Për herë të parë në botën arabe, një grua emërohet kryeministre
Presidenti i Tunizisë, Kais Saied, ka emëruar Najla Bouden Romdhan kryeministre të këtij shteti. Ajo është gruaja e parë në botën arabe që do të mbajë postin e lartë.
Emërimi i shefes së re të qeverisë nga presidenti është bërë rreth dy muaj pasi ai e ka shkarkuar qeverinë e kaluar, duke marrë kompetenca të shumta për vete.
“Kjo është hera e parë në historinë e Tunizisë që një grua udhëheq një qeveri. Është nder për Tunizinë dhe për gratë tuniziane”, ka thënë presidenti Saied gjatë takimit me kryeministren e re.
Sipas një faqe tuniziane, Romdhan ka shërbyer në Ministrinë e Arsimit të Lartë më 2011. Ajo do ta fillojë punën në qeveri në një kohë krize, ndonëse ka dyshime për fuqinë e vërtetë të saj në pushtet.
Qeveria e re duhet të marrë masa të shpejta për të kërkuar përkrahje financiare për buxhetin dhe borxhet, pasi marrja pothuajse e plotë e pushtetit nga presidenti në korrik i pezulloi bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, shkruan “CNN”.
Tunizia është përballur me rritje të numrit të rasteve me Covid-19, zemërim të publikut për mosfunksionimin politik dhe vështirësitë ekonomike. Qindra njerëz kanë dalë rrugëve të kryeqytetit në fundjavën e kaluar për të protestuar kundër veprimit të presidentit për t’i dhënë kompetenca vetes.