Për herë të tretë radhazi futbollisti i vitit në Zvicër, Xhaka: Jam i lumtur për çmimin

14 janar 2025 | 12:19

Granit Xhaka është zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit në Zvicër për herë të tretë radhazi. Ylli kosovar e fitoi këtë çmim në ceremoninë e mbajtur mbrëmë në Bern.

32-vjeçari u ndie i lumtur për këtë mirënjohje dhe vlerësim, për kontributin e dhënë në nivelin e klubeve dhe për Kombëtaren helvetike.

“Jam mjaft i lumtur për çmimin. Ky nuk ishte viti im. Ishte viti i jonë, me pjesëmarrjen në Kampionat Evropian. Dua t’i falënderoj të gjithë përsëri, posaçërisht trajnerin Murat Yakin, i cili më ka mbështetur, në ushtrime dhe në aspektin privat”, ka thënë Xhaka përmes një video-xhirimi pasi s’mund të ishte prezent në këtë ceremoni. Viti 2024 ishte me të vërtetë i jashtëzakonshëm për Granit Xhakën.

Ylli kosovar e kaloi një vit përrallor duke e fituar titullin e kampionit dhe atë historik në Bundesligë me Bayer Leverkusenin, ndërsa i fitoi edhe Kupën e Superkupën e Gjermanisë me “Farmaceutikët”.

Ndër të tjera, me Kuqezinjtë shkoi deri në finale të Ligës së Evropës, ku fatkeqësisht humbi në finale nga Atalanta. Gjithashtu, ish-futbollisti i Baselit, Borussia Monchengladbachut e Arsenalit bëri paraqitje fantastike edhe në Euro 2024 me Zvicrën. E krejt këto bënë që futbollisti me prejardhje llapjane të futej në listën e gjerë të “Topit të Artë”, duke e shkruar historinë si futbollisti i parë shqiptar që e bën një arritje të tillë. Ditë më parë, mesfushori kualitativ u zgjodh sportisti i vitit në Zvicër, kurse mbrëmë Xhaka e fitoi një tjetër çmim. 32-vjeçari u zgjodh futbollisti më i mirë i vitit në Zvicër për herë të tretë radhazi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet i AAK-së me numër 109, afaristi, Ramush…