Për edukimin dhe informimin e votuese kërkohet të angazhohen edhe partitë politike

26 maj 2022 | 17:31

Edukimi dhe informimi i votuesve mbetet një sfidë e zakonshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) marrë parasysh shumë akterë, dizajnin e fletëvotimeve dhe zgjedhjet e shpeshta parlamentare në vend të cilat krijojnë huti tek qytetarët.

Kështu është thënë të enjten në punëtorinë me temën: “Bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile në edukimin dhe informimin e votuesve në të ardhmen” të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së, ka thënë se roli i këtij komisioni dhe shoqërisë civile është në përmirësimin e vazhdueshëm të procesit zgjedhor.

“Ruajtja e integritetit, rritja e transparencës, menaxhimi efikas, numërimi dhe publikimi i shpejt dhe I saktë I rezultateve zgjedhore janë parimet mbi të cilat KQZ-ja me këtë përbërje është e angazhuar. Duke ditur rolin tuaj si akterë të rëndësishëm të mbarëvajtjeve të zgjedhjeve, kërkesës tuaj insistuese mbi transparencën financiare të partive politike dhe të KQZ-së dhe përvojës të juaj, ne jemi të gatshëm të marrim parasysh të gjitha rekomandimet tuaja të cilat përmirësojnë procesin tonë zgjedhor. Edukimi i votuesve dhe informimi mbetet një sfidë në vete e zakonshme e KQZ-së, marrë parasysh shumë akter, këtu edhe dizajnin e fletëvotimeve dhe zgjedhjet e shpeshta parlamentare që krijojnë huti”, ka thënë Elshani.

Gjatë prezantimit të analizës së votave me asistencë është thënë se në zgjedhjet lokale që janë mbajtur më 17 tetor 2021, nga 799 mijë e 825 votues, 43 mijë e 602 kanë votuar me asistencë apo 5.45 për qind.

Sipas këtyre të dhënave të KQZ-së, ky numër i votimit me asistencë është më i ulët sesa në dy proceset zgjedhore në nivel vendi të mbajtura në vitin 2017 dhe 2019.

Më tutje, Alim Rama, anëtar tjetër i KQZ-së, ka thënë se numri i madh votueseve me asistencë paraqet problem në procesin zgjedhor.

Për këtë, Rama ka thënë se adresimi i kësaj çështje bashkë me shoqërinë civile është i rëndësishëm për zgjedhjet.

“Sipas analizës së brendshme në KQZ, paraqet një problem rasti i votave me asistencë, ku në bazë të kësaj analize janë diku rreth 5.5 për qind e qytetarëve që kanë votuar me asistencë, e cila paraqet një problem të madh në procesin tonë. Adresimi i kësaj çështje së bashku është i rëndësishëm për të gjithë ne, që në proceset e ardhshme, zgjedhjet të jenë edhe më të mira se sa që kanë qenë”, ka thënë Rama.

Ndërsa Albert Krasniqi nga Demokraci Plus, ka thënë se edukimi dhe informimi i votuesve nuk duhet të jetë aktivitet vetëm i KQZ-së, por siç tha ai, edhe i partive politike.

“Është vështirë që KQZ-ja në periudhë të fushatave të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për një kohë të shkurtër, të përgatit gjithçka për informim dhe edukim të votuesve, dhe në të njëjtën kohë të përballet me fushatë të partive politike… Kështu KQZ-ja vërehet shumë pak në fushata të tilla.  Për edukimin dhe informimin e votuesve nuk duhet ta shohim si kompetencë ose si një aktivitet vetëm të KQZ-së, duhet edhe partitë politike vet të angazhohen në edukimin dhe informimin e votuesve të tyre, si për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, ashtu edhe për mënyrën se si duhet të votojnë. Po ashtu edhe organizatat e shoqërisë civile”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër, Bujar Basha, udhëheqës i ekipit të zgjedhjeve në OSBE, ka thënë se kjo organizatë ndërkombëtare ka kontribuar vazhdimisht në proceset zgjedhore në Kosovë dhe shtoi se shoqëritë civile kanë një rol të veçantë në këto procese.

“Ne do të vazhdojmë t’ju përkrahim në përputhje me kërkesat dhe nevojat e juaja. Nga viti 2014 kemi bashkëpunuar ngushtë me organizata të shoqërisë civile për zgjedhje, dhe duke marrë parasysh përfshirjen e tyre në procese zgjedhore, ne u inkurajojmë për një bashkëpunim sa më të mirë për zgjedhjet e ardhshme, sepse shoqëritë civile kanë një rol të veçantë në proceset zgjedhore. Ne do të vazhdojmë t’ju përkrahim në përputhje me kërkesat e juaja”, ka thënë ai.

Në publikimin e KQZ-së, ofrohet një analizë e detajuar për votimin me asistencë në vendvotimet që gjenden në zonat urbane dhe rurale, duke paraqitur edhe krahasimin se ku është më i shprehur.

Nga 43 mijë e 602 votues me asistencë, 13 mijë e 558 kanë votuar në qendra të votimit në zona urbane, ndërsa 30 mijë e 44 kanë votuar në qendra të votimit në zona rurale.  /Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria ia ka ofruar NATO-s një bazë detare, me qëllim…