Për dy vjet, Kosova humbet dy investitorë strategjikë
Mbi 150 milionë euro investime të planifikuara në dy projekte të investitorëve ndërkombëtarë në Kosovë, gjatë dy vjetëve të fundit, nuk arritën të jetësohen.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo është humbje për ekonominë e vendit.
Bëhet fjalë për projektin “ÇiçavicaWindFarm” për prodhim të energjisë elektrike me erë, të kompanisë franceze “AkuoEnergy”, dhe atë të kompanisë britanike “MoxicoLuma Kosova Mining” për eksplorimin dhe verifikimin e burimeve minerale.
I pari, në vlerë mbi 100 milionë euro, i planifikuar nga viti 2021, nuk ka nisur të realizohet për shkak të mospërfundimit të procedurave për dhënien e statusit të investitorit strategjik.
Për këtë rast, Radio Evropa e Lirë ka raportuar në dhjetor të vitit 2021.
Sipas Ligjit për investime strategjike në Kosovë, statusi i investitorit strategjik i jepet atij që i kontribuon rritjes ekonomike, punësimit dhe zbatimit të teknologjive të reja, apo që ndikon në rritjen e mirëqenies dhe kushteve të jetesës së qytetarëve të Kosovës.
Vëllimi i investimeve për ta fituar këtë status duhet të jetë nga 10 deri në 30 milionë euro – varësisht nga sektori.
Për projektin e dytë të lartpërmendur, Qeveria e Kosovës, këtë javë, ka shfuqizuar një vendim të datës 13 dhjetor, 2022, me të cilin është konfirmuar “vullneti i Qeverisë për t’i proceduar Kuvendit vendimin për dhënien e statusit ‘investitor strategjik’ kompanisë ‘MoxicoLuma Kosova Mining’”.
Nga Qeveria e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se ky veprim është mbështetur në Ligjin për investime strategjike që, siç thuhet, i mundëson ekzekutivit të ndërmarrë masa të revokimit për dhënien e statusit të projektit strategjik.
Vendimi, sipas Qeverisë, është marrë duke iu referuar nenit 14, pika e parë e Ligjit për investime strategjike.
Në këtë nen thuhet:
“Në rast se përgjatë përgatitjeve dhe zbatimit të projektit investues strategjik, Komisioni [vlerësues] merr dëshmi të reja në bazë të të cilave konstaton dhe vërteton se në projektin investues ka të dhëna të pavërteta apo ndryshim të të dhënave, mbi bazën e të cilave nuk do të ishte vendosur për dhënien e statusit të investimit strategjik, Qeveria e revokon vendimin për dhënien e statusit të investitorit strategjik”.
Shpjegime të tjera nuk u dhanë.
Kapitali i investimit të kompanisë britanike ka qenë i paraparë të jetë mbi 45 milionë euro. Projekti, po ashtu, ka paraparë punësimin e 300 punëtorëve.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar më 19 prill kompaninë “MoxicoLuma Kosova Mining”, e cila ka thënë se nuk ka pranuar asgjë zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës në lidhje me tërheqjen e statusit të investitorit strategjik.
Të kontaktuar më vonë për t’u informuar nëse e kanë marrë vendimin, zyrtarë të kësaj kompanie nuk kanë pranuar të flasin.
Humbje zhgënjyese e investimeve
Të dyja këto projekte të investitorëve ndërkombëtarë kanë qenë të fokusuara në Komunën e Vushtrrisë, e cila gjendet rreth 25 kilometra larg Prishtinës.
Ish-kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, i cili derisa ka qenë në këtë pozitë u ka dhënë mbështetje projekteve, thotë së mosrealizimi i tyre është humbje për ekonominë e Kosovës.
“Më vjen shumë keq që një investitor i madh po i largohet Vushtrrisë, në fakt i dyti, sepse kemi pasur edhe një projekt në energjinë e ripërtërishme që nuk është realizuar. Është zhgënjyese, sepse ne po e shohim mungesën e perspektivës ekonomike në vendin tonë dhe faktin se sa shumë të rinj po largohen nga Kosova”, thotë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Ai kujton se në projektin e kompanisë “MoxicoLuma Kosova Mining”, zyrtarët e komunës janë pajtuar me investitorin që t’i jepte përparësi punësimit të qytetarëve të Vushtrrisë.
Sipas vlerësimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Komuna e Vushtrrisë i ka rreth 62.000 banorë.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se papunësia në nivel vendi është mbi 20 për qind.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se në Kosovë, investitorët ndërkombëtarë ikin çdo ditë e më shumë.
“Derisa vendet e rajonit po bëjnë çmos t’i tërheqin investitorët e huaj, ne i largojmë. Ky është një fakt shqetësues. Kemi dy investitorë të mëdhenj që janë larguar brenda dy vjetëve nga Kosova. Lind pyetja: Si është e mundur që të kemi zhvillim ekonomik nëse i refuzojmë investitorët e huaj?”, thotë Gërxhaliu.
Sipas tij, investitorët që largohen nga Kosova, priten në Maqedoninë e Veriut, ku, siç thotë, procedurat për plotësimin e dokumenteve të nevojshme për investime, për dallim nga Kosova, kryhen brenda tre muajsh.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar në vitin 2021 se kompania franceze për prodhim të energjisë elektrike “AkuoEnergy”, as pas tre vjetësh përpjekjeje, nuk ka arritur t’i përfundojë procedurat për një investim milionësh në Kosovë, por i ka përfunduar ato në Maqedoninë e Veriut brenda muajsh.
Në raportet e Bankës Botërore “Të bërit biznes”, si arsye për mungesë investimesh në Kosovë janë përmendur shpesh infrastrukturat e komplikuara ligjore.
BQK: Mbi 750 milionë euro investime të huaja
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja në Kosovë, në vitin 2022, kanë kapur vlerën e mbi 750 milionë eurove – nga mbi 420 milionë euro sa kanë qenë në vitin 2021.
Investimet më të mëdha bëhen në sektorin e patundshmërisë dhe ato vijnë kryesisht nga diaspora e Kosovës.
Sipas BQK-së, Gjermania është shteti me më së shumti investime të huaja direkte, e pasuar nga Zvicra. Këto njëherësh janë dy shtete, ku jeton numri më i madh i qytetarëve nga Kosova.
Kosova, prej vitesh, përballet me probleme ekonomike. Rritja ekonomike vjetore nuk kalon 4 për qind – shifër e pamjaftueshme për të adresuar problemin e papunësisë, sipas ekspertëve.