Për Ditën Ndërkombëtare të Librit hapet ekspozita në qytetin e Podujevës
Dita Ndërkombëtare e Librit është shënuar me një ekspozitë në Bibliotekën e Qytetit, të cilën e hapi kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ku ishin të pranishëm edhe drejtoresha e Kulturës, Elhame Kutllovci, anëtarë të ekzekutivit dhe dashamirë të librit.
Në hapje të ekspozitës së organizuar nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bibliotekën e Qytetit, kryetari Bulliqi ka përgëzuar organizatorët e kësaj e kësaj ngjarjeje.
“Të gjithë lexuesve dhe dashamirëve të librit ua uroj Ditën Ndërkombëtare të Librit. E zgjodhëm bibliotekën, si vendin e librit dhe lexuesve të saj që me këtë ekspozitë ta shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Librit. Si kryetar Komune zotohem në krijimin edhe më të mirë te kushteve për lexuesit tanë dhe do të angazhohemi që këtë bibliotekë ta pasurojmë me tituj të ri, në mënyrë që lexuesi të ketë një fond të madh të titujve të librave”, ka thënë Bulliqi, duke shtuar se përkrahja institucionale nuk do të mungojë asnjëherë.
Ndërsa drejtoresha e Kulturës, Elhame Kutllovci, ka folur për angazhimin dhe projektet e Drejtorisë së Kulturës dhe për krijimin e kushteve më të mira për lexuesit në Bibliotekën e Qytetit.