Për herë të parë në Kosovë organizohen studimet Bachelor në SMART Mobility dhe ITS
Kosova është gati të mirëpresë dy mundësi të reja dhe unike në studimet Bachelor, të cilat do të transformojnë arsimimin e lartë në fushën e trafikut, transportit dhe logjistikës. Ofertës së bujshme të programeve dhe specializimeve studimore në Kosovë, këtë vit i shtohen edhe dy fusha të reja të studimeve profesionale: Planifikimi dhe Lëvizshmëria Urbane – Mobiliteti i Mençur dhe Sistemet Inteligjente në Transport (ITS) dhe Logjistikë. Organizimi i këtyre studimeve të akredituara ka për qëllim për të adresuar nevojat e një tregu në zhvillim, të shpejtë dhe për të integruar teknologjitë më të avancuara në këto fusha.
Planifikimi dhe Lëvizshmëria Urbane – SMART Mobility është i fokusuar në planifikimin dhe menaxhimin e lëvizshmërisë urbane, ku studentët do të mësojnë si të integrojnë teknologjitë e informacionit dhe komunikimit në termat “Smart Mobility,” “Smart Cities,” dhe “Smart Cars.” Kjo paradigme e re synon të krijojë qytete dhe sisteme transporti më efikase, më të qëndrueshme dhe të integruara përmes teknologjive të avancuara.
Sistemet Inteligjente në Transport (ITS) dhe Logjistikë përqendrohen në përdorimin e teknologjive të avancuara për menaxhimin e trafikut dhe logjistikës. Studentët do të aftësohen në përdorimin e inteligjencës artificiale dhe algoritmeve të mësimit makinerik për të krijuar sisteme transporti më efikase dhe të automatizuara.
Që nga viti 2001, Tempulli si pionier në ofrimin e arsimit të lartë privat në Kosovë, ka sjellë programe studimore të rralla dhe mjaft specifike. Kjo traditë dhe përvojë e gjatë e bën Tempullin një aset të çmuar kombëtar, të njohur për cilësinë në arsimin e lartë në vend dhe jo vetëm.