Për herë të parë mbledhja e Komitetit HatTrick të UEFA-s do të mbahet në Kosovë
Për herë të parë që nga anëtarësimi në UEFA, Federata e Futbollit e Kosovës do të jetë mikpritëse e një mbledhje të organeve të UEFA-s.
Do të jetë Komiteti HatTrick, anëtar i të cilit është edhe presidenti Agim Ademi që do të mbajë mbledhje në Prishtinë.
Kjo mbledhje do të zhvillohet më 13 mars të vitit të ardhshëm.
Konfirmimi ka ardhur përmes një shkrese që kryetari i këtij komiteti, Karl-Erik Nilsson ia ka dërguar presidentit Ademi.
“I nderuar president Ademi, shpresoj që kjo letër t’ju gjejë mirë. Me këtë rast, dëshiroj t’ju falënderoj për propozimin tuaj të mirë për të organizuar mbledhjen tonë të radhës të Komitetit HatTrick në Prishtinë, siç përmendet në letrën tuaj të datës 27 korrik. Kam kënaqësinë t’ju informoj se e pranojmë me kënaqësi dhe kemi identifikuar të enjten e 13 marsit 2025, si datën e përshtatshme për këtë mbledhje plenare”, thuhet në shkresën e Nilsson.
Tutje në shkresë Nilsson thekson se ashtu siç është në dijeni presidenti Ademi si anëtar i Komitetit HatTrick, mbledhjet e tilla ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për anëtarët e Komitetit HatTrick që të dëshmojnë arritjet e vazhdueshme të projekteve të rëndësishme që janë mbështetur nga Programi i Investimeve HatTrick.
Ky event do ta vendosë vendin tonë në qendër të vëmendjes së futbollit evropian. UEFA do të mbulojë të gjitha shpenzimet e ngjarjes, ndërsa FFK-ja do të bashkëpunojë ngushtë me administratën e UEFA-s për organizimin e kësaj mbledhjeje.