Për hatër të djalit, Sophia Loren kthehet në kinema pas 10 vjetësh
Fituesja e çmimit Oscar, Sophia Loren është rikthyer në ekranin e madh për herë të parë në dhjetë vite, si pjesë e një filmi me regji nga djali i saj, Edoardo Ponti.
Në film, ajo luan rolin e Madame Rosa, një gruaje që i mbijetoi Holokaustit dhe lidhet emocionalisht me një djalosh emigrant nga Senegali të quajtur Momo.
Filmi i titulluar “La vita davanti a se” (Jeta përpara), është një përshtatje e romanit të Romain Gary, “La vie devant soi,” është bërë më parë film nga regjisori izraelit Moshe Mizrahi me Simone Signoret në rolin e Madame Rosa. Ai realizim fitoi një Oscar në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj.
Loren, 84-vjeçe, luan të njëjtin rol si Signoret, por Ponti ka thënë se dy përshtatjet janë shumë të ndryshme. Xhirimet kanë nisur në Itali. Loren, e cila punon dhjetë orë në ditë, ka thënë se po “e lejon veten të shprehet në njëfarë mënyre në ekran që do të habisë shikuesit”.
Aktorja ka theksuar se i biri nuk kënaqet deri kur ajo jep më të mirën. “Më njeh kaq mirë. Njeh çdo centimetër të fytyrës sime, zemrës sime, shpirtit tim. Refuzon të vijojë me skenën e radhës deri kur unë aktroj me gjithë thellësinë time”, ka thënë ajo.
“Jeta përpara” pritet të shfaqet në kinema në mars të vitit 2020.