Për herë të parë nga Korriku 2020 asnjë vdekje nga COVID-19 në Britani
Për herë të parë që pas 30 korrikut 2020, asnjë person në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka ndërruar jetë për shkak të COVID-19, teksa vetëm 3000 raste të reja janë evidentuar.
Besohet se ulja drastike e numrit të vdekjeve përgjatë javëve të fundit ka ardhur si pasojë e ritmit të shpejtë të vaksinimit të popullsisë britanike, por edhe për shkak të ngritjes së temperaturave që e bëjnë më të vështirë veprimin e virusit në organizëm.
Në total 39 milion e 477 mijë banorë të Mbretërisë së Bashkuar kanë marrë një dozë të vaksinave anti-COVID, ndërkohë që mbi 25 milion kanë marrë të dyja dozat. Britania ishte shteti i parë që filloi procesin e vaksinimit, kjo edhe falë zhvillimit të vaksinës AstraZeneca në Universitetin e Oksfordit që mundësoi disponueshmërinë e dozave më shpejt se në vendet e tjera.
Kujtojmë që për disa javë pati dhe rritje tensionesh mes Londrës dhe Brukselit për shkak se AstraZeneca akuzohej se favorizonte britanikët. Pritet që në datën 21 qershor të hiqen të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së COVID, por ende po shqyrtohet nëse duhet hequr mandati për maskat, kjo për shkak të shtimit të rasteve me variantin indian të virusit.