishim në anën tjetër që ishte Ismail Kadare (sepse edhe aty njerëzit e mbanin të rrethuar), shkon babai im – Bajram Zyberaj dhe përshëndetet me të.

Gresa e kap këtë moment dhe më thotë:

– Interesant! E duan dhe e nderojnë shumë babanë këtu në Kosovë. Kam parë edhe në aeroplan që njerëz të moshuar, me çeleshe mbi kokë, vinin dhe e përshëndesnin ngrohtësisht. Ja kështu si puna e atij burrit me çeleshe mbi kokë që po bisedon me babin.

– Ai që është me çeleshe mbi kokë dhe që po e përshëndet babanë tënd është babai im! – ia pres unë.

– Vërtet?!

– Po! – i them.

E kujtoj këtë fakt edhe për një arsye tjetër, sepse të nesërmen im atë kthehet në fshat për ta rindërtuar shtëpinë që serbët na e kishin djegur në shtator të një viti më parë. Dhe babai rrëzohet, i bie një pllakë e betonit dhe ia thyen tri unaza të shtyllës kurri­zore. Prej asaj dite pastaj nuk u ngrit më në këmbë të veta derisa vdiq në janar të vitit 2001. Pra ajo natë ishte nata e fundit që im atë pat lëvizur në këmbë të veta.

VI

Në vitin 2004, derisa isha i burgosur nga UNMIK-u me pre­tendimin për gjoja krime të luftës sa isha në UÇK, në Burgun e Dubravës e lexova për herë të tretë romanin e Kadaresë “Koncert në fund të dimrit”. Me atë rast i bëra një analizë duke e krahasuar me “Komedinë hyjnore”, sidomos sa i përket kon­ceptimit dhe ndërthurjes së ngjarjeve në tri shtresa reale.

Si Komedia që ka tri pjesët e saj të veçanta, Ferrin, Purgatorin dhe Parajsën, Koncerti i Kadaresë lexuesit i ofron të tria këto shtresa.

Me ferrin e Dantes korrespondon zbritja e Mao Ce Dunit në shpellë për të medituar e që ka një ngjashmëri me zbritjen e Dantes në ferr. Përtej kësaj, pjesa më interesante e Koncertit është sidomos pjesa jo vetëm e nëndheshme, por edhe ajo e përtej vdekjes që në roman quhet si “zona e hijes”. Këtë depër­tim Kadare e realizon jo si Danteja përmes fantazisë dhe ima­gjinatës që në ferr zbret duke kërkuar ndihmën dhe shoqërimin e Virgjilit, por përmes teknologjisë së avancuar – çjentinçisë së Van Meit, e cila, pasi nxirret prej andej ku ishte ekzekutuar dhe varrosur mbajtësi i saj, Van Mei, ajo risjell zhurmën derisa mbulohej me ekskavator Van Mei e pastaj atë heshtjen e plotë të “zonës së hijes”, respektivisht të kohës së pasvdekjes së njeriut. Përveç kësaj, Koncerti ka edhe sipërfaqësoren e qiello­ren që koincidojnë me Purgatorin dhe Parajsën e Komedisë së Dantes. Prandaj edhe këtë analizë e pata titulluar “Një Komedi hyjnore e kohës sonë” me nëntitullin “Aspekte krahasimtare mes roma­nit ‘Koncert në fund të dimrit’ të Ismail Kadaresë dhe ‘Kome­disë hyjnore’ të Dante Aligierit, e cila, fillimisht qe botuar në revistën “Zëri” të datës 14 gusht 2004.

Kjo dhe analiza tjetër që u zu në gojë më lart për romanin “Viti i mbrapshtë”, pastaj u botuan në librin tim me studime, kritika dhe recensione “Në gjurmë të arketipave”, botim i Insti­tutit Albanologjik më 2013.

VII

Më 1 korrik 2024 gjithandej rruzullit tokësor u shpërnda lajmi se ka vdekur Ismail Kadare, shkrimtari që gjatë gjithë jetës së vet qëndroi i palëkundur nga përcaktimi dhe koncepti i tij për fuqinë e përjetshme të letërsisë, duke mos iu ndarë për asnjë çast asaj.

Më 3 korrik 2024 në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë iu bën nderimet e fundit para se rrethi i tij i ngushtë familjar ta përcillte në Varrezat e Tuhinës.

Me një buqetë lulesh të freskëta, në shenjë nderimi për pjesën fizike të këtij personaliteti që po e përmbyllte këtë ditë, sidomos në shenjë konsiderate për pjesën që do të jetë e përhershme – krijimtarinë e tij letrare, vajta në Tiranë me dy vajzat e mia, Orgetën dhe Elsën, për t’i bërë homazhe dhe për t’i shprehur ngushëllime familjes dhe të afërmve të tij.

Kadare iku, bëri tutje, por pas vetes ka lënë një thesar shpir­tëror që mendoj se do të jetë i gjithëkohshëm. Kush dëshiron të gjejë diçka për shpirtin e popullit, respektivisht të kombit shqip­tar, krahas veprës së De Radës dhe Naim Frashërit, patjetër duhet t’i drejtohet edhe veprës së Ismail Kadaresë.

Marrë nga numri 20 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
VETMI Qesh, dhe bota qesh me ty; Qaj, dhe qan…