Për gjeniun Kadare dhe hijen e lashtësisë që përshkon veprën e tij
Nga: Alberto Manguel / The Guardian
Për çdo mëngjes gjatë dekadave të fundit – nëse nuk udhëtonte në vendin e tij të lindjes, në Shqipëri – Ismail Kadare ulej në të njëjtën tryezë të kafenesë Le Rostand me pamje kah Kopshtet e Luksemburgut në Paris, dhe shkruante. Në mbrëmje i shikonte lajmet në televizionin shqiptar dhe në mëngjes, gruaja e tij Helena ia tregonte të rejat nga Le Monde, por sapo shkonte në tavolinën e punës nuk ishte më në shekullin tonë, por në një të kaluar të lashtë që pasqyronte ngjarjet bashkëkohore përmes tregimeve të Greqisë dhe të Romës.
Kujtoi se kishte lexuar klasikët grekë kur ishte 11 vjeç “e pastaj”, tha ai, “asgjë tjetër nuk kishte fuqi mbi shpirtin tim”. Kjo hije e lashtësisë përshkonte gjithë veprën e Kadaresë. Dramat, tregimet, poezitë dhe esetë e tij, mbi të gjitha 36 romanet e tij mund të lexohen si denoncim i pushtetit absolutist në formën e ritregimeve të disa prej miteve tona më të hershme. Çdo luftë, në leximin e Kadaresë, i bën jehonë tragjedisë së Trojës; çdo shpërngulje e detyruar, hallin e Odisesë.
Nën qeverisjen e Enver Hoxhës që zgjati nga viti 1944 e deri në vdekjen e tij më 1985, Shqipëria komuniste ishte skena e arrestimeve arbitrare, e torturave të miratuara nga shteti dhe ekzekutimeve të përditshme. Në mënyrë që të vazhdonte të shkruante, në vitin 1970 – në moshën 34-vjeçare – Kadare misi një karrierë jetëshkurtër politike si deputet i Parlamentit komunist shqiptar, gjë që e lejoi të udhëtonte jashtë vendit dhe të përkthente librat e vet. Megjithatë, pas shkrimit të një poezie satirike për regjimin e Hoxhës, këto privilegje u tërhoqën dhe dorëshkrimet e tij duhej të futeshin kontrabandë në Francë nga botuesi i tij francez, Claude Durand. Dy dekada më vonë, Kadare iku në Francë ku kërkoi azil politik.
Që atëherë, vepra e Kadaresë u botua njëkohësisht në shqip dhe frëngjisht. Libër pas libri, Kadare bëri kronikën e historisë së vendit të vet, që nga kohërat e lashta kur bardët e hershëm shqiptarë këndonin këngët që mendohet se kanë frymëzuar ato të Homerit, pastaj përmes regjimeve të njëpasnjëshme shtypëse – romakët, osmanët, italianët, nazistët dhe komunistët. Nën syrin e paepur të Kadaresë, Shqipëria u bë skenë universale në të cilën u luajtën me përpikëri tragjeditë e mëdha të së kaluarës sonë legjendare.
Për shkak të një romani të vetëm të botuar në vitin 1977 – Dimri i madh që portretizonte Hoxhën si sundimtar dashamirës – Kadare u akuzua si bashkëpunëtor, pavarësisht nga fryma e dukshme antitotalitare e gjithë veprës së tij. “Ai roman ishte çmimi që duhej të paguaja për lirinë time”, tha ai kur iu dha çmimi inaugurues ndërkombëtar Man Booker më 2005. “A do të ishe i kënaqur”, pyeti ai një kritik, “nëse do t’jua tregoja thonjtë e mi të nxjerrë me dhunë jashtë? Zgjodha t’ia jepja regjimit një shaka në mënyrë që të më lejohej që të vazhdoj të shkruaj”. Me gjithë akuzën, shqiptarët sot e konsiderojnë Kadarenë si shkrimtarin e tyre kryesor. Pas rënies së komunizmit, Kadaresë iu kërkua nga të dyja partitë kryesore politike shqiptare që të bëhej president konsensual; nuk pranoi, duke thënë se puna e tij ishte në fushën e fjalëve.
Në universin e Kadaresë, ne të gjithë jemi të mbikëqyrur nga një sy i ngjashëm me Jehovain që sheh gjithçka dhe që gjykon gjithçka, që dënon çdo veprim tonë si të gabuar. Ashtu si në botën e Kafkas, mëkatet tona janë pa emër; thjesht, fakti se na thuhet se jemi fajtorë, na detyron të pranojmë dënimin në formën e nënshtrimit të padiskutueshëm dhe bindjes së verbër. Në këtë atmosferë të padepërtueshme, gjithçka varet nga trillimet dhe çdo vlerë shoqërore mund të bëhet negative ose pozitive në një çast kapriçioz. Diktaturat, argumenton Kadare, ushqejnë të pavërtetën, egoizmin, mosbesimin, frikën dhe irracionalen. Në gjendjen e botës sonë sot, kjo gjë e bën jetike leximin të Kadaresë. /Telegrafi/