Për “Fjalëformimin ndajshtesor të shqipes”

24 dhjetor 2020 | 21:42

Rrahman Paçarizi

Parathënie e librit “Fjalëformimi ndajshtesor i shqipes” që sapo ka dalë nga shtypi

Shqipja, si një nga gjuhët specifike indoeuropiane, që nuk i takon ndonjë familjeje më të madhe gjuhësore, me dokumentim relativisht të vonuar të shkrimit, e standardizuar dhe e ris­tandardizuar në rrethana të pafavorshme sociale, politike dhe ekonomike, kryesisht në situata më shumë euforike sesa shkencore (1920 e 1972), si mjet komunikimi e një etnie të parealizuar deri vonë në planin nacional a shtetëror, edhe sot vazhdon të shoqërohet nga probleme të shumta. Gjuhët, pavarësisht nëse u takojnë kombeve të mëdha a të vogla, kanë fonetikën, gramatikën dhe semantikën e tyre që do trajtuar. Rrjedhimisht, kombet e vogla nuk kanë kapacitete të mjaftueshme njerëzore për t’i përthekuar të gjitha këto problematika në mënyrën siç mund ta bëjnë këtë kombet e mëdha. Për pasojë, gjuhët e kombeve të vogla, duke mos arritur të konsolidohen në planin e hulumtimit të tyre, u nënshtrohen rreziqeve të shumta. Siç do të theksohet në këtë libër, nevojat gjuhësore (komunikuese dhe kulturore) të folësve rriten bashkë me zhvillimin e shoqërisë së cilës i takon ajo bashkësi folëse. Folësit nuk presin dhe as duhet ta presin shtimin e kapaciteteve hulumtuese mbi gjuhën, me çfarë do të zhvillohen politika gjuhësore dhe planifikim gjuhësor që do t’i përmbushnin (të paktën deri në një masë) nevojat e tyre gjuhësore. Prandaj, folësit marrin fjalë nga gjuhët e tjera pa ia nënshtruar ato një sistemimi që do të krijonte parakushte që ato fjalë të futeshin në atë gjuhë, pa e lënduar atë dhe pa i zvogëluar mundësitë shprehëse në raport me ato nevoja të komunikimit. Përndryshe, shfrytëzimi i kapaciteteve të brendshme fjalëformuese do ta zvogëlonte ndjeshëm nevojën e bashkësisë folëse për të huazuar fjalë e mjete gjuhësore nga gjuhë të tjera.

Albanistika, duke qenë e vonshme si shkencë dhe albanistët edhe më të vonshëm, në një masë të madhe kanë ndërtuar qasje të marrjes fluturimthi me problemet e gjuhësisë shqiptare. Jetesa në vetizolim e Shqipërisë ka qenë një kleçkë në ecjen përpara të studimeve albanistike, ndërsa Kosova nuk i kishte në plan të parë studimet, por mbijetesën e më pas zhdukjen e analfabetizmit.

Megjithatë, gjuhësia shqiptare përfitoi nga puna e madhe që bënë fillimisht linguistët joshqiptarë e më pas mori edhe nga përvoja e dija e linguistëve shqiptarë të shkolluar jashtë vendit, që sollën përvoja dhe dije të vlefshme linguistike, duke ia shtruar shqipes udhën e zhvillimit të mëtejshëm. Gjithsesi, gjakimi për konsolidimin e identitetit nacional i orientoi këto studime, para së gjithash, kah gjuhësia historike, në kërkim të rrënjëve të shkëputura të shqipes. Gjuhësia sinkronike u orientua kah dialektologjia e më pak kah morfologjia, edhe më pak kah sintaksa e semantika – fjalëformimi u la si zgjatim i morfologjisë, krejt gabimisht dhe nuk u konsolidua si nëndisiplinë me identitet të vetin, ndonëse Xhuvani e Çabej që më 1962 kishin përmbledhur parashtesat e prapashtesat e shqipes, pastaj Kostallari ishte marrë me semantikën e fjalëformimit. Një shtysë të rëndësishme këtyre studimeve ua dha Jani Thomai, duke ndërtuar modele strukturale të semantikës së prejardhjes në gjuhën shqipe. Pastaj, edhe Hysa, Islamaj e Buxheli dhanë kontributin e tyre, ndërkohë që herë pas here nxirrte krye ndonjë studim fragmentar në revistat e kohës a në seminare e konferenca.

Ky libër, që është volumi i dytë i punës sime lidhur me fjalë­formimin, do të duhej të kishte qenë i pari, mirëpo konversioni më pati bërë për vete dhe ishte fushë krejt e pahulumtuar në shqipen, e cila e zhvendosi në kohë marrjen me fjalëformimin ndajshtesor. ‘Ndajshtesor’ dhe jo me prejardhje, pasi të gjitha mënyrat e fjalëformimit janë prejardhje në një mënyrë a në një tjetër. Pastaj, kur atij që tradicionalisht njihet si fjalëformim me prejardhje i hiqet nëntipi ‘pa ndajshtesa’ që është në të vërtetë konversion, në planin terminologjik termi “Fjalëformim ndajshtesor’ i përgjigjet më së miri procesit dhe tipologjisë. Volumi i fundit i punës në fjalëformim do të përfshijë kompo­zimin (ku hyn edhe kompozimi i përbërë, që në gramatikat tradicionale të shqipes është quajtur përngjitje), si dhe të ashtuquajturat mënyra të vogla të fjalëformimit, si prapafor­mimi, blendimi dhe brendimi, si nëntip i patrajtuar deri më tash në shqipen. Për këtë arsye pjesa hyrëse e këtij libri është e ngjashme me pjesën hyrëse të librit për konversionin, pasi nuk mund të bëja një hyrje të vrazhdë në vetë temën pa i shpjeguar arsyet e marrjes me fjalëformimin.

Ky libër është konceptuar ndërmjet studimit monografik dhe librit për studentë dhe përfshin kombinimin e metodës struk­turale dhe asaj kognitive në gjuhësi, me një mbizotërim të lehtë të metodës kognitive.

Si themel për parashtesat dhe prapashtesat janë marrë punimet e Xhuvanit e të Çabejtë dhe më pas janë shtuar rastet që ata nuk kanë arritur t’i përfshijnë, pasi shqipja ndërkohë është pasuruar me parashtesa e prapashtesa të shumta. Selman Riza kritikonte Xhuvanin e Çabejnë se kanë listuar si parashtesa edhe variantet fonetike të së njëjtës parashtesë (Riza: 2009:179) dhe unë e kam bërë të njëjtin “gabim”. Arsyeja ka qenë e thjeshtë – të paraqiten të gjitha parashtesat e prapashtesat e shqipes që janë në përdorim nga folësi, i cili nuk ka dhe nuk ka nevojë të ketë njohuri të sistemuara shkencore për vlerën e ndajshtesave, por i përdor ato se i duhen, si dhe përdorimi i ndryshëm i varanteve fonetike të të njëjtave parashtesa (s, z, sh, zh, ç) i ka ngurtësuar ato në atitudën e folësit.

Shembujt për nëntipat e fjalëformimit ndajshtesor janë marrë nga një korpus i gjerë dhe i papërzgjedhur paraprakisht: krijime letrare në prozë, poezi e dramë, vepra shkencore, media të shkruara, kryesisht online, por edhe diskutime në forume të ndryshme sociale dhe në medie e rrjete sociale, herë-herë të redaktuara në pjesët josubstanciale për punimin.

Në këtë parathënie të zgjatur do shpjeguar se jo të gjitha rastet kur janë paraqitur prapashtesat janë mënyra të formimit me prapashtesim – në këto raste ka qenë e rëndësishme të pasqyrohet në përdorim prapashtesa e caktuar dhe është abstraguar prania e nyjës, për shembull, që në rastet e mbiem­rave a emrave të nyjshëm ka mundur të jetë përcaktuese për mënyrën e fjalëformimit. Mënyrat si të tilla janë shpjeguar veçanërisht, por shembujt e përdorur më shumë e pasqyrojnë praninë e ndajshtesës përkatëse sesa mënyrën e fjalëformimit.

Ndodh në ndonjë rast, si te fjalët që kanë edhe parashtesa edhe prapashtesa, që definimi i mënyrës së fjalëformimit është lënë i hapur, pasi qëllimi im nuk ka qenë dhënia e verdiktit ashtu siç nuk është asnjëherë në qasjet përshkruese, e sidomos jo ku përdoren metoda kognitive.

Metoda kognitive, e stërpikur, e kombinuar me strukturalizëm (kundërvëniet) është përdorur duke ndjekur autorë si Plag, Bauer, Štekauer, Hurford, Huddlestone, Pullum, Feldman, Aronoff etj. kundrejt kognitivistëve Zwicky, Pinker, Miller, Levelt, Bybee e Berko etj. Mbi këto modele janë bërë analizat semantike dhe ato të kundërvënies, me ç’rast kanë qenë të vlefshme edhe pikëpamjet e Thomait.

Problemi kryesor me të cilin jam ndeshur ka qenë jo vetëm shkëputja dhe shpërputhja gati e plotë e shqipes nga studimet moderne europiane për këtë fushë, as terminologjia problematike e studimeve tradicionale, por mungesa e një korpusi të shqipes, ku do të furnizohesha me shembuj, kur kërkoheshin më se 1 500 shembuj. Gjithsesi me këtë rast dua të them se letërsia, para së gjithash, është ajo që e ka mbajtur gjallë dhe e ka zhvilluar frymën e fjalëformimit në shqipen, e cila, për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të ndajshtesave, herë më duket gjuhë me kapacitete të pakufishme fjalëformimi e herë të tjera më duket vullnetare, e pasistemuar sa duhet.

Ndihmë të çmuar më kanë dhënë studentët dhe kolegët e mi. Dua t’i veçoj këtu Bardh Rugovën e Mimoza Prikun që kanë sakrifikuar nga koha e tyre e çmuar për t’u marrë me këtë punë timen.

Ndërkaq, Minirja, Lauri e Laerti, jo vetëm më kanë duruar, por shpesh edhe kanë kontribuuar me fjalë e shembuj, kur truri nuk më punonte më.

(Libri gjendet në librarinë “Dukagjini” dhe “Artini” në Prishtinë)

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. Ass. Dr. Emin Z. Emini  Monodramat me temë nacionale…