Për grabitjet në fshatin Opterushë intervistohen 20 persona
Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, dhe në prezencën e drejtorëve të Drejtorive Komunale, përfaqësuesve të KFOR-LMT në Rahovec dhe të OSBE-së, të premten është mbajtur mbledhja e dytë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).
Në këtë mbledhje u vlerësua se situata e sigurisë në Rahovec është stabile.
Komandanti i stacionit të policisë në Rahovec, Osman Ismajli, ka folur në lidhje me grabitjet në fshatin Opterushë.
Ai ka bërë me dije se janë duke u marrë ende me grabitjet që kanë ndodhur në këtë fshatë. “Deri më tani janë intervistuar 20 persona”, ka thënë ai.
Ismajli ka theksuar se banorët e fshatit Opterushë nuk kanë nevojë për shqetësim për faktin se policia është duke u marrë me këtë rast.
Ndërsa sa i përket sigurisë në nivel të Komunës së Rahovecit, ai ka thënë se situata është e qet dhe stabile.
Kurse, Skender Krasniqi, përfaqësues i Këshillit të fshatit Opterushë, është shprehur i shqetësuar me grabitjet të cilat kanë ndodhur në fshat, duke kërkuar nga organet përgjegjës që sa më shpejt, kryesit e këtyre grabitjeve të zbulohen.