Për dhimbjen dhe forcën e Mimozës
Libri “Kur dhimbja flet” i Mimozë Bytyqi Rrahmani është libër personal, me dëshirën dhe shpresën e autores që të bëhet libër motivues dhe trajnues për gra dhe për burra që kanë familjarë me nevoja të veçanta.
Është libër, siç e keni parë shumë prej jush, për të birin e saj. Për qenien më të dashur.
Është libër, ndër të tjera, për zbutjen e dhimbjes dhe për kërkimin e shumë përgjigjeve.
Letërsia, artet në përgjithësi, e zbusin dhimbjen sepse njerëzit bëjnë paralelizma.
Me këtë libër Mimoza, përpos që ka zbutur dhimbjen e vet, ka forcuar shoqërinë, ka rritur përkrahjen dhe, sigurisht, si pak gra të tjera, ka dhënë shembull se dhimbja nëpërmjet shprehjes në letërsi shndërrohet në forcë.
Gjatë leximit të poezive të këtij libri shohim shpeshherë gjendjen emocionale të autores. Një gjendje të ndryshueshme të cilën e vërejmë gjatë trajtimit të shumë temave e përballjeve me të papriturat e jetës. Shohim një Mimozë të përkushtuar, të dashur, të ndjeshme, që dashurisë i vë emrin e të birit.
Se si është shkruar ky libër, pak minuta më ka folur Mimoza për të. Disa poezi i ka shkruar në kafene, disa në banesë, disa në rrugë, disa në veturë në orë të ndryshme të ditës dhe të natës. Me një fjalë, janë poezi të rastit e të çastit. Dhe, besoj, poezitë që shkruhen aty për aty, varësisht prej gjendjes emocionale, janë poezi më të mira sesa ato që marrin shumë kohë e që shkruhen duke parë modele të tjera e duke shkruar sipas atyre modeleve. Meqë për mua ishte emër i panjohur, kur mora për botim librin e saj kam menduar se është autore e disa librave. Jo, ky është libri i saj i parë dhe shpresoj s’do të jetë i fundit.
Gjithashtu, sa kam vënë re, poezive nuk u është kthyer për herë të dytë. Nuk i ka stilizuar me figura stilistike. I ka veshur dhe ngjeshur me ndjenjat e veta në varg të bardhë. Prandaj as autorja, as redaktorja nuk më kanë lënë shumë punë për të bërë në këtë libër. Kryesisht punë teknike – faqosje, dizajn dhe shtyp.
M’u bë qejfi që, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, Mimoza na mblodhi këtu për ta uruar dhe për ta motivuar që krijimtarisë së vet poetike, t’i shtojë edhe ndonjë titull tjetër.
Shëndet dhe mbarësi!
Berat Armagedoni, botues
Fotografinë: Albana Bytyqi