Për herë të parë në Kosovë, unazohen dy zogj të lejlekut të zi në Kamenicë
Fotografët e botës së egër nga komuna e Kamenicës, Arian Mavriqi e Besnik Jakupi, kanë unazuar dy zogj të vegjël të lejlekut të zi në Kamenicë, që sipas tyre po ndodhë për herë të parë në Kosovë, dhe në gjithë trojet shqiptare.
Mavriqi e Jakupi këto unazime i bënë në bashkëpunim me profesorin Qenan Maxhuni nga MMPH-ja, i cili këto unaza i kishte dhuratë nga kolegët e tij gjermanë, por të njëjtat i dhuroi për këtë rast.
“Sot kemi shkruar një faqe të re të historisë. Këta zogj nga sot do të mbajnë unazat, shifrat e të cilave bëjnë identifikimin se këta lejlekë janë të Kamenicës e Kosovës. Falënderoj nga zemra kryetarin Qëndron Kastratin për mbështetjen që na e jep vazhdimisht dhe MMPH-në. Gjithashtu falënderoj profesor Maxhunin që ishte sot me ne”, ka thënë Mavriqi.
Sipas tij, vitin tjetër do t’u vendosen GPS dhe kamera, për të parë shtegtimin e tyre.