Për dy muaj, Dogana mbledh 6,6 për qind më shumë të hyra
Në dy muajt e parë të këtij viti, Dogana e Kosovës ka inkasuar të hyra në rritje prej 6,6 për qind.
Siç njofton Dogana, në muajt janar-shkurt, të hyrat e përgjithshme kanë qenë në vlerë prej 141,2 milionë eurosh, apo krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, paraqet një rritje prej 8, 7 milionë euro.
“Ndikim në të hyrat e grumbulluara nga Dogana gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe MSA-ja, pakoja fiskale që i referohet lirimet nga taksat në import për prodhuesit. Ndikimi në të hyra nga MSA-ja përgjatë kësaj periudhe është rreth 7,5 milionë euro nga 5,2 milionë euro që ishte në dy mujorin e vitit të kaluar, derisa ndikimi në të hyra i pakos fiskale për prodhues rreth 10,8 milionë euro nga 7,6 milionë euro që ishte vitin e kaluar”, thuhet në komunikatën për media.
Dy institucionet që kontribuojnë më së shumti më buxhetin e Kosovës janë Administrata Tatimore e Kosovës dhe Doganat e Kosovës.
Buxheti i Kosovës për vitin 2019 kap vlerën prej 2,3 miliardë eurosh.