Për disa në LDK, Thaçi është bërë burrë i mirë
Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se disa në Lidhjen Demokratike kanë ndryshuar qëndrim për presidentin Hashim Thaçi. Avdyli në “Facebook” ka thënë se për disa në partinë e Isa Mustafës, Thaçi është bërë burrë i mirë.
“2018 e thënë po që vlen edhe më shumë në ditët e sotshme. Apo ndoshta tani Hashim Thaqi për disa në LDK është bërë burrë i mirë”, ka thënë ai.
Këto komente Avdyli i ka bërë derisa ka kujtuar një shkrim të vitit 2018 ku, ndër të tjera, kishte deklaruar se presidenti historik, Ibrahim Rugova, sa ishte gjallë nuk e kishte lënë në asnjë pozitë Thaçin pasi që e kishte njoftuar. “A thua pse presidenti Rugova mbante larg pushtetit Hashim Thaçin? A thua dinte ai diçka më shumë se të tjerët? Pse ai s’lejoi asnjë pozitë për të sa ishte gjallë? Sepse ai e njohu, por edhe mbrojti Kosovën nga plangprishësit e tij. E sot le ta dinë të gjithë, se LDK s’do të lejohet asnjëherë më nga anëtarësia e saj, që dikush në emër të rugovizmit e në emër të interesit të Kosovës, që me manipulime e shtrembërime të opinionit ta dërgojë edhe një herë LDK-në në prehër të PDK-së, ta bëjë patericë të saj që PDK-ja ta ngrehë për hunde e ta poshtërojë sa herë të dojë LDK-në, edhe pse kishte kontratë me ne, sikur kur bëri me ‘Zanzibarin’, sikur kur detyroi turpshëm ta largojë presidentin Sejdiu, edhe së fundmi shkarkoi kryeministrin Mustafa në kulmin e suksesit të tij”, kishte shkruar ai.